E Diel, 1 Nëntor 2026

Moisiu: Faji i PD Topi të marrë situatën në dorë

TIRANE- Ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu bëri me përgjegjësi maxhorancën për situatën e rënduar në vend. Moisiu deklaroi dje për “Gazeta Shqiptare” se tashmë “Presidenti i Republikës duhet të marrë situatën në dorë”. “Situata është shumë e rëndë për shkak të atyre që ndodhën më 21 janar. Kjo duhet të zgjidhet vetëm me dialog mes palëve, në interes të vendit dhe të popullit”, - u shpreh ish-presidenti. “Unë si ish-president i vendit mendoj se Presidenti duhet të mbledhë Këshillin e Sigurisë dhe njëkohësisht edhe partitë politike, për të diskutuar për një zgjidhje të qetë të situatës”, - deklaroi Moisiu. Sipas tij, “kjo nuk zgjidhet as me mllefe, as me inate dhe as me përplasje”. I pyetur në lidhje me përplasjen që ndodhi mes policisë dhe protestuesve të opozitës, mes të cilëve mbetën të vrarë 3 persona, Moisiu tha se “unë jam shumë dakord që duhen mbrojtur institucionet, por jo me jetë njerëzish”. Ai e krahasoi situatën me atë në Greqi, ku kohët e fundit ka pasur mjaft probleme dhe demonstrata popullore. “Edhe në Greqi pamë se ndodhën protesta dhe përleshje, por nuk u vranë njerëz. Policia duhet të bëjë detyrën e saj, por në të njëjtën kohë duhet të mbrojë edhe popullin. Përgjegjësinë kryesore në këtë mes, për mua e ka maxhoranca”, - deklaroi ish-kreu i shtetit. Si një nga drejtuesit e Forumit Civil së bashku me ish-presidentin tjetër, Rexhep Meidani, ata do të thërrasin tryezën e intelektualëve, një ditë para protestës së opozitës, për të diskutuar rreth atyre që po ndodhin në vend dhe për të dalë me një qëndrim për situatën dhe për partitë politike. Ish-presidenti Moisiu, edhe më përpara se të ndodhnin përleshjet mes protestuesve dhe policisë apo kjo mënyrë komunikimi e ashpër mes opozitës dhe maxhorancës, u ka bërë thirrje palëve që të ulen dhe të diskutojnë me qetësi për zgjidhjen e krizës politike. Moisiu tregoi se i ka ndjekur me shqetësim ngjarjet e datës 21 janar, të cilat e kanë kthyer Shqipërinë vite mbrapa dhe ka vlerësuar se të tilla ngjarje janë të padenja për një vend anëtar të NATO-s dhe që aspiron për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Demonstrata e opozitës në 21 janar degjeneroi në një përplasje të ashpër të protestuesve me forcat e policisë dhe të Gardës së Republikës. Jehona e asaj dite që përfundoi në mënyrë tragjike me 3 viktima dhe dhjetëra të plagosur, ishte e madhe edhe në mediat ndërkombëtare. Një pjesë e madhe e drejtuesve të lartë evropianë, por edhe nga SHBA-ja kanë bërë thirrje për ndalim të dhunës dhe qetësim të situatës politike në vend. Ndërkohë që edhe ish-figura të larta të shtetit shqiptar dënuan ngjarjet dhe kërkojnë që gjithsecili të marrë përgjegjësitë dhe të zgjidhet kriza.
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›