Mjekët padronë të lokaleve, konflikti i interesit këmbëkryq në QSUT
Sipas vetë punonjësve në lokalet të cilat ndodhen brenda territorit të spitalit më të madh në vend në shumicën e rasteve pronarët e vërtetë janë vetë mjekët e pavijoneve. Këta të fundit për të fshehur konfliktin e interesit zakonisht i
lënë lokalet e fastfudet të administrohen nga persona të dytë duke i besuar miqve apo shokëve biznesin e tyre të marrë qyl nga drejtori i tyre Dashi. Edhe pse kjo është kundra çdo rregulloreje sërish edhe për këtë askush nuk shqetësohet e drejtoria QSUT-së e bën një vesh shurdh e një sy qorr. Kanë qenë vetë punonjësit banakierët apo kamarierë të ndryshëm në lokalet e fastfudet e shumta që duket sikur po i zënë frymën çdo hapësirë të zbrazët në spitalin më të madh në vend, punonjës të cilët kanë pohuar se zakonisht lokalet janë në pronësi të mjekëve të cilët nuk qëndrojnë për të administruar bizneset pasi kanë lënë miqtë apo të afërmit e tyre. Zakonisht bluzat e bardha i disponojnë lokalet në spitalet ku ata punojnë duke qenë në të shumtën e kohës prezent në bizneset e tyre paçka se nuk mund ti gëzohen fitimeve milionëshe në muaj në mënyrë të drejtpërdrejtë. Zakonisht sipas punonjësve pronarët e vërtetë që në këtë rast janë mjekët kanë shkelur me të dyja këmbët të gjitha rregullat e hershme të hipokritit për bluzat e bardha e për më tepër kanë abuzuar me detyrën e duke përfituar prej saj për afera personale. Sipas vëzhgimeve nga gazeta për një periudhë prej jo më shumë se një viti vetëm në hapësirën e hyrjes së Qendrës Spitalore më të madh në vend janë shtuar më shumë se 4 minifugonë apo tezga ku qytetarë të ndryshëm shesin produkte ushqimore e jo vetëm. Kushdo nga ne kur hyn në QSUT, sheh nga të dyja anët minifugonë të tej mbushur me produkte të shumta që përpos sigurisë ushqimore nuk shiten as në kushtet më minimale të higjienës e cila në brendësi të këtyre kioskave të stisura lënë shumë për të dëshiruar. Nëse të duhet të blesh diçka një frut apo një produkt tjetër pluhuri i rrugës në buzë të cilit nuk pushojnë së kaluari automjetet e ndryshme është në masë tejet shqetësuese mbi këto produkte. Përpos kësaj sapo hyn nuk mungon as një tezgë e stisur në të cilën shiten qofte e produkte të tjera mishi. Përpos ndotjes e tymit që është i pranishëm gjatë gjithë paradites kjo tezgë ka zënë edhe rrugën për kalimtarët të cilët edhe pse shfryjnë e ulërasin sërish janë klientë të rregullt në këtë qebaptor të stisur. Por shqetësim i madh mbeten edhe fastfudet të cilat janë duke u shtuar brenda territorit të spitalit me shpejtësi marramendëse. Por jo vetëm to, edh lokalet janë kthyer tashmë në një bezdi të madhe për pacientët e pavijoneve gjatë orarit të natës pasi disa prej tyre qëndrojnë 24 orë të hapura e shkaktojnë zhurma të mëdha për të sëmurët. Lokali më i fundit i cili është hapur në ambientet e brendshme të QSUT-së është ai midis spitalit nr 1 dhe fakultetit të infermierisë pronari i të cilit duket se nuk është harxhuar e munduar shumë për mjetet ndihmës të lokalit pasi, i kanë mjaftuar vetëm disa tavolina e karrige të thjeshta e madje dhe një banak portativ për hapjen e biznesit të tij. Ky lokal është totalisht në ambient të hapur, ndërsa në shkallët e spitalit nr 1 ka lulëzuar ditët e fundit edhe një kioskë pronari i të cilës e ka zgjeruar biznesin e tij pasi më parë kioska ka qenë tejet e vogël. Kjo kioskë është shtuar dyfish dhe ka arritur pothuajse në shkallët e spitalit.
Qebaptorja që gostit me qofte dhe stafin e QSUT
Kjo është qebaptorja në të cilën shiten qofte e produkte të tjera mishi të skuqura. Tezga ka shumë kohë që ndodhet në hyrje të Qendrës Spitalore Universitare më të madh në vend. Përveçse ka zënë rrugën pasi ndodhet në pikën kyçe të hyrjes në spital, shkakton pluhur e mbeturina ngado. Padyshim është me leje nga drejtori Dashi dhe nuk përjashtohet rasti që në shumë raste e zonja e kësaj kioske të stisur gostit edhe drejtorinë e QSUT-së me qofte të freskëta.
Lokal luksoz brenda spitalit, pronari mjek i QSUT
Ky është një prej lokaleve në brendësi të një prej spitaleve në QSUT, pronar i të cilit është një mjek specialist i po këtij spitali. Por në gjithë hapësirën e brendshme të qendrës spitalore janë më shumë se 30 për qind këtyre lokaleve ku pronarë janë vetë mjekët. Në këtë rast ky fenomen është kundër rregullave dhe përbën konflikt interesi të hapur, por edhe pse kjo ndalohet me ligj sërish drejtori Dashi lejon çdo ditë e më tepër lulëzimin pa kriter të lokaleve e bizneseve që janë në pronësi të vetë mjekëve.
Nënë Tereza, kokulur përballë fast food-eve përreth spitalit
Në këtë foto është inkuadruar portreti i të madhes Nënë Tereza emri i së cilës është vendosur edhe në një prej fastfudet më të mëdha në QSUT. Edhe pse portreti është i qartë e madhja Nënë Tereza duket sikur ka ulur kokën me turp për gjendjen në të cilën është spitali më i madh në vend që mban pikërisht emrin e saj. I pushtuar nga fastfudet, me plehra kudo, e hapësira të gjelbra që po zaptohen çdo ditë e më shumë nga bizneset e ligjshme të drejtorit Dashi.
Bar lokal portativ, shpikja e fundit e ortakëve të drejtorit
Ky është emërtimi më i saktë i biznesit më të ri që ka zënë javët e fundit edhe atë pak hapësirë të gjelbër që kishte mbijetuar në furtunën e lejuar nga drejtoria QSUT-së. Kanë mjaftuar vetëm disa tavolina, e karrige plastike madje edhe një banak i stisur dhe biznesi ka nisur të çelë për bukuri. Pacientë e të afërm të tyre madje një pjesë e madhe e stafit të bluzave të bardha në të gjitha pavijonet e spitalit nr 1 janë klientët e përhershëm të bar lokal portativ
Taverna e vjetër e Kirurgjisë, vend strategjik për vjeljen e ryshfeteve
Ky bar restorant apo e thënë midis mjekëve taverna e vjetër ka pritur ka përcjellë qindra bluza të bardha e mijëra pacientë e të afërm. Madje nga vetë punonjësit flitet që drejtorët e parë të spitalit e kanë begenisur ndonjëherë këtë restorant që shquhet për gatimet tradicionale të gatura nga kuzhinieret e vjetra. Sipas tyre i vetmi që ska shkelur është drejtori Dashi i cili mesa duket preferon lokalet më luksoze e pikërisht ato të rejat të cilat janë përhapur ngado në hapësirat e gjelbra të spitalit padyshim me lejen e miratimin e drejtorit të QSUT-së.
Bar kafe Çimi, streha për mjekët e stafin e spitalit infektiv
Kjo kafe është një ndër më të zakonshmet ku pronari duket se nuk ka shpenzuar as në derën hyrëse ku mjekëve të cilët kanë probleme m peshën u duhet të futen me vështirësi në këtë lokal për të pirë ndonjë kafe. Emri është i vendosur rastësisht por kafja aman është e mirë, dhe të zotët e këtij biznesi e kanë këtë si pikën e fortë për të tërhequr klientelën pasi edh mjekët e rinj ose specializantët të lodhur nga presioni i punës ndalojnë aty disa herë gjatë ditës.
Mbeturinat e fastfuood-eve tejmbushin koshat në QSUT
Ky kosh është një ndër dhjetëra koshat e QSUT-së që në të shumtën e rasteve nuk mbushen me mbeturina nga pacientët apo mbetjet spitalore por pikërisht nga mbeturinat e fastfudeve e të kioskave që shesin produkte ushqimore. Zakonisht në rastet më banale mbetjet, kartonët, apo ambalazhimet e këtyre kioskave hidhen në çdo hapësirë të rrugës e shkaktojnë një ndotje të madhe në ambientet e QSUT-së. Por nuk janë kioskat apo minifugonë të cilët në të shumtën e rasteve i hedhin kartonët ambalazhimet në çdo hapësirë.
Qebaptorja e QSUT, aty ku mjekët shijojnë kafen pas ushqimit
Edhe pse është në një territor jo të dukshëm ky lokal shërben për të relaksuar mjekët e pediatrisë të cilët ndonjëherë harrojnë profesionin e preokupimet dhe ja shtrojnë m birra pikërisht në këtë strehë e cila shërben edhe si qebaptore pasi aty përpos kafesë shiten edhe meze e raki nga më e mira. Pas një dreke në mensë meqenëse mensa e mjekëve është shumë afër me këtë lokal i cili ndodhet ngjitur me muret e pediatrisë mjekët e pijnë ndonjë kafe për merak.
Arta AGOLLI