E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Populli i Kosovës solidarizohet me Turqinë

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar një telegram ngushëllimi homologut të tij turk Recep Tayyip Erdogan, me rastin e tërmetit që ndodhi të dielën në Turqi, si pasojë e të cilit kanë humbur jetën shumë njerëz.

“Në emër të Qeverisë së Kosovës dhe në emrin tim, ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta për ju, qeverinë tuaj, popullin turk dhe familjarët e viktimave të tërmetit. Qeveria dhe populli i Kosovës edhe në këto momente të rënda gjenden pranë jush, duke shprehur ndjenjat më të larta të solidaritetit dhe të mbështetjes”, thuhet në telegram.

Një tërmet i fuqisë prej 7.2 ballë të shkallës së Rihterit ka goditur pjesën lindore të Turqisë, si pasojë e të cilit kanë humbur jetën shumë njerëz, si dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Edhe shefi i diplomacisë së Kosovës, Enver Hoxhaj i ka dërguar një telegram ngushëllimi homologut të tij turk Ahmet Davutoglu, pas tërmetit që ka goditur Turqinë Lindore.

Ministri Hoxhaj ka shprehur solidaritetin e popullit të Kosovës me popullin e Turqisë, duke i ofruar ndihmën e Qeverisë së Kosovës për menaxhimin e kësaj katastrofe natyrore.

“Populli i Kosovës bashkëndjenë me dhembjen e familjeve të viktimave dhe të lënduarve nga kjo katastrofë natyrore. Ky tërmet ka tronditur edhe popullin e Kosovës, i cili i bashkohet lutjeve të popullit të Turqisë”, thuhet në telegram.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›