E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjekët nefrologë, në alarm: Sëmundja e veshkave po përhapet frikshëm

Rreth 80 për qind e të sëmurëve me veshka, paraqiten në spital në gjendje të rëndë

Është koha për të vepruar. Sëmundja e veshkave po përhapet në mënyrë të frikshme si uragan. Nefrologu Myftar Barbëllushi, në ditën ndërkombëtare të veshkave, jep alarmin për situatën emergjente ku 1 në 10 shqiptarë vuan nga problemet e veshkave.

Sipas tij, qytetarët kujtohen për të shkuar tek mjeku vetëm kur sëmundja ka përparuar në shkallë të ndjeshme. Ndër problemet më të shpeshta që shfaqen nga kjo sëmundje, rezultojnë të jenë gurët në veshka, komplikacion i cili po haset në masë të gjerë edhe te moshat e reja. Sipas statistikave, rreth 6-7 % e popullatës,  vuajnë nga gurët në veshka. Për të shmangur situatën e rëndimit të gjendjes shëndetësore të personave që vuajnë nga gurët në veshka, rekomandohet veçanërisht mbajtja e një diete të rregullt ushqimore, e cila duhet të jetë e pasur me lëngje të shumta si dhe duke konsumuar sa më pak të jetë e mundur ushqime që kanë përmbajtje të lartë kalciumi apo proteina shtazore. Problem tjetër janë edhe infeksionet, ku sipas neurologut Barbëllushi rreth 70 % e femrave, kanë të paktën deri në moshën 40 vjeç një infeksion të kanaleve urinare. Ai bën thirrje për kurim në kohë të sëmundjes së veshkave pa u avancuar në shkallë të rënda, ku ndihma e mjekut bëhet e vështirë.

Të rriskuarit
Personat që janë më të prekur nga sëmundja e veshkave janë ata që vuajnë nga diabeti, tensioni i lartë dhe obeziteti. Sipas neurologut Myftar Barbëllushi, 40 % e popullsisë në vendin tonë që vuajnë nga diabeti, kanë probleme me veshkat. Ai u bën thirrje që për të shmangur të gjitha këto probleme me sëmundjen e veshkave është e nevojshme bërja e vizitave dhe analizave. Neglizhenca e njerëzve fatkeqësisht ka sjellë është përhapja e këtyre sëmundjeve e cila po rritet në mënyrë të frikshme. Në vendin tonë janë me dhjetëra persona që humbasin jetën si pasojë e përkeqësimit të funksionit të veshkës. Sipas të dhënave, në rreth 80 për qind të rasteve pacientët paraqiten atëherë kur janë në gjendje të rëndë. Krahas mungesës së sensibilizimit të qytetarëve për të kryer periodikisht analizat, problemi më i madh për të sëmurët mbetet trajtimi. Pas moshës 20 vjeç këshillohet që gjithsecili prej nesh të kryejë analiza për nivelin e albuminës për të kontrolluar veten dhe për të evituar avancimin e sëmundjes. Ndërsa gratë shtatzëna duhet ta kryejnë këtë analizë të paktën një herë në 3 muaj. Problem është edhe mbipesha, e cila e sforcon punën e veshkave por nuk mund të lihet pa përmendur edhe cilësia e ujit që konsumojnë qytetarët, që duhet të jetë brenda parametrave të lejueshëm. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, numri i personave që do të përfitojnë nga dializa do të shkojë në 800 nga 500 që trajtohen aktualisht. Kostoja për të bërë një dializë në vit shkon 13 mijë euro. Ndërkohë që në bashkëpunim me Agjencinë Turke për Zhvillim dhe Koordinim kanë përfunduar modalitetet për ngritjen pranë Shërbimit të Pediatrisë, të një qendre dialize, për fëmijët. 11 marsi është përcaktuar nga Kompania Ndërkombëtare e Nefrologjisë, por edhe nga Lidhja Ndërkombëtare e Institucioneve Nefrologjike si Dita Botërore e Veshkave. Kjo ditë është një fushatë sensibilizuese që synon ndërgjegjësimin e njerëzve për rëndësinë e veshkave, si dhe efektet e dëmshme të sëmundjes së veshkave. Veshkat luajnë rol jetik në organizëm, atë të largimit të toksinave, rregullimit të balancës së ujit dhe elektroliteve në trup. Veshkat gjithashtu rregullojnë presionin e gjakut, prodhimin e qelizave të kuqe dhe shëndetin e eshtrave tona. Sëmundja e veshkave është shumë e shpeshtë dhe serioze, e cila për vite me radhë po mundon miliona njerëz gjithnjë e më shumë, në mbarë botën. Përllogaritet se rreth  400 - 600 milionë persona mbi 18 vjeç vuajnë nga sëmundja kronike e veshkave. Në këtë ditë apeli që vjen nga mjekët është parandalimi në kohë i sëmundjes nëpërmjet konsultave pasi duke e kapur që në fazat e para sëmundja do të jetë më e lehtë për tu kuruar.

Nga Athina Mëhilli

Last Updated on E Enjte, 11 Mars 2010 22:14

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›