E Shtunë, 31 Tetor 2026

Modë e dobishme dhe e gjelbër

Në Japoni nuk është çudi të shohësh adoleshentë me fidanë perimesh në duar që shkojnë të kalojnë pasditen në kopshtin prej 7 metra katrorë të marrë me qira nga bashkia e qytetit. Prej vitesh shumë qytete japoneze mbajnë rekordin e një mode të dobishme: krijimi i kopshtit personal të perimeve edhe në çatitë e pallateve. Ka qytete, të cilat shfrytëzojnë çdo hapësirë, dikur lulishte, për t’ua dhënë me qira qytetarëve të kultivojnë pasionin e tyre për perimet e konsumit të përditshëm: sallatë, qepë, domate, majdanoz, borzilok, rozmarinë…Qiraja shkon nga 20 deri në 70 apo 100 euro në muaj (varet nga vendi – periferi a qendër -, sipërfaqja në dispozicion). Edhe në Perëndim moda ka nisur të gjejë përqafuesit e parë. Vendet e Ulëta prej vitesh i aplikojnë. Zonja Obama dha shembullin e saj në Shtëpinë e Bardhë, por eksperienca japoneze është krejt tjeter. Pra, jo vetëm kush ka një vilë, kopësht e tokë mund ta ketë këtë “luks”, por edhe ata që mezi kanë një dritare mbi qytetet e mbipopulluara.Edhe më pranë nesh, në Milano, bashkia e qytetit është impenjuar në dhënien e siperfaqeve publike qytetarëve për të bërë kopështin e tyre dhe prej 3 vitesh, kërkesat janë shumëfishuar. Në qytetin gri të veriut të industrializuar italian kanë nisur të duken njolla të gjelbërta me kontributin direkt të qytetarëve.
Klima, ballkone, tarraca e tokë publike ka dhe në Tiranë. Problemi qendron me mentalitetin e njerëzve, të cilët në vend që të kujdesen të kenë një ballkon, tarracë, pallat të gjelbëruar, studiojnë strategjitë se si t’i hedhin plehërat prej tyre pa i parë njeri. Në pallate shumëkatëshe edhe në zemër të kryeqytetit, mund të shohësh një fasadë të mirë, por pak të gjelbëruar nga vetë banorët. Nëse mendojmë me optimizëm e pozitivitet dhe marrim të mirëqenë se pasioni i gjelbërimit ekziston te ne, atëherë, pushteti vendor duhet të jetë i përgatitur ta mbështesë e kultivojë, duke kapërcyer sistemin e mbjelljes së pemëve me fushatë.
Për 2011 Shqipëria ka nevojë për sinjale dashurie nga banorët e saj; janë të tepërta abuzimet që janë bërë në gjithë këto vite me natyrën zemërgjerë shqiptare. Projekti i parcelave individuale, deri tani, ka lindur e është zhvilluar në vende me ndjenjë civilizimi të lartë; kush thotë se nuk e kemi dhe ne këtë potencial?
(BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›