E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moisiu: Berisha kërkon të komandojë Topin

Ish-Presidenti paralajmëron ngritjen e një shteti tribal nga kryeministri Sali Berisha

Ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu mbështet pasardhësin e vet Bamir Topi në betejën e këtij të fundit me kreun e ekzekutivit, Sali Berisha. Duke iu referuar pikërisht debatit më të fundit midis Kreut të Shtetit dhe Kuvendit për dekretet për anëtarët e Gjykatës së Lartë, Moisiu shprehet se Topi është në të drejtën e tij. Madje ai shkon edhe më tej kur pohon qartë një tendencë të politikës në përgjithësi për të komanduar kreun e shtetit. “Unë mendoj se Presidenti është në rregull dhe jo pse ai është pasardhësi im dhe unë s’mund ta kritikoj, por po them një të vërtetë. Por këtu më shumë tentativa është për ta komanduar Presidentin”,- u shpreh ish-presidenti Moisiu. Sipas tij, mazhoranca me pa të drejtë po abuzon me votat e saj, për të detyruar presidentin Topi që të pranojë diktatin e saj. Kjo, ka bërë të ditur ish-numri një i shtetit, nuk është hera e parë, pasi siç ka theksuar ai, një situatë e tillë ka qenë vënë re dhe më parë gjatë presidencës së tij. “Sigurisht unë kam patur përplasje si me Kryeministrin aktual dhe me ish-kryeministrin Nano, por këto janë normale. Çështja është se kur përplasjet krijojnë kriza, ato nuk janë normale. Mendoj se në rastin e dekreteve po abuzohet nga shumica”,- është shprehur Topi. Sipas tij, kjo situatë e përsëritur përbënë një tendencë të rrezikshme për funksionimin e shtetit ligjor. Moisiu nuk ka nguruar që të përsërisë edhe një herë paralajmërimin e tij për zëvendësimin e shtetit të ligjit, në një shtet tribal të dominuar nga kryeministri Berisha. “Mua më duket një situatë që nuk duhet të ishte krijuar sepse kjo nxjerrë në pah shumë defekte, jo të ligjeve dhe të Kushtetutës por të zbatimit, dhe meriton dhe një herë atë që kam thënë, se ne kemi një tendencë jo të mirë, për mos të thënë të rrezikshme, për të kaluar nga shteti ligjor, drejt shtetit tribal”,- tha më tej ish-kryetari i shtetit, Alfred Moisiu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›