Roli i programeve universitare përballë sfidave globale gjuhësore
Në këto vitet e fundit, globalizmi është bërë shpesh objekt diskutimesh të shumta kulturore, ekonomike, shoqërore, etnike dhe gjuhësore
Në këto vitet e fundit, globalizmi është bërë shpesh objekt diskutimesh të shumta kulturore, ekonomike, shoqërore, etnike dhe gjuhësore. Këto diskutime, natyrisht që i ka nxitur ballafaqimi i kulturës shqiptare me kultura të tjera perëndimore. Gjithsecili nga ne që zotëron një kulturë gjuhësore minimale ka arritur të kuptojë që ky ballafaqim shpesh e vë gjuhën shqipe përballë sfidash të mëdha. Është detyrë e çdo shqiptari e çdo intelektuali që të japë ndihmesën e vet me të vetmin qëllim: që sfida të përballohet sa më lehtë e shqipja të dalë nga kjo sfidë jo e copëzuar, e shprishur dhe e rrafshuar, aq sa ashtu si luftëtari që del nga beteja të mos ketë mundësi të gëzojë fitoren e vet. Të tërhequr nga gjithë ky proces, për të mos u dukur se po luftojmë me mullinjtë e erës, shpesh vërejmë dukuri e procese gjuhësore që bien ndesh me normën e njehsuar standard, pa u thelluar në shkaqet konkrete, të cilat dalëngadalë po ngrehin këtë ngrehinë gjuhësore që gjuhëtarët e albanologët kanë vite që përpiqen ta mbajnë të pacenueshme, të aftë për të përballuar sfidat e epokës globalizuese. Në kumtesën me titull Mbi disa çështje të traditës së shkrimit dhe të drejtshkrimit të shqipes mbajtur në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe prof. E. Çabej shkruan: Me industrializimin e jetës së vendit, gjuha, duke u modernizuar, bjerr vazhdimisht pjesë të elementeve të saj (......) Më rëndësi se çështja nëse një fjalë do të shkruhet me e apo me ë, me j apo me nj fundore, ka parimi që fjalia të jetë e ndërtuar sipas ndërtimit vetjak të shqipes, jo të njërës a tjetrës gjuhë të huaj... Për të arritur këtu natyrisht që nuk do të mjaftonte vetëm puna e gjuhëtarëve, por janë politikat arsimore e planifikimi arsimor që luajnë rol të rëndësishëm në këtë proces. Për të përballuar këtë globalizim nevojiten mësues e studiues seriozë me dije të qëndrueshme. Do të përpiqemi të trajtojmë në këtë shkrim rolin e programeve universitare, të cilët ndikojnë drejtpërdrejt në formimin e mësuesve, studiuesve, redaktorëve, korrektorëve letrarë, madje edhe shkrimtarëve, ndonëse këta kanë liri të zgjedhjes gjuhësore. Nëse do të thellohemi në programin e Departamentit të Gjuhës e Letërsisë Shqipe që ofron Universiteti smail Qemali Vlorë, do të vinim re se ky program është ofruar pa u studiuar me kujdes e madje do të thoshim që vihen re defekte serioze, të cilat ndikojnë në formimin e përgjithshëm të studentëve të diplomuar. Duke mos u diskutuar në departament e nga specialistë të gjuhës e letërsisë, natyrisht që ky program nuk mund të ofrojë cilësinë e nevojshme. Vendimi arbitrar i rektorit Tanush Shaska për heqjen e seminareve përkatëse në çdo lëndë shkakton mungesa në formimin e përgjithshëm, si gjuhësor, ashtu edhe letrar. Nëse njohësit dhe mësuesit e ardhshëm të gjuhës e letërsisë shqipe nuk do të punojnë me ushtrime e diskutime në grupe më të vogla, atëherë do të vihej në dyshim realizimi i plotë i objektivave lëndore, përvetësimi me sukses i shumicës dërrmuese të programit, gjë që do të vinte në dyshim edhe cilësinë e diplomës së ofruar nga Universiteti i Vlorës. Nëse të gjitha këtyre mungesave do ti shtonim edhe mungesën e një stafi akademik të përgatitur për të përballuar sfidat e sotme të shoqërisë (pohim ky i rektorit të universitetit), atëherë cilësia e diplomave të ofruara rrezikohet seriozisht. Në fakt, cilësia e kësaj diplome diskutohet duke pasur parasysh se punohet në grupe shumë të mëdha. Duke shkelur të gjitha normat e vendosura nga Ministria e Arsimit, perspektivat e qeverisë shqiptare për ngritjen e cilësisë së studentëve të diplomuar mes krijimit të raportit standard (1 pedagog / 40 studentë), ky universitet, i vetmi në Shqipëri punon ende me një raport që nuk i përmbush kriteret akademike, duke rrezikuar kështu seriozisht cilësinë. Nëse i hedhim një sy faqes zyrtare të universitetit, vërehet raporti 1 pedagog / 450 studentë (Arti i të shkruarit), 1 pedagog / 120 studentë (Gramatikë historike, Hyrje në historinë e gjuhës shqipe, Histori e drejtimeve letrare). Një faktor tjetër që rrezikon cilësinë është edhe vendimi i rektorit për heqjen e monopolizimit të lëndëve. Meqë jemi duke aplikuar ekonominë e tregut, me sa duket, edhe në sistemin arsimor (një iniciativë e rektorit) vendoset që një pedagog të zhvillojë 2, 3, madje ndonjëherë edhe 4 lëndë. Duke mos dyshuar në aftësitë akademike të stafit, në kundërshtim me rektorin Shaska, i cili shpesh e pohon këtë, çdo njeri me mend në kokë e kupton sfilitjen dhe torturën e këtyre pedagogëve, të cilët, veç ngarkesës, duhet të përballojnë edhe kapërcimet nga fushat përkatëse. Kjo bën që secili të heqë dorë nga fushat e specializimit përkatës e pedagogë të specializuar për letërsi, në emër nuk e di të cilit parim, të zhvillojnë lëndë shumë të rëndësishme gjuhësore. Pohojmë se duke mos u trajtuar problemet nga specialistë përkatës, studentët dalin të pakënaqur e pa përvetësuar as njohuritë më minimale në këto fusha. A munden vallë këta të përballen me sfidat e gjuhës dhe zhvillimet e sotme letrare, ku realisht kërkohen gjithnjë e më shumë specialistë e njerëz të aftë për të dhënë kontributin e tyre aq të nevojshëm e të domosdoshëm? Duke u dhënë përparësi diplomave perëndimore, rektori Tanush Shaska mendon se gjuha shqipe mund të mësohet më mirë në Perëndim. Nëse do ti hedhim një vështrim faqes zyrtare në rubrikën Vende pune, aty edhe aplikimi bëhet në gjuhën angleze. Kjo është një prirje e përgjithshme e të gjitha aplikimeve e nuk nxit konkurrencën e ndershme, pasi jo të gjithëve u është dhënë mundësia për të studiuar në Perëndim. Ky kriter nuk favorizon e nxit njohjen e thellë dhe serioze të gjuhës amtare. Favorizimi në sferën e punësimit të atyre me njohje të gjuhëve të huaja, po jo edhe të shqipes (shpesh në konkurset për punësim kushti kryesor që kërkohet të plotësohet, është njohja e anglishtes, ndërsa për shqipen nuk kërkohet plotësimi i asnjë lloj kushti, edhe në vendet e punës ku punohet, në rend të parë, me gjuhën shqipe, ndërsa dihet se cila është përgatitja gjuhësore e brezit tonë të ri). Natyrisht që rektori duhet të tërheqë kuadrot mësimdhënëse që kanë kontribute në fushat përkatëse shkencore e profesionale. Kjo do të rriste cilësinë e mësimdhënies e plotësimi I këtij kushti do të ndikonte drejtpërdrejt në cilësinë e studentëve të diplomuar. Mendojmë se cilësia nuk rritet duke shtuar semestrat (jashtë çdo ligji për arsimin e lartë) e duke aplikuar sistemin e kurseve me pagesë të sezonit të verës. Vetëm studentët e Universitetit të Vlorës detyrohen të blejnë kredite nga Universiteti Shtetëror Ismail Qemali Vlorë.