E Diel, 1 Nëntor 2026

Moisiu: Partitë me dy standarte ndaj Kushtetutës

Ish-presidenti Alfred Moisiu deklaroi sot se Shqipëria po hyn në vitin e 21 të tranzicionit çka përbën më të gjatin e vendeve të rajonit. Duke folur në një tryezën mbi "realitetin aktual në Shqipëri dhe sfidat e ardhshme Kushtetuese dhe Ligjore", Moisiu tha se ndryshimet më të rëndësishme Kushtetuese u bënë në vitin 2008 pavarësisht se ajo ishte një kontratë e qytetarëve me sistemin politik.

“Dy partitë shkelën kontratën me qytetarët. Ndryshimet nuk ishin formale por prekën thelbin e funksionimit të institucioneve. Disa ndryshime dobësuan institucionet dhe u dhanë fuqi partive si psh zgjedhja nga një mazhorancë e vetme e presidentit i cili zgjedh gjithçka më pas në këtë rrugë. I vetmi që mrekullisht i shpëtoi këtyre ndryshimeve ishte Avokati i Popullit. Në këtë këndvështrim kemi të drejtë të kthejmë sytë nga Kushtetuta për të analizuar çfarë ka shkuar mirë e çfarë duhet përmirësuar”, ka theksuar Moisiu.
 

Ai ka theksuar më tej se shqetësuese mbetet zbatimi i legjislacionit ndërsa shtoi se kultura për zbatimin e ligjit përveçse një problem qytetar është së pari problem politik.
 

“Të gjithë e dimë se ka vendime të Gjykatës Kushtetuese për prishjen e ligjeve dhe ligje antikushtetuese por vazhdon sjellja me dy standarde ndaj Kushtetutës dhe ligjeve. Nëse kthejmë sytë nga sistemi qeverisës i përcaktuar në Kushtetutë të gjithë e pranojmë se zgjedhja ishte e mirë ndërsa në vitin 2008 u prish kjo balancë. Vitin e ardhshem kemi zgjedhjet e Presidentit i cili perfaqeson unitetin e popullit. Nje nderhyrje e duhur do te ishte zgjedhja nga populli e tij dhe jo nga një mazhorance e caktuar”, shtoi Moisiu.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›