E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një Enver për lexuesin e 2012-s

BELINA BUDINI

Të paktë janë në viset shqiptare librat e shoqëruar me jehonën e librit Enver Hoxha të Blendi Fevziut. Një jehonë e ushqyer gjatë edhe nga akte të përsëritura të djegies së librit, edhe nga vetë aktet denoncuese të trashëgimtarëve të Hoxhës. Kaq shumë reagim ka pasur rreth Enver Hoxhës së Fevziut, sa mund të thuhet se ka një subjekt edhe rreth librit, po aq sa në vetë librin. Me gjithë tundimet për ta lexuar librin nga jashtë, pra për të interpretuar realitetin e krijuar rreth tij përmes jehonës mediatike, ky artikull është një përpjekje për të depërtuar te vetë libri, një biografi e Enver Hoxhës në afro 400 faqe, botim i UET Press dhe Klan. Në të vërtetë, pak rëndësi ka nëse është e para apo e vetmja, si zhanër apo si lloj dokumentimi. Letërsi historike apo biografi gazetareske, dramë shekspiriane apo triller politik, monografi shkencore apo dokumentar televiziv, etiketimet nuk kanë asnjë rëndësi. Është subjekti i një figure si Enver Hoxha që ngjall interes, edhe po të jetë fiksion apo letërsi historike. Ashtu siç ngjall interes subjekti i Hitlerit në të gjitha format e tij, subjektet e presidentëve amerikanë, diktatorëve të djeshëm dhe të sotëm, e një morie figurash që kanë përcaktuar dhe vendosur fate njerëzish dhe popujsh, për mirë apo për keq qoftë. Në këtë kuptim, interesi për një libër rreth Enver Hoxhës mund të konsiderohet i garantuar. Mirëpo interesimi serioz për të duhet të burojë nga përmbajtja dhe jo nga forma.
Në fakt, për nga forma, duket sikur Enver Hoxha i Blendi Fevziut i ngjan po aq një biografie historike sa edhe një skenari filmi, një dokumentari gazetaresk, sa edhe një drame politike: me një tekst aq vizual sa të shpie në kinema, plot me qëmtime të holla gazetareske dhe episode të rrëfyera me tension dramatik. Një formë që i rri ashtu siç duhet përmbajtjes, pasi për këtë të dytën edhe interesohemi më shumë këtu. Një përmbajtje që vlen jo thjesht dhe vetëm pse ka gjeneruar diskutime e debate rreth temës së diktatorit dhe diktaturës, gjë që nuk është se na mungon edhe aq në Shqipëri, por për tablonë më të plotë informuese rreth Enver Hoxhës që i paraqet lexuesit aktual shqiptar. Mund të mos duket ndonjë vlerësim shumë i madh që i bëhet një autori, por pikërisht një përmbajtje e tillë informuese rreth ish-diktatorit shqiptar ishte mungesë në bibliotekën shqiptare. Kjo duhet ta shpjegojë edhe interesimin maksimal dhe për herë të parë të një kategorie lexuesish të rinj dhe adoleshentë për Enverin e Blendi Fevziut. Më në fund, atyre u jepet shansi të informohen rreth figurës së njeriut, periudhën e të cilit nuk e kanë jetuar për të mund ta njohur vetë. Një shans për ta që të mësojnë kështu diçka nga historia, që ende nuk figuron në tekstet e tyre të historisë në shkolla. Por sigurisht jo vetëm ata. I njëjti shans na jepet të gjithëve me Enverin e Fevziut.
Nuk është e tepërt ta quajmë lexim i domosdoshëm. E bëjnë të tillë sidomos intervistat dhe dëshmitë e dorës së parë, që janë aseti profesional i autorit. Detajet e shumta informuese dhe shpjeguese reflektojnë nga ana tjetër njohjen e plotë të subjektit dhe mjedisit të tij. Mund të themi, për shembull, se një detaj kaq i rëndësishëm si mospërfundimi i studimeve dhe mospasja e një diplome nga Enver Hoxha, u shndërrua në një fakt të pranuar edhe nga ish-bashkëshortja e tij, Nexhmije Hoxha, në një intervistë të kohëve të fundit, vetëm pas publikimit të biografisë së Fevziut që e verifikonte këtë të dhënë, megjithëse për këtë është folur edhe më parë, por nuk ishte pranuar ose ishte lënë në pasiguri si informacion. Në një tablo përmbledhëse- fëmijëria, rinia, ngjitja, konsolidimi dhe vdekja e diktatorit, të gjitha janë aty, ashtu si edhe rrjeti i marrëdhënieve të tij, vendeve që frekuentonte, shijeve dhe deri tek elementet estetike. Të gjitha të nevojshme për të ndriçuar subjektin e një figure të mbajtur në mjegull informative dhe mistifikuese deri vonë. Në fakt, secila prej etapave të jetës dhe zhvillimit të figurës së diktatorit mund të përbënte volum më vete, pasi nevoja për të njohur është pa dyshim më e madhe se përzgjedhjet jetësore mbi të cilat ka ndërtuar rrëfimin e tij gazetari Fevziu, por ky mision nuk mund ti përkasë vetëm një njeriu, qoftë ky edhe gazetari me përvojën më të gjatë kërkuese në drejtim të Enver Hoxhës dhe biografi i parë serioz i tij.
Pjesët nga ditari personal i Enver Hoxhës si moment ekskluziv i librit e shndërrojnë më tej këtë biografi në një kronikë të vërtetë informative, prej nga sigurisht gazetat dhe mediat shqiptare nuk vonuan të nxirrnin lajme dhe sensacione. Mirëpo pjesët e shkëputura nga libri për botim në gazeta, sado që kapin momentet më pikante, nuk mjaftojnë për të kapur figurën e Enver Hoxhës në plotësinë me të cilën e jep vetë libri. Sfida e autorit duket të ketë qenë pikërisht kjo, kapja e të gjitha përmasave të subjektit të vet. Dhe duket se ia ka arritur në një masë të konsiderueshme. Zor të gjesh gjetkë ndonjë autor që e nxjerr Enver Hoxhën në një pamje më tërësore sesa Blendi Fevziu. Ende ndonjë historian shqiptar apo i huaj nuk e ka bërë këtë. Është fat që një gazetar ia ka dalë mbanë këtij misioni të vështirë.
Megjithëqë nuk jemi ende aq larg në kohë sa për të gjykuar me ftohtësinë ideale subjekte të nxehta si ai i diktatorit Hoxha dhe regjimit të tij, që ende prodhojnë impulse emocionale për atë pjesë të shoqërisë sonë që e ka jetuar diktaturën; një biografi me shqisën e gazetarit si ajo e Blendi Fevziut e kapërcen edhe këtë vështirësi. Aspak ngurruese, aspak përbaltëse! E drejtpërdrejtë dhe e faktuar, kjo është qasja që i vlen më së tepërmi publikut shqiptar sot në raport me Enver Hoxhën, për një njohje sa më të plotë të figurës së tij, e cila ka nevojë të rindërtohet, për të marrë vërtetësinë të cilën ia kanë hequr për 45 vjet me radhë dhe që duket e tepërt të mbahet e panjohur ose e pandriçuar mirë ende sot.
Ky duket të jetë pra edhe kontributi kryesor i Enver Hoxhës së Blendi Fevziut. Ndriçimi informues dhe i vërtetësishëm i figurës së diktatorit shqiptar, duke e njohur më mirë, për të kuptuar më shumë. Vetëm duke njohur versionin realist të jetës, veprimtarisë dhe marrëdhënieve të tij, mund ti hedhim në koshin e plehrave të historisë të gjitha falsifikimet dhe manipulimet që vazhdojnë të qarkullojnë ende si gjysmë të vërteta ose mite të mbetura në  lidhje me figurën e tij. Leximi i librit të Blendi Fevziut është pa dyshim një shans për të njohur më mirë të djeshmen përmes figurës së Enver Hoxhës, për të kuptuar më shumë një regjim dhe një epokë, që nuk është e thënë të ketë marrë fund.
Së fundmi, aktualizimi është gjithë çfarë kërkon një gazetar te subjektet e veta. Dhe me një subjekt të së shkuarës, aktualizimi mund të jetë i vështirë për tu arritur. Aq më tepër me anë të një zhanri si biografia historike. Janë të paktë ata që ia dalin mbanë të aktualizojnë me sukses figura historike përmes një forme komunikimi siç është libri, por kur kjo ndodh, me shumë gjasë i vendosin edhe emrat e tyre në histori. Siç lidhet emri i Cvajgut me Zhozef Fushenë dhe madje edhe Mari-Antuanetën e shndërruar mandej në film hollivudian, apo në Shqipëri emri i Sabri Godos me atë të Ali Pashë Tepelenës. Jo vetëm pse është i pari biograf serioz i Enver Hoxhës, Blendi Fevziu me librin e tij Enver Hoxha e ka siguruar tanimë këtë asocim. Enveri i Fevziut është pikërisht ai version aktual historik, që i mungonte publikut shqiptar për figurën e njeriut që shënjoi 45 vjet histori të Shqipërisë dhe që ende nuk ishte zbardhur në një formë biografike. Një Enver informues për lexuesin e 2012-s. Që këtej duhet të burojë edhe jehona apo interesimi rreth librit të tij.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›