Reforma zgjedhore, BE përshëndet konsensusin
Këshilli i jashtëm i Bashkimit Evropian mirëpret hapat e fundit pozitiv sa i takon bashkëpunimit midis qeverisë dhe opozitës në ngritjen e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore . Në një raport të publikuar nga Këshilli në pjesën për Shqipërinë thuhet se mirëprietet edhe nritje e një grupi pune për reformën në rregullat dhe procedurat e funksionimit të parlamentit.
“Po ashtu edhe përfshirjen në axhendën e punës për miratim të ligjeve që kërkojnë shumicën e cilësuar prej 3/5 e votave çka ka bërë të mundur miratimin e tre ligjeve të para. Këto hapa pozitivë duhet ti shërbejnë tejkalimit të ngërçit që ka karakterizuar dhe dominuar skenën politike. Zgjedhjet lokale të Majit u vlerësuan në përgjithësi si konkurruese dhe transparente. Ende, procesi zgjedhor u karakterizua nga probleme të cilat duhet të adresohen mbi bazën ligjore në procesin e reformës zgjedhore. Në tërësi, Shqipëria ka bërë një progres të limituar në përmbushjen e kriterit politik të anëtarësimit dhe 12 prioritetet që konsiderohen kyç për hapjen e negociatave të pranimit”, thuhet në raport.
Gjithashtu Këshilli inkurajon qeverinë dhe opozitën të ndërtojnë mbi këto hapa pozitiv, një rikthim të plotë dhe substancial të dialogut konstruktiv politik në mbështetje të funksionimit të duhur dhe pavarësisë së institucioneve demokratike, veçanërisht për parlamentin dhe gjyqësorin.
Në përputhje me konkluzionet e 20 qershorit 2011, Këshilli inkurajon autoritetet shqiptare të intensifikojnë përpjekjet për axhendën e reformave, veçanërisht në përmbushjen e 12 kritereve. Përpjekje të mëtejshme kërkohen veçanërisht në fushat që përfshijnë gjyqësorin, luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit ashtu sikurse mbrojtjen e minoriteteve dhe të drejtave të pronës.
Raporti thekson më tej se është thelbësore qeveri dhe opozita, të bashkëpunojnë edhe me shoqërinë civile në mënyrë që reforma zgjedhore të përfundojë para zgjedhjeve të ardhshme dhe të adresojë të gjitha rekomandimet e bëra nga OSBE/ODIHR-i të bëra që nga viti 2007.
“Sapo këto kërkesa të përmbushën, Shqipëria do të jetë e gatshme të lëvizë përpara drejt Bashkimit Evropian në përputhje me konkluzionet e dhjetorit 2010”, përfundon raporti.