E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moçalpolitika e Ramës po kënetëzon PS-në

Rama është zhytur në një moçal moral, politik dhe shoqëror që, përveçse tregojnë krizën e tij të thellë individuale, po fundosin, llangosin, përhumbin e kënetëzojnë një sërë vetish që forca politike e PS-së ka trashëguar, ruajtur deri dje, si vlera që përkojnë me vetitë etnopsikologjike shqiptare, humane dhe njerëzore. Bjerrja e çdo lloj vlere nën diktatin, drejtimin allasojsh dhe koktejin e neveritshëm politik alla-Rama, është dëshmi e mungesës së perspektivës, vizionit të turbullt dhe kulisave pa bosht të klanit që lidershipi opozitar ka instaluar në krye të forcës së tij politike. Rama ka hyrë në një udhëkryq që nuk mbjell për mbarë. Hutuar nga kauza pa kauzë e kutive që para syve të shqiptarëve u plasarit dhe u shkërmoq si një gastare e pistë, ai nuk po mundet të drejtpeshojë në logjikë dhe veprime që shpërfaqin për shqiptarët një mungesë të theksuar serioziteti njerëzor dhe politik. Në veprimtarinë praktike të Ramës dhe PS-së ka vetëm një qëllim dhe qëndrim: kundërshtimin, mohimin dhe hedhjen poshtë të të gjitha nismave qeveritare për t’u shërbyer qytetarëve, njerëzve në nevojë dhe lehtësimit të jetesës së tyre. Klani Rama, që çdo ditë po vjen duke u rrudhur, si kortezh korbash dhe vajtojcash, mbjellin zi dhe mort, shtegtojnë pas gjëmave, përmbytjeve, fatkeqësive. Për fat të keq, Rama po e ushqen forcën e tij politike me vuajtjet, humbjet, dhimbjet dhe tragjeditë e shqiptarëve, kur duhej të bënte të kundërtën, t’u kthehej në dorë ndihme, në fjalë të ëmbël, në balsam për shpirtrat e lënduar. Ai, veshur si dervishlerët e rremë, paktuar në zi e zezonë, me një fytyrë ku kishte stampuar gjoja dhimbjen dhe pikëllimin, fërkonte duart, në sy i përshkëndijonte një gëzim i egër, lutej të binte shi, ndillte vdekje dhe mbytje qytetarësh, vetëm e vetëm që të kishte një material për të sulmuar qeverinë “Berisha” nëpër media shtihane. Rama ishte dhe mbetet i vetmi politikan në Shqipëri që bën duanë e shiut dhe motit të keq, në kohën kur klerikët e Shkodrës dhe populli shqiptar i luten Zotit për të ndaluar reshjet. Për të gjithë shqiptarët e ndershëm nuk mund të përtypet dhe përcillet shija e keqe, madje dhe brenda PS-së janë shtuar dhe vazhdojnë të shumohen zërat kundër thirrjes së Ramës në protestën e Pogradecit, që më së shumti ishte një turp dhe dështim, një tallje me veten sesa fatkeqësinë e Shkodrës me rrethinat e saj. Për këtë veprim amoral të lidershipit të opozitës së bashkuar, ku emërues i përbashkët është lufta për karrige, shqiptarëve u erdhi në mendje e gojë një thënie e vjetër, “fshati digjet…”

 Rama, në zemërim e hutim, siç ka abortuar dhe kënetëzuar vetveten dhe PS-në, kërkon të abortojë e kënetëzojë Shqipërinë, por më kot matet me hijen e mëngjesit. Fytyra e tij e përvuajtur, filmuar dhe shoqëruar nga kameramanë dasmash, është dëshmi e dhimbjes së tij të shtirur. Nderi i tij, si politikan, qytetar dhe kryebashkiak i kryeqytetit, e kërkonte të ishte aty, ku e ftoi edhe zëvendëskryeministri i vendit, Ilir Meta, të bëhej pjesë e Shtabit të Emergjencave Civile në Shkodër, dhe jo ta vizitonte atë incognito, hajdutëshe, për të shtegtuar pastaj drejt Durrësit duke derdhur lot krokodili për përmbytjen alla Vangjush Dako. Ramës i janë errësuar keqas sytë, ai nuk mund ta shohë mbarësinë, mbrothësinë dhe mirësinë e shqiptarëve dhe qeverisë së tyre. Ai i është sulur kënetëzimit të moralit, politikës, ekonomisë, nderit të Shqipërisë, buxhetit të saj ambicioz. Rama mbetet prej vitesh një lëvizje pas zhvillimeve të vendit, hapi i tij është i lodhur për faktin se ka grumbulluar shumë vrer dhe zili, urrejtje dhe nihilizëm për politikat qeveritare. Kjo u duk qartë përpara disa ditësh, kur Kuvendi i Shqipërisë ishte mbledhur për të votuar buxhetin e vitit të ardhshëm, në të cilin janë parashikuar shumë investime për qarkun e Shkodrës, si edhe për qarqe të tjera, ku materializohen projekte konkrete për të përballuar situata të vështira natyrore. Duket gati e pabesueshme, por qe pikërisht ky Ramë, që urdhëronte deputetët e PS-së të ngriheshin e të iknin njëshkolonë si zboristët nga salla plenare dhe të mos votonin për këto fshatra të përmbytura, për këtë qark në vështirësi, për këtë bashki, që është në ankth nga ujërat e shumta që e rrethojnë. Prandaj, Rama erdhi dhe iku si hije nga Shkodra, ngaqë trembet të përballet me realitetin, njerëzit e mirë të Shkodrës që shprehen njëzëri pro politikave qeveritare.

 Rama me moçalpolitikën e tij deshi të kënetëzonte Festat e Nëntorit, që lanë pas një shije të hidhur. Cilido shqiptar në Shqipëri, por dhe jashtë saj, në emigracion apo diasporë, nuk mund të rrijë pa menduar, gjykuar dhe vlerësuar disa fenomene që nuk ndjellin për mbarë, sidomos kur vërehen në kryeqytetin e vendit, fenomene që anashkaluan, shmangën dhe lanë në hije disa simbole, të vërteta dhe tradita që kurrkush nuk duhet të guxojë t’i anatemojë, më keq akoma t’i arkivojë në kalendat e harresës. Qyteti i Tiranës u gdhi dhe u ngrys pa zbukurimet e festës, a thua se ishte dita kur zemërimi i lidershipit opozitar duhej të përhapej si njollë e zezë mbi njerëzit dhe hapësirat e saj të lira. Qytetari i thjeshtë, tironsi fjalëpakë, patrioti i ndershëm, teksa del rrugëve të Tiranës, ndihet i braktisur në gëzimin festiv kombëtar, tradhtuar në shërbesë dhe kujdes nga administrata bashkiake, votuar prej tij, që kishte, ka dhe do të ketë detyrën funksionale e kushtetuese për t’ia zbukuruar qytetin në kryeditën e shquar dhe të lartësuar prej historisë. Teksa kalon mundimshëm nëpër bulevarde e rrugë, labirintin modern të Minotaurit mitik alla-Rama, ngushtuar si plasa dhimbjeje, më keq akoma, bllokuar nga pirgjet e dheut, pengesat e shumta të betonit dhe vargu i pambarimtë i makinave, zinxhir robërues për lëvizjen e lirë, ideuar, projektuar dhe realizuar në mënyrë diletante, sipas modelit të qeverisjes allasojshe të kryebashkiakut, nuk ka si mos të pikëllohet dhe trishtohet. Dekor i varfër mungestar, shtiza bosh flamujsh, fantazma banderolash, urime të munguara për mirëseardhjen e festave. Qytetari i nderuar tiranas nuk pa dhe sheh kund një gjurmë feste, një girlandë, një poster, një lule, një flamur. Dikush, që nuk e duronte dot gëzimin e njerëzve, që për fat të keq ishte kryebashkiaku i tyre, e kishte abortuar festën kombëtare që në embrion. Gëzimi i festës duket pas saj, në gjurmët që lë, por punonjësit e shërbimit dhe mirëmbajtjes, ata që Rama i përdor rëndom si mitingashë e grevistë, nuk kanë ç’të fshijnë, pastrojnë dhe sistemojnë, se fondet për zbukurimin e qytetit munguan, shkuan në xhepa gllabërues, ishin kthyer në postera dhe banderola për grevën e urisë, në fletëpagesa dietash, ushqimesh, honorarësh, autobusësh dhe furgonësh për të mbledhur e transportuar protestuesit, në çadra, krevate portativë dha shalle pionierësh, kauza e të cilëve u tret si kripa në ujë, duke ndryshuar formë dhe përmbajtje sipas humorit të lidershipit opozitar.

 Zemërimi i zi gjatë ditës nuk mund të krijojë kurrë net të bardha. Rama nuk feston 28-n, si dhe diktatori Hoxha, që i trembej asaj si djalli temjanit, pasi në atë ditë kryetema, kryeengjëlli dhe lapidari ishte dhe është flamuri kuqezi, plaku mjekërbardhë i Vlorajve, Ismail beu. Lidershipi opozitar, duke nxirë 28 Nëntorin deshi të zbardhëllonte, kruante dhe llakonte zgjyrën e 29 Nëntorit, ditës që kishte vendosur e sanksionuar për përkujtimore, diktatori Hoxha, dhe la në zakonshmëri e harresë 28 Nëntorin, kryeditën e trojeve shqiptare për të cilën ishin derdhur në shekuj lumenj gjaku. Shihni sheshet e Kosovës, Prishtinën, Prizrenin dhe Gjakovën, pse jo Tetovën dhe Strugën, Ulqinin, kuqëlojnë e lulëzojnë si në pranverë nga flamujt kombëtarë. Vetëm Tirana jonë është e zymtë, dimërore, thua se kishte rënë në zi. Ç’të ishte kjo xhelozi dhe urrejtje, nga ç’shkretëtirë vinte ky gjemb i hidhur, përveçse nga hapësirat shterpë të ish-Bllokut, ishullit apo eldorados së humbur nga zhvillimet demokratike të ‘90-s, ku të kooptuarit e Ramës që gëlojnë me shumicë në PS dhe strukturat e saj drejtuese si kërpudhat e helmëta pas shiut, kërkojnë të rishfaqen si bashibozukët që deshën “babën” në kohën e Haxhi Qamilit. Nuk mundet kurrsesi ta zëvendësojë Ditën e Flamurit nata e bardhë alla-Rama. Përse u deheroizua Dita e Flamurit dhe u hiperpolizua nata e bardhë!? Dita e Flamurit kuqëloi kudo në diasporë, Evropë dhe Amerikë, Detroit e Bruksel, Romë e Vjenë, Berlin e Vankuver, Zyrih e Athinë, por për fat të keq hyri në bosh të zi në Tiranë, në kryeqendrën e kombit, ngaqë këtë ditë e ka zët e mëri kryebashkiaku i saj, lidershipi i opozitës. Të bojkotosh Flamurin në Tiranë! Çfarë do t’u thotë Rama shqiptarëve anembanë botës, përveçse duhet të bjerë në gjunjë para patriotizmit të tyre të ndezur dhe të kërkojë ndjesë sa nuk është vonë.

 Rama sipas sindromës së bojkotit, sëmundje e pashërueshme nga e cila vuan personalisht, që nuk bën çudi për një individ të vetëm fillikat, por që kur kthehet në sistem dhe veprimtari nga një forcë politike, madje më e madhja në opozitë apo në institucion, siç është Bashkia e Tiranës, që bojkoton qytetin e vet, detyrën ndaj qytetarëve, është njëlloj si të abortosh vetveten, që përbën dhe një akt të dënueshëm shoqëror, moral dhe ligjor. Në këtë klimë bojkotesh dhe protestash kërcënuese, është koha t’i kujtojmë liderit të zemëruar të opozitës, një thënie të artë të filozofit B. Xhonson: “Arrihet më shumë me anë të miqësisë e të përmbajtjes, sesa me anë të frikës. Dhuna mund të ketë efekt mbi natyrën servile, por jo mbi shpirtrat e pavarur”. Shqiptarët kanë qenë, janë dhe do të mbeten shpirtra të pavarur që nuk tutëlohen nga askush, qoftë ky lidershipi i opozitës dhe grupimit Opozita e Bashkuar, që nuk mund të bëhen kurrë stan, se stan me lepuj nuk bëhet. Morali tradicional shqiptar ka fjalën si kolonë mirëkuptimi, jo frikën dhe presionin e paarsyeshëm. Në grupimin opozitar, Rama është rrethuar nga disa njerëz që jetojnë pa ndonjë qëllim, përveç qëllimit të mbushjes së xhepave dhe kërkimit të karrigeve të humbura. Kështu që, ata nuk ecin, por shkojnë nga të fryjë era, kthehen në këshillues të këqij dhe puthadorë të mbrapshtë.

 Çuditë dhe të pabërat e lidershipit opozitar për të përhapur ngado moçalpolitikën e tij nuk kanë të sosur. Ai ka shpërndarë dhe vazhdon të shpërndajë nëpër kancelaritë euroatlantike, emisarët e së keqes, kasnecët e zinj, eminencat gri, për të kënetëzuar edhe hapësirat e pastra, të kthjellëta dhe të mrekullueshme që hapen para Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo nëpër botë. Ky kortezh korbash që dalin nga guvat e Ramës, nisen udhëkryqeve të Evropës për të nxirë dhe sterrosur faqen e bardhë të vendit të vet. Këta levendë të kooptuar në strukturat udhëheqëse të PS-së u janë sulur kancelarive të Evropës me temp kryengritjesh revolucionare, po ashtu edhe shoqatave të emigrantëve shqiptarë, me qëllimin e vetëm për të dëmtuar imazhin e Shqipërisë, për të përçarë, anatemuar dhe shkatërruar. Kështu që, ata nuk mund të shkojnë në dritën e diellit si dhëndurë të bardhë me flamurin kombëtar në duar, por incognito, nën rrogoz, përçues të dacibaove të Ramës, sipas moralit “hidh gurin, fshih dorën”, udhëtojnë netëve të mjegulluara, hedhin gur e kepa në livadhet e Shqipërisë, vetëm e vetëm që ajo të mbetet jashtë tryezës evropiane, që lidershipi i tyre të dalë para protestuesve dhe akuzoi qeverinë “Berisha” se nuk fitoi statusin e kandidatit, në kohën që asnjë fjalë gëzimi nuk artikuluan për liberalizimin e vizave. Këta vajtimorë ndjellakeqë nuk gëzojnë asnjë veti nga etnopsikologjia jonë kombëtare. Ato kanë mbetur zgjatime të “njeriut të ri”, litari që la jashtë diktatura, që kanë gjetur strehë e vegjetojnë në trungun zgërbonjë të ideve inatçore të Ramës. Ato vetëm mbarësi nuk i sjellin çështjes shqiptare. Këta 99-sha s’e kanë për gjë të djegin jorganin kombëtar për të zier vezën e tyre. Si të rinj që janë, e meritojnë një këshillë: “Një fëmijë ose i ri që ecën shtrembër në rrugën e vet, është shumë më i mirë se disa të tjerë që ecin drejt në rrugën e huaj”. Ata kanë zgjedhur për të ecur në rrugën e thepisur alla-Rama, për fatin e tyre të keq, është rruga e gabuar, zhytur në llucë e gjanë, se çështja shqiptare nuk mund të pengohet më nga askush. Flamuri i madh, kuqezi, në sheshin “Skënderbej” është shumë më i madh, i lartë dhe sfidues sesa një natë e bardhë dhe e pluhurosur. Asnjëherë nata nuk mund të fitojë mbi ditën, për më tepër Ditën e Flamurit. Se moçalpolitika e tij nuk mundet kurrsesi të kënetëzojë Shqipërinë, ardhmërinë dhe prosperitetin e saj.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›