E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mocioni i mosbesimit, Berisha në dorë të Topit

Mbështetësit e Presidentit Bamir Topi brenda Partisë Demokratike janë të vetmit që mund të garantonin një rokadë kryeministrash para zgjedhjeve të vitit 2009.

Kombinacionet numerike të opozitës nuk mjaftojnë për ta përmbyllur me sukses këtë “operacion”, ndaj futja në lojë e krahut anti-Berisha brenda selisë blu do të ishte çelësi i zgjidhjes.

Edhe pse në disa momente është deklaruar hapur ideja e mocionit, përfaqësuesit e këtij grupi brenda PD-së kanë mbetur në heshtje.

Numrat

Partia Demokratike aktualisht ka në grupin e saj parlamentar një numër prej 54 deputetësh. Brenda kësaj shifre përfshihen edhe disa prej atyre që në të shkuarën janë shfaqur si mbështetës të Presidentit aktual.

Ndonëse ata mendohet të jenë rrudhur në numër që prej ndryshimeve të fundit kushtetuese, mund të jenë të mjaftueshëm për të realizuar me sukses mocionin.

Konflikti i fundit mes institucioneve dhe sulmi mbi kryeprokuroren Ina Rama mund të përbëjë klimën e duhur për ta riaktivizuar këtë grup.

Aleati kryesor i demokratëve, Partia Republikane, ka në grupin e saj parlamentar plot 11 deputetë, vota e të cilëve mund të konsiderohet e sigurt për Kryeministrin.

Në këtë krah rreshtohen edhe dy aleatë të tjerë të demokratëve: Partia Demokrate Reformatore me dy deputetë dhe Partia Agrare Ambientaliste me dy të tjerë. Në total, numri i këtyre votave të mbledhura së bashku do të shkonte në 69.

Në dyshim janë votat e grupit parlamentar të qendrës, që përbëhet nga deputetët Paulin Sterkaj, Durim Hushi, Durim Lamaj, Bukurosh Stafa dhe Pashkë Ujka.

Mund të konsiderohen të gatshëm për të votuar një mocion anti-Berisha deputetët Spartak Ngjela, Taulant Dedja, Nikollë Lesi dhe Tom Doshi.

Nisur nga qëndrimet e shpeshta, votat e tre deputetëve të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut mund të rreshtohen kundër Kryeministrit.

Publikisht kreu i demokristianëve Nard Ndoka e ka lënë të hapur mundësinë për t’u rreshtuar kundër qeverisë, teksa kërkoi dorëheqjen e Berishës.

PDK-ja ka në grupin parlamentar një numër prej shtatë deputetësh. Partia Socialiste numëron në Parlament 36 deputetë, ndërsa socialdemokratët kanë shtatë të tillë.

Grupi parlamentar “E Majta për Integrim” ka në total nëntë deputetë, por vota e presidentit aleancist, Neritan Ceka, mbetet e diskutueshme.

Kushtetuta

Në dokumentin themeltar të shtetit, në nenin 104, thuhet se Kryeministri ka të drejtë t’i paraqesë Kuvendit mocion besimi ndaj Këshillit të Ministrave.

Në rast se mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kryeministri, brenda 48 orëve nga votimi i mocionit, i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit.

Presidenti shpërndan Kuvendin brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës. Kërkesa për mocion besimi nuk mund të paraqitet gjatë periudhës së shqyrtimit të mocionit të mosbesimit, sipas nenit 105.

Votimi i mocionit nuk mund të bëhet pa kaluar tri ditë nga paraqitja e tij. Në nenin 105 thuhet se një e pesta e deputetëve ka të drejtë të paraqesë për votim në Kuvend një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit në detyrë, duke propozuar një Kryeministër të ri.

Kuvendi mund të votojë një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit vetëm duke zgjedhur me votat e më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij një Kryeministër të ri.

Presidenti i Republikës dekreton shkarkimin e Kryeministrit në detyrë dhe emërimin e Kryeministrit të zgjedhur jo më vonë se 10 ditë nga votimi i mocionit në Kuvend

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›