E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapen për autostradë

Autostrada Morin -Merdar është bërë sherr mes pushtetit dhe opozitës. Kuvendarët e Kosovës nga krahu opozitar kanë akuzuar Qeverinë për jotransparencë dhe kërkuan që drita jeshile për çdo vendim rreth këtij projekti të jepet në Kuvendin e Kosovës. Pika më e nxehtë, që ka nxitur reagimet e opozitës, ka qenë pikërisht devijimi i trasesë nga drejtimi Prizren-Suharekë-Shtime-Prishtinë, siç është paraparë më herët, në drejtim të Arllatit.

Ky model se kah do t’i bjerë autostrada është miratuar më herët në Kuvendin e Kosovës dhe ka pasur edhe pëlqimin e ekspertëve. Megjithatë, siç thonë qeveritarët, ndryshimet kanë ndodhur për shkaqe ekonomike dhe financiare.

Kundër këtij vendimi, e fundit që ka ngritur zërin është Aleanca Kosova e Re. Në një konferencë për media, anëtarja e Kryesisë së AKR-së, Myzejene Selmani, ka thënë se nuk e di se a ka njohuri Qeveria se Kosova është në mesin e Evropës dhe duke marrë parasysh ndërtimin e autostradave në rajon, a e ka marrë çmimin e tregut apo çmimin për interesa personale.

“Qeveria po mendon t’i kursejë 400 deri 500 milionë euro. A e di Qeveria sa ka kushtuar një kilometër autostradë në Gjermani, Shqipëri apo Maqedoni”, ka thënë Selmani. Sipas saj, në Shqipëri një kilometër autostradë ka kushtuar 6.5 milionë euro, duke marrë parasysh se konfiguracioni i Shqipërisë është malor. Në Maqedoni ka qenë një kilometër, 6 milionë euro, ndërsa 2.5 deri 3 milionë euro në Gjermani.

Ajo ka paralajmëruar se AKR-ja do të kërkojë nga ministri Fatmir Limaj që gjatë një seance në Kuvend, para deputetëve ta bëjë këtë projekt më transparent. Gjithashtu AKR-ja kërkon që këto ndryshime të miratohen në Kuvendin e Kosovës.

Akuza të ashpra para dy ditësh kanë lëshuar edhe dy parti të tjera opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë. Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Avni Arifi, ka deklaruar se autostrada është orientuar kah arat e ministrit Fatmir Limaj.

“Ky projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm zhvillimor, i kalon përmasat e vendimeve të rëndomta të një qeverie, andaj ka qenë me rëndësi të posaçme transparenca dhe debati publik në lidhje me të”, tha Arifi.

Pas AAK-së, akuza ka lëshuar edhe Lidhja Demokratike e Dardanisë. Nënkryetari i kësaj partie, Adem Salihaj, akuzoi ministrin e Transportit dhe drejtues të tjerë të institucioneve të Kosovës për devijimin e trasesë së autostradës Vërmicë-Merdar, për interesa të ngushta personale. Megjithatë, për zëvendësministrin e Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomunikacionit, Adem Grabovci, këto akuza janë aq banale, sa nuk ia vlen të merret me to. “Ne nuk kemi opozitë të mirëfilltë që do t’iu gëzohej veprave të mira”, ka thënë Grabovci, për Express. Ai ka shtuar se nuk ka nevojë të kalohet traseja për miratim në Kuvend, pasi kjo është bërë më herët. Ndërkaq, arsyet për këto ndryshime, sipas Grabovcit, janë financiare dhe ekonomike.

“Këta dy faktorë janë shumë të rëndësishëm sepse është më lirë dhe përfshin një territor më të gjerë të vendit”, është përgjigjur Grabovci. Me këtë ndryshim, shton ai, çdo komune nuk i bie më shumë se 30 apo 40 kilometra ta këtë larg autostradën. Ai u përgjigjet opozitarëve duke ua kujtuar se të njëjtit kanë qenë në pushtet dhe nuk e kanë kryer këtë projekt.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›