E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarrfikësit plan masash për stinën e nxehtë

Gjirokastër Me rritjen e temperaturave të motit dhe afrimin e stinës së nxehtë, efektivat zjarrfikës në Qarkun e Gjirokastrës janë duke përgatitur një plan të veçantë operacional për eleminimin e vatrave të zjarrit në sipërfaqet pyjore dhe kullosore në rrethet e Përmetit, Tepelenës dhe Gjirokastrës. Ky plan përfshin deri ne detaje masat profesionale dhe teknike të efektivave zjarrfikës për të përballuar me sukses sezonin e zjarreve. “Efektivi në të tri stacionet zjarrfikës në rrethet e Përmetit, Tepelenës dhe Gjirokastrës është i përgatitur profesionalisht, teknikisht e fizikisht të përballojë mesa më pak kosto situatat e zjarreve dhe shpëtimi”, thotë shefi i efektivave zjarrfikës në Prefekturë, Lefter Qirici. Sipas tij, në këtë siguri ndikon edhe përvoja që kanë krijuar zjarrfikësit gjatë viteve të fundit kur operacionet e tyre u shtrinë edhe jashtë kufijve të vendit duke ndihmuar edhe kolegët grekë në shuarjen e vatrave të zjarrit dhe evakuimin e popullatës. Sipas Qiriçit, automjetet, mjetet e pajisjet janë në gjendje të gatishmërisë teknike dhe shërbimet ndaj tyre bëhen me përparësi në kohë sa më të shkurtër edhe nga vetë personeli operues. Ndërkohë efektivat zjarrfikës e konsiderojnë verën e sivjetshme si sezon favorizues për zjarret për shkak të zhvillimit të bimësisë së shumtë në muajt e pranverës. Në këtë drejtim efektivat zjarrfikës gjatë ditëve të fundit kanë ushtruar një sërë kontrollesh në lidhje me masat e mbrojtjes nga zjarri nga ana e institucioneve dhe popullatës. “Ne kemi ushtruar kontrolle në të gjitha objektet që prodhojnë, përpunojnë, magazinojnë e tregtojnë lëndë të ndezshme e të djegshme”, thotë Qirici. Madje, zjarrfikësit kanë rekomanduar edhe pastrimin e territoreve të tyre nga lëndë të ndezshme, si bimësia, lëndët e djegshme etj. Në këtë plan masash, efektivat zjarrfikës kanë gjetur edhe mbështetjen e Shërbimit Pyjor në të tri rrethet e Qarkut. Ndërkohë, efektivat zjarrfikës për përballimin me sukses së sezonit të zjarreve, do të bashkëpunojnë edhe me kolegët e tyre grekë. ”Aktualisht kemi elementë bashkëpunimi me efektivat e zjarrfikësve të Janinës në rastet e emergjencave”, thotë Qirici. B.SH.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›