Jep dorëheqjen drejtori i Doganave Endri Pema
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Endri Pema ka dhënë dorëheqjen nga posti që mbante prej një viti. Kjo ishte hera e tretë që nga ana e tij paraqitej një kërkesë e tillë, por që tashmë është bërë zyrtare dhe në krye të Doganave është emëruar Flamur Gjyrmishka, që deri dje mbante postin e nëndrejtorit të Përgjithshëm. Ish-kreu i Doganave Pema ka kërkuar dorëheqjen një muaj pas marsit, i cili ishte edhe muaji më i mirë i këtij viti sa i përket realizimit të të ardhurave nga ana e institucionit që ai drejtonte. Nëse për marsin plani i Doganave parashikonte një realizim të të ardhurave në shifrën 9 miliard e 331 milionë lekë, në fund të muajit u realizuan 11 miliardë e 68 milionë lekë, pra një realizimin 118.62% në total. Ndërkohë që për shkurtin dhe janarin performanca e Doganave nuk u paraqit aspak pozitive, sikurse ndodhi me muajt e fundit të vitit të kaluar tetorin dhe nëntorin, ku realizimi ishte shumë larg planit të parashikuar të të ardhurave. Emërimi i Pemës në krye të Doganave u bë pikërisht gjatë muajit prill të vitit të kaluar. Gjatë një viti në këtë post Pema ka bërë tre herë kërkesën për dorëheqje dhe vetëm tani kjo kërkesë u pranua.