E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëmtimi i rrugës bllokon 3 fshatra në Tepelenë, 230 nxënës pa mësim

Prej një jave, nxënësit e tre fshatrave në Komunën Luftinjë në rrethin e Tepelenës, janë privuar nga procesi mësimor. Shkak është bërë dëmtimi i aksit rural që të çon në fshatrat Luftinjë, Canaj dhe Izvor. Rreth 230 nxënës të sistemit arsimor 9 vjeçar dhe të mesëm,

 janë mjaftuar vetëm me daljen nga shtëpitë e tyre dhe shkuarjen në shkollat ku ata mësojnë dhe më pas  rikthehen me libra në shtëpi. Autobusi që sjell arsimtarët në të tri fshatrat e kësaj komune, e ka pasur të pamundur kalimin e një pjese të rrugës që të çon në këto fshatra pas dëmtimit si pasojë e rrëshqitjes në masë të konsiderueshme ditët e fundit. Shkak janë bërë shirat e rrëmbyeshëm që kanë prishur dukshëm tabanin e një pjese të rrugës çka është e pakalueshme për mjetet e transportit. Në këto kushte, ka munguar ndërhyrja e specialistëve të Drejtorisë Rajonale të Rrugëve të cilët janë angazhuar në rikuperimin e aksit nacional Gjirokastër-Tepelenë si pasojë e rrëshqitjes së dherave. Banorët e fshatrave Luftinjë, Canaj dhe Izvor me një popullsi totale deri në 300 familje, nuk udhëtojnë dot në pjesën e poshtme urbane në Memaliaj apo dhe Tepelenë, pasi mjetet e transportit nuk mundin dot të kapërcejnë rrugën e dëmtuar. Aksi përkatës rural ka pasur probleme serioze qysh në fund të dhjetorit të vitit të kaluar si pasojë e reshjeve të dendura të shiut me stuhi e suferinë, por terreni rrugor në një vend me reliev të pjerrët ka bërë të pamundur kalimin normal të mjeteve motorrike. Ndonëse gjendja është relatuar nga organet e qeverisë vendore të Luftinjës, situata ngelet sërish kritike. Sipas banorëve të zonës, kërkohet një investim serioz në zonën e rrugës që fundoset nga rrjedhja e shirave në mot të keq, që të mos përsëritet i njëjti fenomen.

T. Hoxha

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›