E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, O’Nil akuzohet se urdhëronte vrasje me pagesë

SHBA- Akuza është nga ato më të rëndat: Shakil O’Nil është një bos që urdhëron vrasje me pagesë për atë që nuk e respekton. Ai që e ka përshkruar kështu, gjatë një denoncimi të paraqitur në Gjykatën Superiore të Kontesë së Los Anxhelosit, ka qenë Robert Ros, një ish-anëtar bande dhe në të shkuarën mik i basketbollistit të famshëm.

Ros ka treguar se ish-ylli i NBA ka organizuar dhe financuar një seri vrasjesh dhe agresionesh brutale. Në denoncimin e publikuar nga uebsajtin e TMZ, lexohet veç të tjerash se Ros akuzon Shak, se në vitin 2008 ka organizuar rrëmbimin e tij nga ana e një tjetër gangsteri. Ish-basketbollisti i Boston Sëlltiks apo Lejkërs, ka urdhëruar Ros “që të vriste anëtarin e bandës Dawntown Gangster Crips, sepse nuk e kishte respektuar para gruas së tij Shoni”, por edhe “një producent të famshëm dhe një grua, që Shak e kishte lënë shtatzënë dhe më pas i kishte paguar paratë e abortit”. Janë këto akuza që kanë ngritur një hije të madhe dyshimi mbi jetën e një prej basketbollistëve më të njohur në historinë e NBA amerikan.

Ndërkohë, nuk ka vonuar replika e avokatit të Shakil O’Nil, që siç pritej, ka hedhur poshtë gjithçka. “Pohimet qesharake të Robert Ros në denoncimin e tij janë një trillim i vërtetë, - ka thënë avokati Majkëll J. Kump. – O’Nil i ka ofruar miqësinë e tij z.Ros për të provuar ta ndihmonte dhe për t’i dhënë një kthesë jetës së tij, por ai për fat të keq ka abuzuar nga kjo miqësi gjithnjë e më shumë. Impenjimi i Shakil në krah të forcave të rendit është i njohur mirë dhe i dokumentuar, ndërsa këto akuza me bazë shpifjen, nuk meritojnë asnjë përgjigje”. Shak O’Nil është një prej lojtarëve më të mëdhenj të basketbollit në histori.
(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›