E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mobilizimi Strategjik

Kryeministri Hashim Thaçi ka vazhduar ta proklamojë Strategjinë për Veriun, edhe të shtunën, gjatë një mbledhjeje të Qeverisë së Kosovës.

I pari i Ekzekutivit ka porositur ministrat e tij që të përgatiten për të marrë detyra konkrete në kuadër të Strategjisë së Qeverisë dhe ICO’së për shtrirjen e autoritetit të Prishtinës në gjithë territorin e Kosovës.

“Ju ftoj të gjithëve që të jeni në kryerje të përgjegjësive që keni në një angazhim edhe shtesë - t’i merrni përgjegjësitë me grupet punuese që do të formohen në ditët e ardhshme për implementimin e Strategjisë së Veriut”, deklaroi Thaçi, para ministrave.

Nuk është në praktikën e Qeverisë së Kosovës që të mblidhet të shtunave. Mirëpo mbledhja e fundit - më shumë sesa një thirrje për mobilim të ministrave - duket të jetë kundërpërgjigje e Prishtinës për deklaratat e presidentit të Serbisë, Boris Tadic. Një ditë më parë, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Tadic tha se Beogradi është i vendosur për të penguar operacionin që ka për qëllim zhbërjen e strukturave paralele serbe në Veri të Kosovës dhe shtrirjen e ligjshmërisë në atë pjesë të shtetit të ri.

Por, kryeministri Thaçi tha se askush nuk mund ta pengojë zbatimin e këtij plani. “Do të krijohet një fond i veçantë nga Qeveria e Kosovës. Një fond ky i cili do t’i mbulojë të gjitha angazhimet në implementimin sa më të suksesshëm dhe sa më të shpejtë të strategjisë integruese dhe zhvillimore të Qeverisë dhe ndërkombëtarëve për Veriun e Mitrovicës”, tha shefi i Qeverisë.

Ai shtoi se Strategjia për Veriun do të zbatohet konform ligjit. “Edhe strategjia e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe e autoriteteve dhe mekanizmave ndërkombëtarë, është jashtëzakonisht e përgjegjshme, e matur dhe do të jetë shumë efikase, në veçanti me sundimin e rendit dhe ligjit, si dhe legjitimimin e tri komunave të reja përmes procesit elektoral”, tha Thaçi.

“Gjithashtu, edhe krijimin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, përmes një procesi demokratik, në përputhshmëri të plotë me Dokumentin e Presidentit Ahtisaari. Por edhe angazhimet tona shtesë për zhvillimin socio-ekonomik edhe në Veri të Mitrovicës”, shtoi ai.

Në këtë mbledhje të Qeverisë, Kryeministri ka folur edhe për mbledhjen e së premtes së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku u prezantua raporti tremujor i Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki-Moon për Kosovën.

“Mbledhja e mbrëmshme e Këshillit të Sigurimit e Organizatës së Kombeve të Bashkuara ishte jashtëzakonisht e suksesshme për Republikën e Kosovës”, tha ai.

“Paraqitja e ministrit të Jashtëm, zotit Hyseni, ishte jashtëzakonisht dinjitoze shumë argumentuese dhe vlerësim i progresit të arritur në Republikën e Kosovës; progres ky i arritur si shtet i pavarur sovran dhe demokratik, vend demokratik dhe shumetnik me fqinjësi të mirë, me stabilitet rajonal dhe perspektivë euro-atlantike”, shtoi Thaçi.

Plani i Qeverisë dhe ICO’së për shtrirjen e autoritetit të Prishtinës në gjithë territorin e vendit, duket të jetë përpjekja e parë serioze për zhbërjen e strukturave paralele serbe. Plani parasheh hapa konkret që duhet ndërmarrë në këtë drejtim si dhe mekanizmat që do të përdoren me këtë rast. Megjithëkëtë, partitë opozitare kanë thënë se kjo strategji vështirë se do të mund të zbatohet, derisa kanë akuzuar Qeverinë e Kosovës që po e përdorë Strategjinë për Veriun thjeshtë për marketing politik.

Strategjia s’është përfunduar
Ndryshe nga kryeministri Hashim Thaçi, i cili thotë se Strategjia për Veriun është hartuar dhe tashmë pritet zbatimi i saj, zëdhënësi i ICO’së, Kai Miller-Bernar, ka thënë se ky dokument nuk është finalizuar ende. “Është e vërtetë se ICO dhe Qeveria e Kosovës, në konsultim edhe me aktorë të tjerë (në Kosovë), kanë nisur me hartimin e një sërë iniciativash për përmirësimin e shërbimeve publike dhe kushteve për jetesë në veriun e Kosovës”, ka thënë Miller-Bernar, për agjencinë serbe të lajmeve,“Beta”.
Ai nuk ka dashur të komentojë më shumë përmbajtjen e dokumentit, duke thënë se “bëhet fjalë për një dokument që është në hartim e sipër, dhe që deri më sot nuk është bërë publik”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›