E Diel, 1 Nëntor 2026

Mminatorët: Pas të enjtes hyjmë në grevë urie

Minatoret e Bulqizes

BULQIZE- Edhe dje 66 minatorët e zonës D në rrethin e Bulqizës kanë protestuar për të gjashtën ditë, pasi firma koncesionare Albanian Chrom nuk i lejon ata të punojnë në galeritë ku punuan për tre muaj. ACR-ja ia kishte besuar disa galeri të kësaj zone mineralmbajtëse firmës turke Tur-Alb. Një javë më parë, administratori i ACR-së për Bulqizën urdhëroi rojet e sigurisë të pengonin hyrjen e minatorëve në minierat e zonës D, duke deklaruar se marrëveshja e tre muajve më parë kishte rënë, pasi firma turke nuk kishte zbatuar të gjitha pikat e marrëveshjes.

Minatorët kërkojnë rifillimin e punës, ndërsa në mbështetje të tyre tashmë kanë dalë edhe drejtuesit e konfederatës dhe familjarët e tyre. Minatorët e tubuar që në orët e para të mëngjesit në hyrjen e galerisë nr.39 u shprehën se, në qoftë se ACR-ja nuk mban premtimin për rikthimin e tyre në punë, ata do të protestojnë dhe do të hyjnë në grevë urie.

Drejtuesit e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë kanë kërkuar dje të kontaktojnë me përfaqësuesit e ACR-së në vendin tonë, duke tentuar kështu tu vijnë në ndihmë minatorëve që protestojnë për rikthimin e tyre në vendet e punës. Po ashtu, sipas minatorëve, Tur-Alb i ka kërkuar dje ACR-së të tërhiqet nga vendimi që ka marrë, sepse ka kryer disa investime të rëndësishme në zonën D, duke plotësuar shumicën e kushteve teknike në galeritë e kësaj zone. Minatorët pohuan se do të presin deri ditën e enjte një përgjigje zyrtare nga ACRja, ndryshe ata do të organizojnë një grevë urie pa afat. h.p

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›