Misioni i KE-së, dialog mes BDI-së dhe PDSH-së
Përfaqësuesit e Ad hok Komisionit pranë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës janë interesuar për mundësinë që PDSH-ja të kthehet në Parlament dhe për fillimin e dialogut mes BDI-së dhe PDSH-së.
Deputetët e Asamblesë Parlamentare, Andreas Gros dhe Mevlut Cavishoglu sot pasdite realizuan takime me kreun e BDI-së, Ali Ahmetin, Sekretarin e Përgjithshëm të PDSH-së, Imer Aliun si dhe me shefin e Delegacionit të Parlamentit të Maqedonisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Oliver Shambevski.
Ali Ahmeti pas takimit theksoi se BDI gjithmonë ka qenë e hapur për dialog.
“Ne gjithmonë kemi qenë të hapur për dialog. Koha do të tregoj nëse do të ketë takim me Menduh Thaçin. Unë nuk pajtohem me bojkotin e PDSH-së. Ata si opozitë duhet të jenë në Parlament dhe në mënyrë konstruktive të na ndihmojnë neve si pozitë”, tha Ahmeti.
Ndërkaq, Imer Aliu pas takimit nuk është prononcuar për mediat.
Kryesia e Partisë Demokratike Shqiptare ditë më parë deklaroi se partia e tyre do të vazhdojë të bojkotojë Parlamentin derisa nuk vihen në rend dite çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët.
Misioni i Këshillit të Evropës për pajtimin dhe zhvillimin e dialogut mes partive më të mëdha shqiptare BDI dhe PDSH ka diskutuar edhe përparregullsitë që janë shënuar gjatë zgjedhjeve, bojkoti i Parlamentit nga deputetët e PDSH-së, çështja e emrit me Greqinë dhe situata politike pas zgjedhore. (INA)