E Diel, 1 Nëntor 2026

Godo: Grupe të nxitura nga jashtë, gati të bëjnë kontestime

Historiani i njohur shqiptar, Sabri Godo, kritikoi dje ashpër qëndrimin e grupeve të minoriteteve mbi procesin e regjistrimit të popullsisë që do të zhvillohet vitin e ardhshëm.


Në një prononcim të dhënë për gazetën "Shekulli", Presidenti i Nderit i Partisë Republikane i cilësoi shqetësimet e ngritura për mungesë transparenca si veprime të nxitura nga struktura jashtë Shqipërisë.


"Disa të grupe të nxitura dhe nga jashtë janë në çdo kohë të gatshëm të bëjnë kontestime dhe për probleme që nuk ekzistojmë. Tani jemi mësuar me këtë",-vlerëson historiani i njohur shqiptar.


Në regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave, që do të zhvillohet në muajin prill të vitit 2011, do të regjistrohen njësitë ekonomike familjare, individët, bashkëjetesat kolektive, banesat (të banuara ose jo) dhe tipe të tjera banesash, si edhe të huajt (prezentë në momentin e regjistrimit).


Por, pika më e debatuar nga të gjitha këto është pyetja e nëntë e pyetësorit, në të cilën individi do të deklarojë grupin etnik që do t'i përkasë.


Mbi këtë çështje, Sabri Godo tha se për sa i përket kombësisë në regjistrime duhet të merret parasysh ajo kombësi që vërtetohet nga prindërit dhe nga gjyshërit, dhe jo sipas shijeve personale të secilit.


"Nëse një gjë e tillë do të ndodhë ajo do të shkaktonte një anarki dhe është e papranueshme, nuk qëndron. Ka shumë njerëz që mund të dëshirojnë të deklarojnë kombësi nga më të ndryshme. Atëherë shtrohet problemi, a e pranon vendi përkatës deklarimin e shtetësisë nga një qytetar çfarëdo. Kjo është jashtë çdo logjike",- deklaroi ai.


Sipas tij, debati mbi çështjen e regjistrimit të minoriteteve është krijuar artificialisht që më parë pasi duan vetëm për të përgatitur terrenin që të bëjnë kontestimet pastaj.


Në mbledhjet e zhvilluara midis përfaqësuesve të komuniteteve, këto të fundit kanë kërkuar përfaqësim në të gjithë strukturat që do të merren me procesin e anketimit.

Pretendime të tilla nga Presidenti i Nderit i Partisë Republikane konsiderohen si absurde. "Nuk mundet që një pakicë prej 2% të krijojë një shtet paralel në Shqipëri dhe duhet të heqin dorë nga pretendime të tilla absurde",-komentoi kërkesat e përfaqësuesve të minoriteteve, Sabri Godo.


Në procesin e regjistrimit të popullsisë që pritet të nisë në muajin prill të vitit të ardhshëm, grupet e ndryshme të minoriteteve do të kontribuojnë në realizimin e këtij procesi duke pasur përfaqësues në komisione.


Në ato vende ku përfaqësie e komunitete dhe grupeve etnike do të jetë e konsiderueshëm, ato do të jenë të përfaqësues në këto komisione dhe do të jenë ata që do të rekrutojnë anketuesit për këtë. Ndërsa në strukturat e logjistikës ose të organizimit të regjistrimit, i cili do të implementohet nga INSTAT, do të ketë dhe një grup vëzhgues ndërkombëtarët.


Shënimet e redaktorit

Presidenti i Nderit i Partisë Republikane, Sabri Godo, i cilësoi shqetësimet e ngritura për mungesë transparence si veprime të nxitura nga struktura jashtë Shqipërisë


Për sa i përket kombësisë në regjistrime, historiani i njohur shqiptar tha se duhet të merret parasysh ajo kombësi që vërtetohet nga prindërit dhe nga gjyshërit, dhe jo sipas shijeve personale të secilit.

Godo i ka cilësuar si absurde kërkesat e përfaqësuesve të grupeve të minoriteteve për të pasur përfaqësim në të gjitha strukturat që do të merren me procesin e anketimit.


Regjistrimi sipas kombësisë


"Për sa i përket kombësisë në regjistrime duhet të merret parasysh ajo kombësi që vërtetohet nga prindërit dhe nga gjyshërit, dhe jo sipas shijeve personale të secilit. Nëse një gjë e tillë do të ndodhë ajo do të shkaktonte një anarki dhe është e papranueshme, nuk qëndron.


Ka shumë njerëz që mund të dëshirojnë të deklarojnë kombësi nga më të ndryshme. Atëherë shtrohet problemi, a e pranon vendi përkatës deklarimin e shtetësisë nga një qytetar çfarëdo. Kjo është jashtë çdo logjike",-vlerësoi Sabri Godo.


Qëndrimi i grupeve të minoriteteve për çështjen e regjistrimit


Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule: Duhet konstatimi i ekzistencës, i dimensionit dhe përqendrimit gjeografik të minoriteteve.


Shpeshherë filozofia e shtetit tonë, pavarësisht se i është larguar formalisht konceptit të zonave minoriteteve, arbitrarisht të përcaktuara në kohën e regjimit komunist nuk ka përqafuar filozofinë e sotme europiane. Kështu është çelësi.


Ndaj ne jemi insistues se duam një regjistrim të popullsisë i cili të zgjidhë problemin kryesor, të hedhë themelin mbi të cilën do të ngrihet një filozofi dhe do të zbatohet një politikë e re për respektimin e të drejtave të pjesëtarëve të minoritetit.


Kryetari i OMONIA-s, Vasil Bollano: Konventa Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve i jep të drejtën minoriteteve, kudo që ato ekzistojnë, minoritet etnike, fetare, gjuhësore, personave që u takojnë këtyre komuniteteve, nuk duhet t'u mohohet e drejta që në bashkësi me anëtarët e tjerë të grupit të gëzojnë kulturën dhe të praktikojnë fenë ose të shfrytëzojnë gjuhën e tyre.


Për të gjitha këto masa që duhen marrë për regjistrimin e popullsisë duhet që të nisë një dialog midis palëve të interesit dhe qeverisë që ky proces të përfundojë me proces.


Kryetari i Unionit Vllah, Thanas Poçi: Ne konsiderojmë si të drejtë thelbësore për vetë ekzistencën tonë, përcaktimin e dimensioneve numerike të të gjithë pakicave në vend. Por, me keqardhje kohët e fundit vërej një qëndrim krejtësisht negativ, deri paranojak nga segmente të caktuara të opinionit publik në vend për regjistrimin e popullsisë mbi bazën e vetëdeklarimit edhe të përkatësisë etnike, linguistike dhe fetare të çdo qytetari shqiptar.


Kryetari i OMONIA-s, dega Korçë, Ligoraq Karamelo: Regjistrimi i popullsisë është një sfidë e rëndësishme, vendimtare dhe ndoshta historike, pasi në varësi të saj do të varet historia e mëtejshme, zhvillimi i një shoqërie demokratike i të gjitha lirive dhe të drejtave që ne gëzojmë dhe duhet të gëzojmë konform rregullave dhe standardeve ndërkombëtare.


Përfaqësues i minoritetit rom, Pëllumb Furtuna: Unë mendoj që si minoritet së bashku me minoritet e tjera, duhet të dimë se sa jemi, duhet të dimë se ku ndodhemi për të parë realisht, jo të ndodhë si gjithmonë në fushata dhe zgjedhjet që janë bërë.


Pra, ne duhet të jemi pjesë ne romët me minoritetet e tjera, të jemi pjesë e fushatës së regjistrimit, që nga formulimi i pyetësorëve deri në terren, duke filluar tek monitorimi, trajnimi i elementëve që të jenë të aftë për ta përballuar këtë proces.


Përfaqësues i komunitetit egjiptian, Arjan Lile: Ky proces duhet bërë kujdes pasi të gjitha minoritet do të rrezikojnë në këtë regjistrim nëse nuk do të ketë përfaqësues nga të gjitha komunitetet.


Jemi mjaft të rrezikuar, shumë të përjashtuar, tepër të diskriminuar, së bashku duhet të vëmë pikat mbi "i" dhe duhet të dalim me një rezolutë përpara OSBE-ODHIR-it në mënyrë që ky komunitet të marrë atë që i takon. Ne kërkojmë që të njihemi nga shteti shqiptar si komunitet etnokulturor.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›