E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Punë pa ndërprerje në terren për pastrimin e kanaleve kulluese në Shkodër

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Në gjithë territorin e bashkisë Shkodër po vijon puna në terren për parandalimin e përmbytjeve.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga ndërhyrjet që po bëhen në zonën e Nënshkodrës për pastrimin e kanaleve kulluese.

“Në gatishmëri përballë reshjeve intensive. Vijon puna në terren pa ndërprerje, ku strukturat e Bashkisë Shkodër janë në gatishmëri maksimale, duke hapur dhe pastruar kanalet për të garantuar funksionimin e sistemit të kullimit dhe për të parandaluar çdo problematikë të mundshme”, u shpreh Rama.

Të gjitha njësitë administrative të bashkisë Shkodër raportojnë se niveli i ujit në kanalet kryesore dhe anësore është minimal, ndërsa rrjetet e kullimit po funksionojnë normalisht.

Gjithashtu investimet dhe pastrimet e kryera në kanale, si dhe monitorimi i vazhdueshëm i terrenit, kanë ndikuar që reshjet e dendura të mos shkaktojnë probleme për banorët.

Strukturat e emergjencave dhe ekipet e terrenit të bashkisë mbeten në gatishmëri të plotë dhe vijojnë monitorimin e situatës përgjatë gjithë ditës, për të reaguar menjëherë nëse paraqitet ndonjë shqetësim i mundshëm nga reshjet e ardhshme.

/m.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›