Modeli ynë ekonomik dhe Mbretëresha e Kuqe
Ndërsa Indermit Gill deklaronte në Tiranë se ai besonte plotësisht tek Shqipëria dhe modeli i saj ekonomik, sigurisht nuk e dinte që deklarata e tij do të citohej shumë e shumë herë në ditët dhe javët në vijim. Duke prezantuar raportin voluminoz të Bankës Botërore mbi modelin ekonomik evropian, ku ai ishte vetë një ndër autorët kryesorë, z. Gill preku natyrshëm një argument të nxehtë ekonomik, më temë kryesore ekzistencën dhe efikasitetin e një modeli ekonomik për Shqipërinë. Besoj se z. Gill nuk e dinte sa e debatuar kish qenë kjo temë veçanërisht vitin e fundit, midis ekspertëve të ekonomisë, analistëve, si dhe ndërmjet politikanëve të maxhorancës dhe opozitës.
Vetëm tre muaj më parë, në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, Standard & Poors dhe më pas Moodys kishin deklaruar se parashikimi për ekonominë shqiptare ishte i qëndrueshëm. Një vlerësim maksimal ky, duke parë kushtet në të cilat operonte ekonomia europiane dhe botërore, si dhe performancën ekonomike të çdo vendi. Disa ditë më vonë të këtij vlerësimi, të dyja agjencitë së bashku ulën vlerësimin për 9 nga 17 vendet e eurozonës, dhe në të njëjtën kohë kërcënuan me ulje shumicën absolute të atyre që mbetën (parashikim negativ). Për sa i takon Shqipërisë, vlerësimi pozitiv i dyfishtë pati sigurisht jehonë mediatike në Tiranë, por ndoshta për shkak të atmosferës së festave të fundvitit, hapësira mediatike ishte më e pakët nga çfarë u rezervohet zakonisht lajmeve të tilla.
Tre muaj pas kësaj ngjarjeje, fjalët e z. Gill nuk kishin se si të ishin më inkurajuese për qeverinë shqiptare! Në një mënyrë apo një tjetër, ky ekonomist botërisht i mirënjohur certifikonte jo vetëm reformat ekonomike të ndërmarra, por edhe faktin se Shqipëria kishte zgjedhur tashmë modelin e duhur të zhvillimit të qëndrueshëm të saj. Mbi të gjitha, vlera e shtuar e deklaratës së z. Gill ishte, përveç brendisë së deklaratës së tij, edhe konteksti në të cilin ai bëri këtë deklaratë: modeli shqiptar përngjan shumë me modelin europian të zhvillimit, i cili rezulton më i miri deri më sot!
Shqipëria brenda modelit ekonomik europian të zhvillimit
Z. Gill në prezantimin e tij u ndal në modelin europian të zhvillimit ekonomik, e veçanërisht në tiparet karakteristike të kësaj ekonomie për periudhën e pas-Luftës së Dytë Botërore. Si në asnjë bashkësi tjetër socio-ekonomike botërore si p.sh. ShBA, Kina, India, Brazili, vendet e Azisë Juglindore etj… në Europë aplikimi i parimit të mekanizmit të konvergjencës mundësoi që vetëm përgjatë disa dekadave, vende të ndryshme të nxirren me sukses nga varfëria duke u pasuruar relativisht me shpejtësi të madhe. Këto vende, ndër të cilat Shqipëria renditet si një rast suksesi, jo vetëm që u pasuruan në një kohë rekord, por mbi të gjitha i shpëtuan kurthit të vendit me të ardhura të mesme, duke vazhduar pa ndalesë rritjen e tyre ekonomike.
Nuk kishte ndodhur kështu në rastet e tjera, pjesë e bashkësive socio-ekonomike jo-europiane: vendet, për një sërë arsyesh serioze, ngecnin në kurthin e të ardhurave të mesme. Mungesa e kohezionit social, një zhvillim ekonomik në kurriz të burimeve shteruese natyrore, mosbalancimi i interesit ekonomik kundrejt atij shoqëror, pasurimi në dëm të të drejtave civile dhe cilësisë së jetës, renditen ndër shkaqet thelbësore të këtij kurthi. Në të kundërtën e rastit shqiptar, këto vende ngecën në këtë nivel pa u rritur më tej!
Rasti i suksesit i Shqipërisë, si dhe disa vendeve të tjera të BE-së, apo aspirante për të hyrë në BE, tregon se përqasja europiane, ajo e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik, në respekt të plotë të kohezionit social dhe të qëndrueshmërisë mjedisore, ishte ajo e duhura.
Sipas raportit në fjalë, Shqipëria kishte inkorporuar më së miri këto veçori të modelit europian, jo thjesht sepse është politikisht dhe gjeografikisht pjesë e Europës, por sepse në themel të politikave të saj ekonomike qëndronte zhvillimi i qëndrueshëm, kohezioni social dhe respekti për burimet shteruese natyrore, pavarësisht sfidave të panumërta me të cilat vendi është ndeshur.
Në një nivel më të detajuar, veçanërisht në pesëvjeçarin e fundit, Shqipëria (gjithnjë sipas raportit) kishte mundur të tërhiqte me sukses dhe gjithnjë e më shumë investime të huaja direkte (IHD), të reformonte dhe përmirësonte në mënyrë rrënjësore klimën e të bërit biznes, të liberalizonte tregtinë duke përfituar shumë nga të gjitha marrëveshjet e tregtisë së lirë me BE-në dhe vendet e rajonit. Reformat zvogëluan ndjeshëm rolin e shtetit në ekonomi (qeveria më e vogël në Europë, me vetëm 28% të PBB për shpenzimet e shtetit), nxitën inovacionin dhe konkurrueshmërinë ekonomike.
Ndërkaq, më shumë duhet bërë për sa i takon sistemit të pensioneve dhe tregut të punës. Këta dy tregues të fundit cilësoheshin si indikatorët ku kërkohej reforma konkrete, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të BE-së.
Në këtë kontekst, më e rëndësishme se deklarata e z. Gill se ..nëse do të vija bast për ekonominë shqiptare, do të vija bast me gjithçka që do të kisha.., është konteksti në të cilin bëhet kjo deklaratë: …kjo sepse modeli ekonomik i Shqipërisë është plotësisht në linjë me modelin ekonomik europian, madje paraqet (relativisht) karakteristika të njëjta me pjesën më të madhe të vendeve të BE-së…
Modeli ekonomik nën fokusin e politikës
Debatet mbi ekzistencën apo jo të një modeli ekonomik shqiptar kanë kohë që gëlojnë në mediat e shkruara dhe vizive. Teorikisht është një ndër debatet më të rëndësishme që një vend mund të ketë! Në realitet, debati është fokusuar si në faktin nëse Shqipëria ka apo jo një model ekonomik, ashtu edhe nëse ky që ka (në qoftë se e ka), është i duhuri apo jo. Kategoritë e debatuesve variojnë që nga mohuesit e modelit ekonomik, skeptikët e modelit ekonomik dhe ata në favor të modelit ekonomik.
Model-Mohuesit, si edhe prej vetë emrit, mohojnë që Shqipëria të ketë një model ekonomik, madje mohojnë të ketë edhe rregullat mbi të cilat ekonomia zhvillohet. Sipas tyre, gjithçka i është lënë në dore konkurrencës së pandershme dhe favorizimit. Po sipas tyre, statistikat janë të rreme (!), rritja ekonomike nuk ekziston dhe varfëria po shtohet nga dita në ditë. Në këtë kurth propagandistik kanë rënë thuajse të gjithë eksponentët politikë të opozitës, ekonomistë apo jo, të lidhur apo jo me ekonominë. Për fat të keq, impostimi i diskursit në këtë linjë e rrëzon që pa nisur argumentin. Me pak fjalë, me këtë qëndrim, debati civil e i frytshëm është i pamundur.
Model-Skeptikët mendojnë se Shqipëria ka një model të tipit hibrid. Sipas tyre, zhvillimi i është lënë në dorë më shumë rastësisë sesa programimit, dhe se për të përballuar sfidat e kohës, qeverisja duhet të orientojë politikat makroekonomike dhe rregullatore drejt sektorëve që premtojnë më shumë, që punësojnë më shumë, që kanë efektivitetin më të lartë etj. Një pjesë e skeptikëve mendojnë se burimet e rritjes ekonomike (të deritanishme) tashmë janë ezauruar, dhe se modeli i ri (pra duhet në cdo rast të ketë një model të ri) duhet të marrë parasysh këtë gjë.
Model-Favorizuesit (ku bën pjesë edhe artikullshkruesi) deklarojnë se Shqipëria përfaqëson sot një rast suksesi të pastër ekonomik, se modeli i sotëm i ekonomisë shqiptare jo vetëm që është i suksesshëm (mundësoi rritjen ekonomike edhe në kushtet e recesionit mbarëbotëror), por edhe është një levë perfekte e qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike edhe në vitet në vijim. Një qeveri e vogël, taksa të ulëta, reforma gjithëpërfshirëse, mundësitë për të zhvilluar të gjithë sektorët (dhe jo vetëm priorizuar disa, siç shprehen skeptikët), forcimi i institucioneve dhe i forcës së ligjit, tërheqja e IHD në të gjitha fushat, privatizimet e thella dhe reformat strukturore, rritja e lirisë e
