E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doganat pengojnë Korridorin VIII

Natalia Cea: Duhet liberalizim procedurash. Gjymishka: Edhe shkëmbim informacioni

Katër shtete, si Italia, Shqipëria, Maqedonia dhe Bullgaria kanë firmosur dje marrëveshjen për ndërtimin e Korridorit VIII, duke u dhënë rëndësi linjave të transportit dhe strategjinë që duhet ndjekur. Por gjatë forumit, ku merrnin pjesë ekspertë ndërkombëtarë, rezultoi se pa një sistem modern dhe të integruar doganor, projekti i Korridorit VIII bëhet i pavlefshëm. Në këtë pikë, duke analizuar sistemet që aplikojnë katër vendet, mësohet se ka ende punë për të bërë, sidomos pjesa që i takon Shqipërisë. I ndarë në disa panele diskutimi, konferenca rajonale, “Korridori VIII: një urë mes Adriatikut dhe Detit të Zi”, te diskutimet mbi problemet dhe sistemet doganore, u theksua rëndësia që ka liberalizimi i procedurave të kontrollit, sidomos për linjat transitit, si dhe rrugët që duhen ndjekur në mënyrë për të shmangur burokracitë. Natalia Cea, njohëse e mirë e sistemit tonë doganor, drejtore e zyrës së bashkëpunimit ndërkombëtar dhe asistencës për doganat, e vuri theksin te procedurat doganore që duhet të ndjekin pikat kufitare të katër vendeve.

“është shumë e rëndësishme aplikimi i sistemit one-stop-shop, pra në një sportel të vetëm. Maqedonia ka nisur ta aplikojë, e këtë gjë duhet ta bëjë edhe Shqipëria, natyrisht me ndihmën tonë dhe të BE-së”, tha Cea. Sipas saj, aplikimi që bëjnë disa vende të rajonit, duke kërkuar tri kontrolle për të njëjtën ngarkesë, nuk i shërben Korridorit VIII, i cili synon linja të shpejta transporti dhe pa burokraci.

“Ne kërkojmë uljen e kohës dhe më pak kosto në dogana, e kjo gjë, vendet e rajonit, përfshi dhe Shqipërinë, duhet ta shikojnë me kujdes. Nevojitet patjetër dixhitalizimi i të dhënave, sidomos për linja transit”, vijoi Cea, e cila prezantoi projektin “Mezzogiorno-Balkan Custom Project”, me mbështetje nga BE-ja.

I pranishëm në panel ishte edhe drejtori i sapoemëruar i Doganave, Flamur Gjymishka, i cili trajtoi çështjen e shkëmbimit të informacionit.

“Për administratën tonë doganore është shumë e rëndësishme shkëmbimi i informacionit, madje do të ishte më mirë sikur të përcillej paraprakisht, në mënyrë që biznesi të mos vonohet në sportel”, tha Gjymishka. Kreu i Doganave tha se nevojitet rishikimi i strukturave operative, si dhe forcimi i linjave të teknologjisë informative të avancuara.

Gjithashtu, në këtë konferencë u paraqitën edhe rezultatet e një studimi fizibiliteti të kryer nga Agjencia Italiane e Doganave, në bashkëpunim me administratën doganore shqiptare, bullgare dhe maqedonase: studimi bën një analizë të dobishme për procedurat doganore aktuale, ndërsa vë theksin mbi aspekte pozitive dhe dobësitë e sistemeve të zhdoganimit, duke sugjeruar thjeshtëzime dhe përmirësime, me qëllim eliminimin e barrierave jo lëndore.

Korridori VIII është një prej korridoreve të rrjetit europian të transporteve i njohur nga Bashkimi Europian: një lidhje intermodale Perëndim-Lindje mes zonave paneuropiane të transportit, deteve të Adriatikut e Jonit dhe Detit të Zi, që nis nga portet e Barit e Brindisit (Itali) dhe mbërrin në ato bullgare të Detit të Zi, pasi përshkon territorin shqiptar, maqedonas dhe bullgar.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›