E Shtunë, 31 Tetor 2026

Videoja 3 e Priftit, Task-Forcë nis hetimet për tenderin e skrapit

Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar të gjitha dokumentet mbi ankandin e skrapit në uzinën e Azotikut të Fierit. Hetimet nisën pas denoncimit të një firme, që pretendon se kishte ofertën 2-fish më të lartë

Leonard Bakillari

Tiranë Tenderi i shumëpërfolur i skrapit në uzinën e Azotikut në Fier, tashmë po i nënshtrohet një hetimi të imtësishëm në Prokurorinë e Tiranës. Pas denoncimit të një kompanie, që pretendon se është skualifikuar padrejtësisht dhe informacioneve të publikuara në media, organi i akuzës ka vendosur të nisë hetimet për çështjen. Ditët e fundit, oficerë të njësisë Task Forcë në Prokurorinë e Tiranës, kanë sekuestruar dosjen me procedurat e ndjekura për ankandin ku u përzgjodh edhe firma fituese. Sipas të dhënave të rezervuara mësohet se hetimi për këtë çështje është bazuar mbi tre elementë, të cilët do të ballafaqohen me njëri-tjetrin. Për herë të parë, organi i akuzës ka marrë dijeni për ankandin e skrapit nëpërmjet një video-përgjimi të gjendur në kompjuterin e ish-ministrit Dritan Prifti, në kohën e publikimit të videos ‘Meta-Prifti’. Videoja u zbulua nga eksperti amerikan dhe mund të konsiderohet e pavlefshme, deri në një ekspertim të dytë. Por në këtë kohë, procedurat e ankandit u anuluan, pasi një nga firmat e skualifikuara depozitoi një kallëzim penal në Prokurori. Sipas prokurorisë, sekuestrimi i dosjes së ankandit të skrapit është bërë pas nisjes së një hetimi në lidhje me pretendimet për shkelje të qëllimshme në ankand për të favorizuar kompani të ndryshme. Pas informacionit paraprak të marrë nëpërmjet video-përgjimit, përfaqësuesit ligjorë të kompanisë “Cara” sh.p.k, kanë depozituar një kallëzim penal në prokurori, duke pretenduar se janë skualifikuar pa të drejtë nga ankandi, edhe pse ata kishin një ofertë prej 57 milionë lekë më shumë se kompania që u shpall fituese. Sipas ankandit të zhvilluar për shitjen e skrapit dhe mbetjeve të hekurta në uzinën 212 të Azotikut në Fier, vlera e shitjes ishte në shumën e 24.6 milionë lekëve. Nëpërmjet kallëzimit penal, kompania që pretendon për skualifikim të padrejtë, thotë se sasia e skrapit që ndodhej në të vërtetë në uzinë ishte shumë më e madhe se ajo që ka dalë në dokumentet e ankandit. Këto pretendime pritet të verifikohen nga prokuroria pas ballafaqimit me dokumentacionin që ndodhet në dosjen e ankandit, i cili do t’i nënshtrohet një procesi të imtësishëm verifikimi. Gjithashtu, prokuroria pritet të marrë në pyetje anëtarët e komisionit, të cilët kanë kryer vlerësimin e ofertave të kompanive garuese. Pjesë e hetimit, sipas burimeve do të jetë edhe kompania fituese e ankandit si dhe firma nënkontraktuese, e cila kryen gjithë operacionin në terren duke nisur nga marrja e mbetjeve të hekurta në Fier e deri te transporti i tyre në Elbasan. I gjithë ky proces mësohet se është dokumentuar nëpërmjet pamjeve video, të cilat gjithashtu i janë vënë në dispozicion organit të akuzës.

57 Milionë lekë ishte oferta e kompanisë që ka bërë denoncimin në Prokurori, për abuzim me ankandin për skrapin në uzinën e Azotikut në Fier

24.6 Milionë lekë është vlera e shitjes së skrapit, në ankandin e organizuar nga Ministria e Ekonomisë. Kompania e skualifikuar pretendon se e kishte ofertën 2 herë më të lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›