E Shtunë, 31 Tetor 2026

Modeli i Evropës si strategji për paqen globale?

Le të ndalemi e t`i sjellim sipërfaqësisht lajmet që na kap veshi për luftërat, konfliktet dhe lajmet që flasin për përparim në fushën e ndërtimit të paqes? A nuk fitohet ndjenja se konfliktet dhe luftërat nuk kanë të ndalur në intensitetin e tyre? A nuk na jepet ndjenja se po vriten njerëz më shumë se kurrë më parë, si pasoj e konflikteve dhe luftërave? Në verën e vitit 2005 qendra studimore Human Security Center në Vancouver të Kanadasë publikon një raport interesant përkitazi me luftërat në botë. Sipas këtij studimi që nga viti 1992 numri i luftërave dhe i gjenocideve ka rënë fuqishëm. Konfliktet e armatosura me numër prej 1000 viktimave në vit – shumë kjo që është (për)caktuar nga shkencëtarët për të klasifikuar një konflikt të armatosur si luftë- kanë një rënie prej 80%. Kjo përqindje vlen edhe për gjenocidet. Le të kujtojmë konfliktet e armatosura – luftërat - që kanë ndodhur që nga viti 1972? Statistikat flasin për një rënie marramendëse drejt numrit zero. Sipas raportit në fjalë, luftërat si koalicioni i shteteve perëndimore kundër Serbisë, Afganistatit, Irakut, apo tensionimet e herëpashershme mes Indisë dhe Pakistanit vlerësohen se nuk janë rregull por më tepër janë përjashtime. Numri i viktimave të luftës në vitet e 1970-ta ka qenë diku rreth 300 000 dhe 400 000 në vit. Sot ky numër vlerësohet se ka rënë në 20 000. Sipas kësaj bota është bërë më paqësore. Para katër vitesh ky studim ishte një sensacion. Mirëpo ky lajm për mediet nuk ishte i një rëndësie të veçantë. Përfundimet e studimit se, bota ishte më paqësore, ishte (për)folur vetëm në qoshet e gazetave. Pra studimi ishte përmendur vetëm shkurtimisht pa i dhënë hapësirë, përderisa terrori dhe luftërat kanë dominuar në vazhdimësi. Kritika që vjen nga instituti kanadez me rastin e prezantimit të studimit ishte se, gazetarët më shumë po i japin hapësirë dhe vëmendje luftërave dhe konflikteve ekzistuese se sa atyre që kanë përfunduar në paqe- pra akuza ishte se, mediet më shumë po shkruajnë për luftërat se sa për paqen. Ky fakt nuk e prekë vetëm mediet por edhe shkencën e cila më tepër merret me arsyet e luftërave se sa me hulumtimin e faktorëve që sjellin paqen. Kjo situatë na ndërmjetëson ndjenjën se, dhuna është duke u shtuar. Mirëpo e vërteta është se, ajo ka rënë dukshëm. Në të vërtetë ne kemi në disa vende perëndimore disa institute që merren me hulumtimet mbi paqen. Ne këtu si shembull mund ta marrim një organ të tillë që vepron në Suedi. Në këtë shtet ekziston një bazë e të dhënave e quajtur si “Uppsola Conflict Data Program” ku janë të përmbledhura luftërat mes shteteve dhe atyre qytetare si dhe konfliktet pa pjesëmarrjen, involvimin e strukturave shtetërore. Një projekt edhe më i madh se ky që përmendëm, pra për të grumbulluar të dhënat e tilla, ishte i iniciuar nga Human Security Projekt në vitin 2002 e që më vonë bartet në University of British Columbia në Vancouver të Kanadasë i cili financohet nga qeveritë e Kanadasë, Anglisë, Norvegjisë, Suedisë, Zvicrës. Cilët janë faktorët që ndikuan në rënien e numrit të luftërave? Në vitin 1989 kemi kthesën që simbolizon përfundimin e Luftës së Ftohtë mes Perëndimit dhe Lindjes. Pak më vonë jepen parashikime të ndryshme për të ardhmen e kontinentit të Evropës dhe raporteve tjera globale. Në vitin 1991 shpërthen lufta mes SHBA-s dhe Irakut. Kjo luftë nxori në pah mundësit dhe potencialet e tjera, e sidomos statutin e Amerikës si superfuqi dominuese në botë. Në anën tjetër kemi shpërthimin e luftërave të njëpasnjëshme në procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë së pas Luftës Dytë Botërore e që e kthyen gjenocidin në Evropë. Njëkohësisht bëhet paralajmërimi se në vijim bota do të ballafaqohet me konfliktin mes kulturave përkatësisht civilizimeve. Kështu fillojnë parashikimet dhe paraqitjet trishtuese të luftërave të reja dhe terrorizmit si në Bosnje, Çeçeni, Algjeri, Ruandë, Kosovë, Etiopi, Kongo, konflikti izraelo-palestinez, sulmet e 11 shtatorit pastaj sulmet në Madrid, Londër, Afganistan, lufta e fundit në Irak etj. Megjithatë sot kemi një rënie të luftërave të hapura, të paktën ato për nga numri janë shumë më të vogla. Dhe tani më nuk bëhet fjalë për pecemaking, thonë ekspertët e Human Security Centre, porse vendimtare në këtë proces është rënia e warmaking. Theksohet po ashtu edhe argumenti se, nuk është shtyrja e botës për demokratizimin që ka ndikuar në paqen, porse fundi i kolonializmit. Mbase këtu duhet cekur edhe faktin se, me rënien dy Blloqeve të Lindjes dhe Perëndimit, kemi një rënie të madhe të luftërave që i kanë bërë vendet ndërmjet tyre duke u nxitur nga superfuqitë në fjalë. Përfshirja e këtyre superfuqive në mënyrë të tërthortë në luftërat mes shteteve të ndryshme kishte shtuar numrin dhe kohëzgjatjen e luftërave. Kështu që me rënien Bashkimit Sovjetik fillon (ç)lirimi dhe rënia edhe e luftërave mes vendeve të ndryshme në botë. Një faktor tjetër që ka ndikuar në rënien e luftërave dhe konflikteve është edhe dominimi i NATOS-s, aktivitetet dhe politikat e Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, OSBES. Një rol tjetër paqetues kanë luajtur edhe investimet ekonomike që kanë bërë vendet e ndryshme, sidomos ato perëndimore, në ato vende ku ka pas luftë, apo në raste tjera edhe për ta parandaluar eskalimin e situatave duke ofruar programe zhvillimore ekonomike. Le të kujtojmë këtu Bankën Evropiane për Zhvillim, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe disa qindra organizata joqeveritare. Edhe pse kemi një rënie të konflikteve dhe luftërave, kjo nuk do të thotë se jemi duke iu afruar paqes gjithnjë e më shumë. Se sa do të jetë e mundshme që paqja të përforcohet gjithnjë e më shumë, varet nga gatishmëria e shteteve dhe asaj se, sa janë të gatshëm liderët e botës të investojnë dhe flijojnë për paqe. Pra paqja nuk është diçka e vetëkuptueshme. Paqja kërkon investime dhe përkushtim të përhershëm. Proceset integruese në Evropë kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në ndërtimin e paqes. Evropa politike ka avancuar, direkt apo të tërthorazi, procesin e paqësimit në rajon por edhe botë. Qeveritë dhe vendet e Bashkimit Evropian, dhe vet Bashkësia Evropiane, duke i dhënë prioritet të drejtave themelore të qytetarit dhe lirive themelore të njeriut, ka ofruar alternativë në politikën e brendshme dhe atë të jashtme për të mënjanuar konfliktet. Evropa politike ka treguar, dhe është bërë shembull për atë se, ka mundësi alternative që të tejkalohen konfliktet (ndër)kombëtare. Bartësi i çmimit Nobel për ekonomi, amerikani Joseph Stiglitz shkruan se, “një botë tjetër është e mundur. Por është Evropa ajo që duhet ta marr drejtimin drejt këtij qëllimi”. Modeli i Evropës politike tashmë ka filluar të merret si shembull edhe në kontinentin e Afrikës, nga shtetet e Azisë Jugore, shtetet e Amerikës Jugore, apo edhe disa nisma dhe organizime edhe në Evropën Juglindore, përkatësisht të Ballkanit Perëndimor.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›