Rama merr pjesë në Forumin e Zgjerimit të BE-së në Bruksel

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Komisioni Evropian do të organizojë sot Forumin e Zgjerimit të Bashkimit Europian, ngjarjen e parë të këtij lloji, kushtuar prioritetit të tij për periudhën 2024–2029.
Kryeministri Edi Rama i cili ndodhet në Bruksel në vijim të agjendës për çeljen e grup-kapitullit të fundit të negociatave, do të jetë pasditen e sotme pjesë e panelit.
Forumi i Zgjerimit të BE-së është nisma kryesore e Komisionit Evropian që synon ta ngrejë më lart diskutimin mbi zgjerimin e BE-së si një projekt të përbashkët politik, shoqëror, brezash.
Forumi është një mekanizëm i rëndësishëm me fokus te reformat për sundimin e ligjit, mundësi më të shumta për arsimin e të rinjve, si edhe në stabilitetin dhe mirëqenien e gjithë shoqërisë shqiptare.
Forumi i Zgjerimit të BE-së ka për qëllim të diskutojë progresin, sfidat dhe prioritetet e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian, rrugën që ndjekin vendet kandidate për t’u anëtarësuar.
Në këtë forum prezantohen zhvillimet më të fundit, analizohen reformat e kërkuara dhe përcaktohen pritshmëritë për fazat e ardhshme të procesit.
Nën moton “Plotësimi i Unionit, Sigurimi i së Ardhmes Sonë” forumi do të jetë pika e takimit për të gjithë profesionistët që punojnë mbi një nga prioritetet kryesore të mandatit 2024–2029 të Komisionit Europian, të cilët janë të angazhuar në mënyrë aktive në agjendën më ambicioze të zgjerimit të më shumë se një dekade.
Ky forum, u jep mundësinë drejtuesve politikë të vendeve kandidate, të mblidhen së bashku me drejtues të vendeve anëtare të BE-së, përfaqësues të institucioneve europiane, ekspertë të integrimit, etj.
/m.m/j.p/