E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti: Qeveria të mos ndërhyjë në drejtësi

Sistemi i drejtësisë duhet të ruajë pavarësinë e vet, duke mbetur jashtë ndikimeve politike. Ky ka qenë mesazhi që Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u ka dhënë studentëve të Fakultetit Juridik në Universitetin e Torinos.

Në fjalimin e tij, kreu i shtetit ka dhënë disa mesazhe, të cilat më shumë se studentëve të Juridikut dukej se i adresoheshin politikës shqiptare, e cila ditët e fundit është përfshirë në një përplasje institucionale mes qeverisë dhe organeve të drejtësisë, siç është prokuroria dhe gjyqësori.

“Kushtetuta përcakton qartë parimin e ndarjes dhe balancimin e pushteteve, por gjatë praktikës jemi ndeshur si me problemet e vetë sistemit për të ngjallur besim publik e optimizëm, ashtu edhe me përpjekjet e politikës për të imponuar vendimmarrjen, apo karrierën profesionale në sistemin e drejtësisë”, është shprehur Presidenti Topi para studentëve të Juridikut në Torino.

Më tej, ai ka theksuar se “edhe pse të shpjegueshme për një shoqëri që ndryshon dhe tranzicionin në mentalitet e praktikë, në thelb, si njëri ashtu edhe tjetri fenomen kanë qenë e janë të gabuara”.

Duke numëruar faktorët që konsolidojnë demokracinë, shtetin ligjor dhe ekonominë e tregut, Presidenti renditi edhe “organizimin e një sistemi gjyqësor të pavarur nga pushtetet e tjera, apo nga influencat e çfarëdollojshme”.

Prej disa kohësh, institucionet shqiptare janë përfshirë në një përplasje, e cila po e mban peng zhvillimin e reformës në sistemin e drejtësisë në vend.

Qeveria ka hapur një luftë frontale me prokurorinë dhe gjyqësorin, duke shkuar deri aty sa ka hedhur idenë e një komisioni hetimor për kryeprokuroren Ina Rama.

Pretendim ky që kundërshtohet hapur nga opozita, e cila thekson në deklaratat e saj se qeveria nuk po e lë organin e akuzës të hetojë disa nga ngjarjet më të bujshme gjatë këtyre tre vjetëve, ku në thelb të debatit dhe të akuzave janë ministra dhe drejtues të lartë të shtetit.

Ndërsa reforma në drejtësi ka mbetur në vendnumëro, për shkak se Kuvendi dhe Shoqata e Gjyqtarëve nuk po e gjejnë gjuhën e përbashkët për hartimin e ligjeve të pranuara nga të dyja palët.

Dhe në këtë debat opozita është rreshtuar në krah të gjyqtarëve dhe kjo ka bërë që reforma të mbesë në vend.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›