Mjerimi i (disa) botimeve për fëmijë
Do të shkruaj për një temë të një ndjeshmërie të lartë, që prek të gjithë ata prindër, që si unë kanë fëmijë në moshë të njomë për të edukuar dhe formuar.
Me kthimin tonë në Shqipëri, lindi dëshira dhe u paraqit nevoja që përveç titujve në gjuhë të huaj, bibliotekën e vogël të vajzës ta zgjeronim edhe me libra në gjuhën shqipe. Pas blerjeve të para, vërejtëm se dëshirës dhe nevojës sonë, këta libra nuk i përgjigjeshin aspak, as në formë e as në përmbajtje. Edhe pasi vendosëm të mos blinim më të tillë, pak nga gjyshërit dhe pak nga miqtë, këta libra hynë gjithsesi në shtëpinë tonë.
Meqenëse ime bijë është në një moshë në të cilën nuk mundet akoma të lexojë, atëherë më është dashur tia lexoj unë. Të thuash tia lexoj, në fakt nuk është fjala e duhur, pasi në të vërtetë më është dashur ti përshtas duke u kujdesur të ndreq në kohë reale gabimet ortografike, por kjo nuk është më e keqja. Pika më e vështirë është kur ti duhet të rikonceptosh edhe një herë një faqe të tërë, aty në moment, në mënyrë që fëmija yt të mos mendojë se është duke u përballur më një film horror dhe përshkrime që nuk kanë të bëjnë fare me botën e saj dhe dashurinë e përkujdesjen me të cilën është rritur.
Sqaroj më mirë. Shumë nga këto botime në gjuhën shqipe - duke mos përjashtuar disa libra autorësh, në vitin e dytë apo të tretë të botimit - paraqiten si histori klasike të përshtatura apo të shqipëruara, por që me shqipen pak kanë të përbashkët, qoftë për gabimet ortografike pafund, qoftë për mangësinë në shenjat e pikësimit apo për teprinë në vendosjen e tyre.
Kështu zemëruar kthehet në zemruar; dëshpërim në dëshprim, kurse kënaqësia në kënaqsi; duke zemëruar, dëshpëruar të gjithë lexuesit dhe duke mos kënaqur askënd, as më të vegjlit, të cilët në këtë moshë nuk mund të ndalen tek këto detaje, por sigurisht mund të preken nga tematikat dhe ilustrimet.
Tematikat janë po aq të mjerueshme sa edhe mjerimi i gabimeve ortografike, në mos më shumë. Po përmend disa: plaka që djegin fëmijë për së gjalli apo anasjelltas, fshatarë që shtiren si princër për të fituar vajzën e mbretit dhe gjithë arin e mbretërisë; djalli që mbërthen fëmijë për dore dhe me një pamje të tmerrshme, nxjerr nga goja dhe sytë gjuhëza flakësh; njerëz që ndiqen nga fati i keq apo tersllëku (e thënë me gjuhën e këtyre librave) dhe nuk mund të çlirohen kurrsesi, veçse me ndihmën e një rubini magjik apo një shtojzovalleje të mirë. Në vazhdim: mbretëresha të xhindosura; njerka që hanë apo përzënë fëmijë nga shtëpia, duke i braktisur në pyll; maçokë dhe gjela që gërvishtin deri në gjakosje.
Kjo do të ishte një listë pa fund, ashtu sikurse pa fund është marrëzia, mungesa e profesionalitetit dhe përgjegjësisë që shoqëron disa nga botimet në shqip, të cilët duhej të ishin të destinuar të stërvitin mendje të pafajshme. Si mundet kështu të jetë, kur këta libra të pafajshëm nuk janë, ashtu sikurse nuk janë rastësore (edhe pse njëlloj të dënueshme) të gjitha gabimet që mbartin e përcjellin. Përkundrazi, këta libra janë të fajshëm, sidomos për mesazhet që përcjellin, për ideologjinë, për frymën jashtë çdo kohe.
Liza në botën e çudirave e kujtojmë të gjithë, kryevepër e letërsisë botërore, e animacionit dhe së fundmi e ripropozuar në kinema. Kjo mrekulli është përkthyer për fëmijët. Ky botim konsiston në katër-pesë faqe të varfra me nga katër-pesë rreshta secila. Dhe nëse këto që përmenda më sipër, llogariten lehtësisht, janë të pallogaritshme gabimet dhe mungesa e kohezionit që shoqëron këtë minitekst, duke e reduktuar në një tekst pa vlerë. Deformimi këtu qëndron në reduktimin e një perle (sidomos nga ana gjuhësore) në një përrallë çfarëdo me mbretër, ku gjithsecili mund të marrë çfarë të dojë dhe ku fjalori i rënduar zbukurohet nga fjalë të huaja sikurse zullum, bujrum, nishan dhe me pak dozë tersllëku.
Për të vazhduar më tej, një tjetër aspekt për tu përmendur është edhe ana estetike e disa prej botimeve. Letër e cilësisë së dobët, ilustrime të dobëta, faqosje e paorganizuar, ku fjalë të veçanta mblidhen në një të vetme si në rastin e mëposhtëm, kur pa e kuptuar kthehet në paekuptuar; një zë aq i ëmbël kthehet në një zëaq i ëmbël dhe gjetheve të dendura në gjethevetëdendura. Me pak ironi, kjo mund të mendohet si një taktikë për të stërvitur intuitën apo si një formë diktimi, si ato që na bënin në klasat e dyta dhe të treta, kur na testonin me fjalë të shkruara gabim dhe ne duhet të gjenin formën e saktë. Por, kështu në qoftë, këto janë taktika të tejkaluara ashtu sikurse të tejkaluara janë edhe shumë aspekte të tjera të këtyre botimeve. Ndër të tjera edhe morali që shoqëron disa nga fabulat. Në njërën prej tyre lexuesi ftohet të përqendrohet, jo në vlera sikurse është besimi tek të tjerët, por në një koncept të vjetruar të vigjilencës, që e ka burimin tek mosbesimi tek të tjerët, sipas logjikës komuniste të jetojmë si në rrethim. Apo, për të vazhduar më tej, mesazhe sikurse nuk tregon guna, por puna, për të cilin në parim nuk do të isha kundër. Por, a nuk do të ishte bukur sikur të mund të fillonim të flisnim për edukimin me estetiken. Në një përmbledhje me ese, La Saggezza del Vivere, Qurino Principe kur shkruan për figurën e edukuesit (në çdo nivel) shprehet: Të dukesh, në profesionin tënd, nuk është më pak e rëndësishme sesa të jesh Faj shumë i rëndë është të mos kujdesesh për pamjen tënde të jashtme dhe të mos korrigjosh fleksionin në të folur. Edukatori duhet të jetë aktor, poet, regjist i vetvetes. Detyrimi moral nuk përfshin vetëm anën e brendshme, por edhe pamjen e jashtme. Kjo detyrë, më e harruara dhe e dhunuara nga të gjitha, buron nga vendosja e mësimdhënies në kuadrin e estetikes Është detyrë kundrejt nxënësve, të lartësojmë funksionin didaktik Estetika vë në dukje edhe objektivat e vërtetë të etikës, sepse kush nuk sheh, kush është i verbër, nuk e arrin kurrë pikësynimin dhe nuk godet në shenjë.
Për sa kohë akoma do të na duhet tu drejtohemi teksteve të huaja? Tekste, të cilat mbartin e përcjellin qartë frymën bashkëkohore, ku kafshët nuk plagosin në gjakosje, por janë miqtë e njeriut dhe sidomos të fëmijëve; ku mbretërit nuk luftojnë për pushtet dhe para, por për të mirën e përgjithshme, ku princeshat nuk fitohen në gara apo duele, por i fitohet zemra me dashuri dhe vlera njerëzore. Këta libra, jo vetëm informojnë për botën dhe çdo dukuri që asaj i përket, por edhe janë të aftë të sensibilizojnë për tema të ndryshme, siç është çështja ekologjike.
Ndoshta këto tekste do të jenë akoma pika e referimit (mjerisht, jo për të gjithë) për aq kohë sa prespektiva e zymtë e fabulave të disa prej botimeve në shqip lë një shije të hidhur dhe gati të pashpresë për të ardhmen e edukimit të shoqërisë, për të mos e rënduar më tej, duke hipotezuar një lidhje direkte mes ndikimit të mesazheve vicioze të këtyre fabulave dhe pasojave afatgjata që këto mund të kenë në edukimin e personit si pjesë e shoqërisë.