E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr në lokal, vritet 40-vjeçari

BULQIZË/ Policia ka vënë në pranga shtetasin Allaman Isaku, pak kohë pas vdekjes në spital të Skënder Cakonit


Nga të dhënat e para mësohet se gjithçka ka ndodhur pas një sherri banal mes viktimës dhe autorit

BULQIZË - Pas një sherri të rastit që ka gjeneruar konflikt me armë në Krastë të Martaneshit, ka mbetur i vrarë një 40-vjeçar që punonte në atë qytezë.
Policia bëri të ditur se pas një grindjeje të çastit është vrarë me armë zjarri 40-vjecari Skënder Cakoni, lindur në fshatin Baz të Matit dhe banues në qytezën e Krastës së Martaneshit të Bulqizës.


Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 17:00 të pasdites së të dielës në një lokal të qytezës së Krastës, nga një konflikt ku ishin përfshirë 40-vjeçari Skënder Cakoni dhe Allaman Isaku.


Nga burimet policore, sipas dëshmive të dëshmitarëve okularë, mësohet se Cakoni ka qenë në sqarim e sipër me një njeri të afërt me Isakun, ndërsa ky i fundit ka shkuar aty, ku dhe ka plasur sherri mes tyre, fillimisht me fjalë, ndërsa disa minuta më pas konflikti ka agravuar derisa Allaman Isaku ka nxjerrë armën tip pistoletë për të qëlluar tre herë në drejtim të Skënder Cakonit duke e plagosur rëndë atë. Më pas ai është larguar në drejtim të fshatit Gjon për t'u fshehur.


Kanë qenë efektivë të policisë dhe banorë të qytezës të cilët kanë marrë 40-vjeçarin e plagosur për ta transportuar në drejtim të spitalit të Bulqizës, por pas 30 minutash për shkak të plumbave të depërtuar në organet jetësore të tij, nuk ka mundur t'i mbijetojë vdekjes.


Mjekët bënë të ditur se dëmtimet kanë qenë të rënda, ndaj ai ka gjetur vdekjen. Menjëherë pas ngjarjes, efektivë të postës së policisë së Martaneshit janë vënë në ndjekje të autorit, i cili ishte fshehur në një banesë të braktisur në fshatin Gjon. Ata kanë mundur të lokalizojnë vendin e fshehjes së tij në një banesë të braktisur ndaj e kanë rrethuar për ta vënë në pranga pa bërë rezistencë.


Burimet zyrtare të policisë thanë se Isakut i kanë sekuestruar armën e krimit, një pistoletë, ndërkohë që bëhet e ditur se Skënder Cakoni ndodhej në Krastë prej disa muajsh duke punuar në një firmë që merret me ndërtimin e një hidrocentrali të vogël.


Ndërsa Allaman Isaku punonte në një firmë kromi po në Krastë të Martaneshit. Materialet procedurale i kaluan prokurorisë e cila po heton edhe shkaqet e kësaj vrasjeje, ndërsa Isaku është dërguar në dhomat e paraburgimit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›