E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët neglizhojnë licencat

Kreu i Urdhrit të Mjekëve, Din Abazaj, ka deklaruar se rreth 30% e mjekëve ushtrojnë profesionin e tyre pa u licencuar. Sipas tij, licencimi është personal për çdo mjek apo stomatolog, ku në sektorin privat këto licenca jepen nga Ministria e Shëndetësisë.

“Fakti i njohur se licenca jepet vetëm pas vlerësimeve dhe certifikimeve që kryhen në bazë kriteresh dhe standardesh të unifikuara dhe përcaktuara mbi kompetencën, performancën dhe sjelljen profesionale të çdo mjeku, përbën një garanci për cilindo se, mjeku që zotëron këtë dokument është i azhornuar profesionalisht, kompetent dhe përputhet me standardet e një praktike të mirë mjekësore. Kjo rrit besimin e të sëmurëve dhe publikut ndaj mjekut dhe sistemit në tërësi”, ka theksuar Presidenti i Urdhrit të Mjekëve.

Dr. Abazaj shpërehet se për kryerjen sa më të mirë dhe me efektivitet të procesit të rivlerësimit periodik të standardeve dhe performancës profesionale të çdo mjeku, si dhe procesit të licencimit, Urdhri i Mjekëve ka miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të gjitha aktet normative të cilat kodifikojnë dhe rregullojnë procesin e licencim-rilicencimit. Ripërtëritja e Licencës bëhet çdo 5 vjet, në vartësi të rezultateve të arritura nga mjeku të vlerësuara vit pas viti mbi standardet dhe performancën profesionale të tij. /Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2011-05-24 14:39
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›