E Diel, 1 Nëntor 2026

Moisiu: Korrupsioni? Nuk shohim të ndëshkohen ministra

Ish-kreu i shtetit shqiptar, Alfred Moisiu, ka deklaruar se korrupsioni në Shqipëri është një fenomen që në vend të frenohet, shtohet dita ditës. Duke folur në një aktivitet ku kanë marrë analistë të organizatës FRIDE, si dhe të fondacionit “Soros”, ish-presidenti i Republikës nga viti 2002 deri në 2007, ka theksuar se për shkak të korrupsionit, në Shqipëri preken vetëm ata që cilësohen si “peshqit e vegjël”. “Të gjithë biem dakord që korrupsion Shqipëria ka, por e keqja është se korrupsioni, pavarësisht se flitet dhe përflitet kur reagojmë, ai vazhdon të rritet, në vend që të pakësohet”, tha ish-presidenti Moisiu, i cili më pas ka analizuar fenomenin, duke drejtuar gishtin te politika, që ndikon në mospavarësinë e institucionit kryesor të akuzës. “Unë them që prokuroria merr atë që i servir politika. Nuk flas për një polic apo infermier, por për figura me peshë, pasi politika e bën këtë me ndonjë kokë turku. Por njerëzit me peshë, apo ndonjë ministër në bankën e të akuzuarve, deri tani nuk e kemi parë”, u shpreh ish-kreu i shtetit. Moisiu ka sjellë si shembull ngjarjen më të freskët të ndodhur dy ditë më parë në Kosovë dhe duke e krahasuar me situatën në Shqipëri. “Ndoqëm lajmet nga Kosova, sesi policia kontrolloi shtëpinë e ministrit të Transporteve dhe nuk u bë ndonjë kiamet. Nuk u fol as për imunitet, as për gjëra të tjera dhe vetë ministri mbajti qëndrim korrekt, por edhe qeveria nuk u shqetësua”, ka deklaruar ish-Presidenti, i cili në mënyrë të menjëhershme e ka transferuar situatën në Tiranë. “Pa bëje provë këtu, jo të kontrollosh, por dhe të flasësh kundër një ministri, do fillojnë indirekt dhe mediat pranë qeverisë dhe mediat gjoja neutrale të sulmojnë ç’është ky që flet”, insistoi Moisiu. Ndërkaq, ish-presidenti ka folur edhe për situatën e mediave në vend, sipas të cilit ende në Shqipëri nuk ka media të pavarura, por Moisiu mendon se këtu secila parti ka mediat e saj. Korrupsioni është fenomeni që gjerësisht në raportet ndërkombëtare cilësohet si plagë e rëndë. Në raportet më të freskëta, si organizata FRIDE, ashtu edhe “Freedom House”, theksojnë mosdënueshmërinë e korrupsionit. Edhe në rezolutën e fundit që pritet të miratohet nga Parlamenti Europian, mendohet të ketë një kapitull të veçantë për këtë fenomen.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›