Bursa për mjekët, trajtim për sëmundjet e vështira
Për herë të parë, Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar një marrëveshje me spitalin universitar në Vatikan, “Agostino Gemelli”. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i shoqëruar nga zëvendësi Bardh Spahia, ka zhvilluar dje një vizitë zyrtare në Vatikan. Njëkohësisht është nënshkruar një marrëveshje me qendrën e kërkimit dhe zhvillimit profesional, “Gjon Pali 2” dhe me universitetin katolik “Zemra e Shenjtë”.
Marrëveshja konsiston në trajtim pacientësh për patologji, të cilat nuk mund të kurohen në Shqipëri. Po ashtu, sipas marrëveshjes së palëve parashikohet edhe trajnim për personelin mjekësor dhe infermieristik. Sipas bisedimeve, në bazë të kësaj marrëveshjeje, bashkëpunimi do të konsistojë edhe në dhënien e bursave studimi për mjekë, infermierë dhe menaxherë shëndetësorë dhe asistencë të mjekëve italianë në Shqipëri. Njëkohësisht delegacioni shqiptar ka zhvilluar takime edhe me presidentin e spitalit “Bambino Jezu”.
#