E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moçka: Disiplina e ka ndarë mendjen…

Ka dalë disi i hutuar nga ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe i është dashur fjala e Ardi Beharit (zyrtar në klubin kuqezi) që të vendoset në dispozicion të medias. Shpëtim Moçka, portieri i Flamurtarit që u godit me një send të hedhur nga tifozët në drejtim të tij kur po bëhej gati të shkemohej topi për fillimin e pjesës së dytë në Laçi-Flamurtari, nuk ka ngurruar t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve. “Çfarë bëra unë sot (dje) këtu? Ja më pyetën këta të disiplinës – tregon Moçka, që pyetet disa herë për të njëjtin argument përpara se të japë një përgjigje – për gjëra shumë të çuditshme. Cilat ishin këto gjëra të çuditshme? Ja për shembull më thonin pse i ke vënë duart në fytyrë kur je goditur në kokë, ku pamjet e televizorit janë shumë të qarta. Unë kam kapur me dorë vendin e goditur në kokë. Por nuk ishte vetëm kjo pyetje, kishte dhe shumë tyë tjera që mu dukën absurde.”

Më tej, gardiani i kuadratit vlonjat shprehet pesimit në lidhje me vendimin e KD-së. Sipas tij, disiplinori, që do të mbildhet sot në orën 09:00, nuk do të japë atë çka vlonjatët meritojnë. “Ajo që mund t’ju them unë, është se disiplina e ka ndarë mendjen,” tha në fund i dëshpëruar Shpëtim Moçka.

Vlonjatët: Pikët në tavolinë,

ose bllokuam urën e Mifolit

Tifozët e skuadrës së Flamurtarit kanë kërcënuar me bllokimin e Urës së Milofit, në rast se Komisioni i Disiplinës në FSHF nuk do t’i japë ekipit të tyre fitoren në tavolinë për ngjarjet që ndodhën 8 ditë më pare, në ndeshjen me Laçi, ku mbeti i plagosur portieri i Flamurtarit, Shpëtim Moçka. “Komisioni me mendje të kthjellët duhet t’i japë tre pikët në tavolinë Flamurtarit. Në të kundërtën ne do të marrim masa deri në bllokimin e Urës së Mifolit”, është shprehur Agron Sinani, kryetari i shoqatës së tifozave “Dragonjtë kuqezi”. Më shumë se 50 tifozë të skuadrës vlonjate kanë protestuar përpara stadiumit kombëtar, ku kanë hedhur parrulla ndaj drejtuesve të FSHF-së. Adresa e fyerjeve dhe sharjeve të tyre ishte dhe skuadra e Skënderbeut dhe ministri i Financave, Ridvan Bode, si një nga mbështetësit kryesorë të skuadrës korçare. Tifozët e Flamurtarit kanë kërkuar më pas të zhvendosin protestën e tyre para zyrave të FSHF-së, por nuk janë lejuar nga policia, pasi sipas së cilës, leja për këtë veprimtari ishte marrë vetëm për këtë zonë. Leja e dhënë nga Drejtoria e Policisë së qarkut Tiranë, ka qenë për 60 minuta.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›