E Shtunë, 31 Tetor 2026

Le të përmbysim prioritetet

Më së fundi, 5 muaj përpara zgjedhjeve lokale, PS-ja hedh ofertën zgjedhore, në të cilën, sipas saj, reflektohet qartësisht objekti i hetimit mbi votimet e 28 qershorit 2009, përbërja dhe kohëzgjatja e komisionit hetimor, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin në fuqi. Pas deklaratës së zonjës Doris Pack: “Kur kompromisin e pengon ligji, atëherë të ndryshohet ligji, sepse ai nuk ka rënë nga qielli, por e kanë hartuar pikërisht deputetët”, vijnë qëndrimet e fundit socialiste, të konsideruara pro-kompromis. A është e sinqertë lëvizja dhe oferta e tyre e fundit? Hapja e materialeve dhe hetimi parlamentar do t’u bënin vërtet autopsinë zgjedhjeve të kaluara, që të mos vdisnim nga e njëjta sëmundje, siç pretendon truri i majtë? A ka kohë për rregullime të kodit dhe procesit zgjedhor, kur hetimi parlamentar mbaron pas katër muajve, pra në prill? Përse PS-ja sjell një ofertë në limitet e fundit kohore, kur nuk mbetet më mundësi për asnjë ndryshim? Periudha në të cilën PS-ja po bën më së fundi ofertën aq të dëshiruar dhe të quajtur ligjore, të lë të mendosh se ajo po e përdor transparencën e zgjedhjeve të kaluara si mjet politik. Kanë kaluar 5 muaj nga rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë dhe veçanërisht prej rezolutës së datës 8 korrik 2010 të Parlamentit Evropian, që përmendet pikërisht në ofertën e PS-së: “Ky komision hetimi duhet të paraqesë konkluzionet e tij, në një kohë që të lejojë Parlamentin, të adoptojë një legjislacion të ri, shumë kohë përpara zgjedhjeve të ardhshme lokale dhe rajonale, bazuar në konkluzionet e komisionit dhe propozimet e bëra nga OSBE/ODIHR-i”. Në kërkesën e PS-së shkruhet se afati maksimal i përmbushjes së detyrave të këtij komisioni është 4 muaj. Pasi komisioni hetimor të ketë mbaruar hetimin e tij, pra në prill, nuk do të ketë kohë, as për të bërë vërejtje, as për rekomandime, as për ndryshime të reformës zgjedhore dhe as për ndryshime ligjesh, pasi kemi arritur ndërkohë në zgjedhjet lokale. Atëherë, përse vlen autopsia e kufomës?

Ulëritën me muaj personazhet politike për arritjen më të madhe mes palësh, për mundësinë e dy komisionerëve, që në çdo moment të kenë mundësi të rinumërojnë votat. Nuk u trajtua kurrë ky argument, në rang ekspertësh dhe juristësh, duke u lënë shteg keqinterpretimeve. Vihen njerëz të mirëzgjedhur, të bëjnë disa argumentime politike, pa u thelluar kurrë në argumente teknike dhe ligjore. Hutojnë mendjet e njerëzve, pa u lënë asnjëherë mundësi të krijojnë një mendim personal, nëse janë përpara një realiteti apo falsiteti.

Kodi Zgjedhor u konsiderua një garanci e opozitës për transparencën e procesit. Por, me këtë garanci u abuzua, duke përmendur pikën 3 të nenit 136, për t’u kontrolluar çdo kuti e dyshimtë në KQZ, me kërkesë të dy prej shtatë anëtarëve të tij. Edhe në Kolegjin Zgjedhor, Partia Socialiste argumentoi se KQZ-ja ka shkelur kodin, pasi kishte refuzuar kërkesën për rinumërim nga dy anëtarë të tij. Në shtyp u interpretua si një detyrim i KQZ-së të bëjë rinumërimin ose rivlerësimin e votave të kërkuara, nga dy anëtarë të tij. Ky është interpretimi më i keq që mund t’i bëhet Kodit Zgjedhor. Po ta shohësh kodin me vëmendje dhe profesionalizëm, kemi të bëjmë me kërkesën e dy anëtarëve, vetëm për vota, të kontestuara më parë. Për votat e kontestuara ky kod i ka dhënë hapësirë pjesës së 10 të saj, ku janë të përfshira disa nene. Së pari, ankimet për votat e kontestuara kanë një afat kohor (neni 124), ku përcaktohet afati 3 ditor nga data e shpalljes së vendimit. Së dyti, ankimimi ka një formë dhe përmbajtje të saktë, (neni 126), ku përcaktohen elementet e domosdoshëm, si përshkrimi i shkeljes, përshkrimi i fakteve etj. Në nenin 135, përcaktohet shqyrtim i ankimimit nga administrata e KQZ-së, me provat dhe faktet. Neni 136 vjen si rrjedhim i këtyre neneve, ku shprehet se KQZ-ja mund të vendosë për marrjen e provave te tjera për të njëjtin ankimim. Por, në qoftë se e kërkojnë dy anëtarë marrjen e provave të reja, detyrimisht vendoset për marrjen e tyre, për çështjen e ankimuar. Pika 3 e nenit 136, ku përmenden dy anëtarët, është në vazhdimësi të neneve të mëparshme.

Interpretimi, që këta dy anëtarë kanë forcë absolute dhe mund të hapin kutitë në çdo kohë dhe për çdo kuti të dyshuar, nuk është i vërtetë, është manipulim mediatik e politik. Nuk është i përcaktuar kështu, të paktën jo në këtë kod. Këtu është edhe thembra e Akilit. PS-ja nuk ka asnjë provë, në kohën dhe formën juridike, të përcaktuar në këtë kod, të hartuar së bashku me PD-në. Prandaj nuk i vlen forca e dy anëtarëve, prandaj nuk fitojnë dot asnjë çështje në çfarëdo gjykate. Nëse duan që vërtet t’i japin vendimmarrje absolute këtyre dy anëtarëve, të ulen dhe të bëjnë të gjitha ndryshimet e duhura të elementeve teknike. Por, me sa duket, edhe kaq qartë nuk e dëshirojnë, pasi në një rast tjetër, kur kampet fituese të konfigurohen në favor të humbësve, kjo do t’i jepte kundërshtarit të njëjtën armë lufte, me sa duket, të padëshiruar. Përse nuk ulet sot Partia Socialiste të diskutojë pikërisht për këto elemente teknike apo mangësi që mund të vihen re në këtë kod? Përse mbetet diskutimi vetëm në rang politik?

Sipas ofertës së PS-së, komisionit hetimor do t’i duhej të hetonte zbatimin e legjislacionit në fuqi. Në qoftë se do të ishin kaq shumë të interesuar të zbatohej siç duhet ligji, fletët e votimit duhet të ishin djegur me kohë, çka është e pasqyruar në nenin 178 të kodit. Po, është e vërtetë, ligji nuk po zbatohet siç duhet, në rastin e fletëve të votimit. Në një shtet demokratik dhe të së drejtës, ligjet janë të barabarta për të gjithë. Me konsensus nga palët, është rënë dakord që fletët e votimit, në mënyrë të menjëhershme të digjen dhe për këtë është vënë një afat, i cili nuk është zbatuar. Me konsensus dypalësh, është vënë ky nen në kodin zgjedhor, në mënyrë që, askush të mos krijojë kaos, nëpërmjet fletëve të votimit, duke abuzuar politikisht. Përse Rama më pas ndërron mendje dhe kërkon për muaj me radhë pikërisht fletët e votimit, duke e futur vendin në pozitën më kaotike politike, të tipit ‘97? Ende opozita përqesh Parlamentin, duke bërë lojëra foshnjarake, të tipit “kukafshehti” apo të tipit të zhonglerëve e iluzionistëve, që zhdukin njerëz sa hap e mbyll sytë, duke nxjerrë pretekst autopsinë e kufomës. Tani shohim deputetët socialistë në sallë, sa hap e mbyll sytë, ata janë zhdukur nga karriget. “Dirigjues-iluzionisti” në rastin konkret, kreu socialist, i komandon deputetët me pult. A është komod pozicioni i vëzhgimit të çështjeve nga larg për kreun socialist? Qëndrimi në distancë i problemeve mund të sjellë kaos. Ta vëzhgosh problemin nga lart apo nga larg (në këtë rast nuk tingëllon shumë ndryshe) në disa raste mund të përkthehet si superioritet, në disa raste si paaftësi, në disa të tjera si shenja kompleksi të komunikimit të drejtpërdrejtë dhe sy për sy (fakti është që kreu socialist nuk deshi apo nuk i voliti, të jetë i gjithëpërfshirë në atë vend ligjor dialogimi). Ky koncept i ri, i paeksploruar ndonjëherë, kur një lider dirigjon në distancë, mund të shndërrohet dhe të rezultojë një eksperiment kavjesh, por i pasuksesshëm.

Në pikën e dytë të ofertës së kampit socialist për komisionin hetimor, ngrihet problemi për identifikimin e shtetasve në momentin e votimit apo pasqyrimi i të dhënave përkatëse të dokumentit të identifikimit, në rubrikën përkatëse. Partia Socialiste është e paqartë në objektin e hetimit të komisionit dhe në deklaratat për mosimplementim të rregullt të këtij kodi. Implementimi i këtij kodi ka lidhje me besimin brenda radhëve të kësaj partie, pasi ky kod u hartua mbi një sistem kontrolli dy palësh, pikërisht për ta shmangur këtë keqimplementim. Njëkohësisht, kodi u hartua mbi një barazi të plotë nëpër qendrat e votimit, në grupet e numërimit, tek vëzhguesit, etj. Në qoftë se, ka krizë besimi brenda radhëve të PS-së, ta zgjidhin si krizë besimi brenda kësaj partie, jo ta gjenerojnë si krizë politike të vendit, pasi manifestohet mungesë përgjegjshmërie dhe maturimi politik. Të gjithë shqiptarët nuk mund të përfshihen në problemet psiko-sentimentale të Partisë Socialiste. Dhe këtu nuk hyn më Kodi Zgjedhor, pasi ai e ka kryer funksionin e tij. Ai komisioner që vuri re shkeljen, si në rastin e Ruzhdies, e denoncoi menjëherë parregullsinë dhe gjithçka më pas eci në rrjedhën juridike, logjike. Në të gjithë atë mori komisionerësh vetëm komisionerët e Ruzhdies rezultuan të ndershëm, të tjerët tradhtuan kauzën? Në qoftë se sistemi u denoncua vetëm në një rast, siç është rasti i Ruzhdies, kjo tregon që sistemi funksionoi. Ky rast rezultoi përjashtim i një rregulli, ku përjashtimi përforcon këtë rregull. Këto paranoja, për tradhti edhe nga njerëzit më të afërt, zakonisht u ndodhin diktatorëve dhe kjo sindromë nis mbas një periudhe të gjatë pushteti. Në këtë periudhë të qeverisjes, ata (diktatorët) nuk u besojnë as njerëzve më të ngushtë të tyre. Si mundet, koka e udhëheqjes majtiste shqiptare, t’u paraprijë paranojave, ende pa u ngjizur, identifikuar apo faktuar problemi?

 Komisionerët kanë pasur të gjitha hapësirat ligjore dhe kohën ligjore për kontestimet e tyre. Në qoftë se ata nuk i kanë bërë këto kontestime dhe do t’i deklaronin sot, ata sigurisht që do të akuzoheshin për mosrespektim të ligjit në afatet e caktuara. Prandaj, sot ai kapitull konsiderohet i mbyllur. Fakti që Partia Socialiste nuk jep as sinjalin më të vogël për t’u ulur në tryezë, për çfarëdo ndryshimi, qoftë edhe real, tregon që për këtë parti i gjithë procesi i kontestimit është politik dhe nuk ka kurrfarë lidhjeje, as me kodin, as me zbatimin e saj. Ai është thjesht një mjet për të arritur qëllimin e pushtetit. I gjithë komuniteti ndërkombëtar sugjeron për një bashkëbisedim ndërpalësh, ekspertësh për ndryshime të Kodit Zgjedhor dhe të elementeve teknikë. Kjo ofertë, deri më tash, nuk është mirëpritur nga ana e opozitës.

Oferta e PS-së paraqet si objekt hetimi edhe vëzhgimin e veprimtarisë së administrimit të KQZ-së, lidhur me prokurimin, funksionimin, përdorimin dhe efektivitetin e teknologjisë mbështetëse të monitorimit, në vendet e numërimit të votave. Hetimi në këtë pikë nuk do të reflektonte situatën reale, pasi nga të gjitha vendet e votimit, vetëm në 6 zona rezultuan e defekte teknologjike. Vetë emërtimi “teknologji mbështetëse” e një sistemi manual numërimi, tregon se çfarëdo lloj defekti, nuk prodhon efekte juridike, siç mund të ndodhte në një sistem votimi elektronik, ku dëmtimet do të prodhonin efekte direkte, në numërimin e votave. Kjo teknologji është vënë në funksion të transparencës ndaj vëzhguesve, për këtë arsye nuk sjell pasoja juridike dhe që të mund të vërtetojë korrupsionin e përfytyruar.

Ia kemi dedikuar 90% të kohës diskutimeve sipërfaqësore dhe 10% problemeve reale. Le t’i përmbysim prioritetet. Italiani Bagget Bozzo shprehet se e majta e konsideron vetveten si forca e vetme politike progresiste, racionale dhe rrjedhimisht legjitime. Forcat e tjera janë të dënuara në një faliment të sigurt dhe mbështeten në mënyrë transitore vetëm nga ata që nuk e kuptojnë ecurinë e historisë. Të gjitha gabimet, sipas tij, i kanë ardhur nga ky mëkat mendjemadhësie. Dhe, në fakt, kjo është një krizë që ka kapluar të majtën, në të gjithë Evropën, pasi mbahen në kritika sipërfaqësore, të cilat sigurisht nuk mund të merren në konsideratë. Edhe të majtët shqiptarë nuk po tregojnë aftësi të paraqiten përpara publikut me alternativa të qarta, konkrete, efikase. Sipërfaqësore po rezultojnë kritikat dhe ofertat e fundit socialiste. Ata nuk po kërkojnë të ulen në tryezë për ndryshime të elementeve teknike. Dhe po të shohësh të gjitha pretendimet e të majtëve shqiptarë për hapjen e kutive (dje) dhe hapjen e materialeve zgjedhore (sot), sheh se ato vërtiten rreth një absurdi, të pabazuar në asnjë fakt (ka zëra edhe nga brenda selisë rozë, se nuk ka asnjë dëshmi parregullsie). Oferta e fundit për hetimin parlamentar po rezulton false, pasi nuk ka mbetur hapësirë kohore për ndryshime reale të Kodit Zgjedhor.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›