Mjekësia: Të hënën në grevë
Studentët kërkojnë largimin e dekanit të fakultetit. "Është ai përgjegjës për situatën e krijuar"
Protesta e studentëve të Mjekësisë do të përshkallëzohet në një grevë urie, në rast se zëri i tyre nuk do të dëgjohet nga asnjë autoritet i arsimit në vend. Këtë deklaratë, studentët e kanë bërë gjatë protestë së radhës, së realizuar gjatë ditës së djeshme në ambientet e fakultetit të Mjekësisë.
Për rreth dy orë, studentët kanë bllokuar hyrjen e pedagogëve dhe studentëve të tjerë në auditore, duke formuar një kordon njerëzor në hyrje të fakultetit.
"Për gjithë këtë katrahurë ku ndodhet sot Fakulteti i Mjekësisë bëjmë përgjegjës dekanin e fakultetit. Ne duam që nesër të jemi mjekë profesionistë dhe jo sharlatanë me diplomë, siç po ndodh aktualisht", - shprehen studentët.
Të mbledhur në dyert e fakultetit, ata u shprehen të vendosur për të vijuar protestat deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. Madje, ata theksojnë se në rast të mosreagimit nga ana e autoriteteve, do të përshkallëzojnë protestat duke nisur edhe një në grevë urie.
"Na u kërkua të pranojmë implementimin e kartës së Bolonjës kur librat i kemi të viteve 1972. Nuk quhet fakultet ky, ku pedagogët as nuk denjojnë të vijnë në mësim", - shprehen studentët.
Prej më shumë se një jave, këta studentë kanë protestuar për mosrealizmin e lëndëve të mësimit nga pedagogët e tyre. Më tej, ata kanë bërë përgjegjës dekanin e fakultetit, Alfred Priftanji, për situatën e krijuar në fakultet, duke kërkuar edhe largimin e tij nga posti drejtues.