Trafiku i drogës në Greqi, 37 vjet burg autorëve
Tiranë- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet dënoi me 37 vjet burg gjithsej katër të pandehurit për trafikun e lëndëve narkotike në Greqi.
Gjatë seancës së zhvilluar sot Krenar Sako u dënua me 12 vjet burg; Ilia Elezi me 10 vjet, Valter Janaqi do vuajë 9-vjet në burg dhe Ilir Ajazi, 6-vjet.
Për hetimin e kësaj cështjeje në ngarkim të 4 personave, janë zhvilluar 64 seanca gjyqësore, për të arritur sot në finalizimin e vendimit. Gjatë dhënies së vendimit, gjykata ka cilësuar si ideator të trafikut nga Shqipëria në drejtim të Greqisë, Krenar Sakon, si personi përgjegjës që gjente drogën.
Elezi mësohet se ishte personi kryesor që transportonte drogën nga Shqipëria në Greqi dhe në disa raste vetëm pritës i saj në Greqi. Shpërndarës ka qenë Valter Janaqi, kurse tjetri ka qenë vetëm korrieri.
Në seancën e dhënies së pretencës nga prokuroria u kërkua një masë dënimi më e lartë për Elezin, me 12 vite burg.