E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moisiu: Qeveria e re? S’ka hedhur ende vellon, duhet të shohim programin

TIRANE - Ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu i pyetur dje nga “Gazeta Shqiptare” për dy vendimet e marra nga Këshilli i Ministrave dy ditë më parë për lejimin e importit të mbetjeve nga Greqia dhe Italia ka thënë se i shikon me dyshime dhe si vendime për të favorizuar klane të caktuara. Ish-kreu i shtetit u bë pjesë e “Aleancës Kundër Importit të Plehrave” duke nënshkruar kërkesën për referendum dhe aso kohe ai ka thënë se kjo është një çështje delikate, e cila duhet trajtuar me qetësi dhe largpamësi për të mbrojtur mjedisin e vendit. Qeveria në ikje, sipas tij ka ende afat për të marrë vendime, por jo për një çështje që jo vetëm Gjykata Kushtetuese është shprehur shumë qartë, por edhe qytetarët shqiptarë kanë folur nëpërmjet mbledhjes së firmave. Ish-presidenti Moisiu është pyetur nga “GSH” edhe për qeverinë e re, por ai ka preferuar të mos e komentojë, sepse sipas tij është ende herët dhe çdo koment i parakohshëm mund të merret si paragjykim. “Velloja nuk është hedhur”, - tha ish-presidenti Alfred Moisiu në lidhje me qeverinë e re, duke mos preferuar të komentojë para kohe ‘nusërimin’ e kabinetit të ri që do nisë detyrën në shtator.
Si e gjykoni vendimin e marrë para dy ditëve për lejimin e importit të mbetjeve nga qeveria në ikje?
Vendime të tilla nuk e di pse duhen marrë tani, sepse për këtë çështje ka edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vendosur në favor të referendumit për ndalimin e importit të mbetjeve në vendin tonë. Nuk e kuptoj fare! Unë e kuptoj që kjo qeveri ka akoma afatin e saj për të marrë vendime, por kjo është për gjëra të rëndësishme, jo për këto probleme, kjo është një kërkesë që vjen për favorizim të klaneve të caktuara. Për këtë çështje qytetarët kanë folur nëpërmjet mbledhjes së firmave për mbajtjen e referendumit kundër importit të mbetjeve dhe do të flasin sërish në dhjetor.
Çfarë mendimi keni për qeverinë e re, e cila do nisë funksionin në shtator?
Qeveria e re nuk ka ‘hedhur vellon’, është para kohe të flasim, mund të merret si paragjykim.
Përbërja e qeverisë dhe emrat e ministrave janë bërë publike, çmendim keni?
Gjithsesi të flasësh tani kur dihen vetëm emrat e kabinetit është sërish herët. Duhet të shikojmë programin, punën në muajt e parë. I qëndroj mendimit se komenti i parakohshëm kur ‘velloja nuk është hedhur’ ende është paragjykim. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›