E Diel, 1 Nëntor 2026

Moisiu Se shpejti dorezojme mendimet ne Kodin Zgjedhor

Intervistë Ish-presidenti: Zgjedhjet e 8 majit duhet të jenë të lira e të ndershme

Ish-presidenti Alfred Moisiu shprehet se forumi që ai drejton është duke përgatitur amendime dhe sugjerime për Kodin Zgjedhor në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme lokale të majit. Në një intervistë për “Shqip”, Moisiu flet për strategjinë që grupimi i juristëve dhe intelektualëve të drejtuar prej tij do të ndjekë për t’i imponuar politikës shqiptare zgjidhje me të mira dhe jo vetëm për Kodin Zgjedhor. Nga ana tjetër, ish-presidenti e shikon sjelljen e politikës shqiptare aktualisht si të papërgjegjshme dhe thekson se ndihma dhe sugjerimet e një poli të tretë janë një domosdoshmëri për një të ardhme më të mirë të vendit.

Zoti Moisiu, ju jeni një drejtues i forumit Civil të themeluar gjatë këtij viti. Cili do të jetë programi i punës tuaj për vitin 2011?

Në dhjetor të 2010-s u shpall organizimi i forumit dhe qëllimet e tij janë paraqitur në një deklaratë të posaçme. Ashtu siç është bërë e njohur, forumi ka vazhdimësi në punën e tij që shtrihet në 2011, por mbase edhe më tej në varësi të problematikave që mund të dalin rrugës. Ne në deklaratën tonë kemi paraqitur disa probleme madhore, që mendojmë se kanë nevojë vërtet për sugjerime nga opinioni publik, nga inteligjenca shqiptare, për t’ia sugjeruar politikës tonë. Në këtë kuadër, tashmë ne po merremi me sugjerimet që mendojmë të bëjmë për Kodin Zgjedhor nisur nga fakti se jemi përpara zgjedhjeve të majit të vitit që vjen. Më pas ne do të vijomë me problemet e tjera që i kemi renditur në deklaratë. Qëllimi ynë është që t’u parashtrojmë politikëbërësve shqiptarë disa mendime, në disa zgjidhje të cilat konsiderohen si të përshtatshme nga ana e pjesëtarëve të forumit tonë. Marrja e kësaj nisme ka ardhur si rezultat i nevojës i dëgjimit të një pale ose poli të tretë. Ne nuk duam të ndërhyjmë si në pykë, por duam të shfaqim mendimin tonë për të rrezatuar mundësinë e zgjidhjeve të reja më të përshtatshme. Po kështu, ne nuk synojmë të bëjmë një Kod Zgjedhor, sepse kjo nuk është detyra jonë. Por në disa pika ku janë krijuar ngecje kemi si synim t’i çlirojmë. Ne themi që zgjedhjet që ne kryejmë janë të lira dhe të ndershme, të lira janë, por për të ndershme, kjo çështje duhet parë. Ne kemi ndërmend të japim sugjerime pikërisht në ato vende ku mendojmë se cenohet ndershmëria e tyre dhe sesi mund të evitohet. Unë nuk e di sesi do të vendosë Parlamenti shqiptar, do ta mbajë këtë Kod apo do të bëjë amendime. Por ne mendojmë se këto amendime janë të nevojshme. Po kështu ka nevojë për të zënë disa shtigje në legjislacionin zgjedhor, dhe kjo duhet bërë menjëherë. Ne normalisht që kemi probleme në Kod, sepse nëse nuk do të kishte nuk mund të ndodhte që kriza politike të vazhdojë për një vit e gjysmë në vend.

Por me mosarritjen e konsensusit politik mes palëve, hartimi i reformës zgjedhore duket i largët. Cili është mendimi juaj për këtë reformë?

Çdo nismë e re, ka edhe vështirësitë e saj dhe ne i presim këto vështirësi. Unë dua të them që për fat të keq, zhvillimet politike të vitit tonë nisur nga qershori i vitit 2009 dhe deri tani kanë ngelur në një krizë politike të pakuptueshme dhe të panevojshme. Kjo tregon varfërinë e mendimit tonë politik dhe papërgjegjshmërinë që shfaqin ndaj shqiptarëve. Politika nuk bëhet as me inate, as me kapriçio, politika bëhet e bazuar në radhë të parë në funksion të interesave të vendit dhe po kështu të popullit tonë. Në këto raste nuk mund të ketë këmbëngulje absurde, por duhet të ketë ballafaqim mendimesh dhe arsyetim për të gjetur zgjidhjen më të mirë të përshtatshme. Asnjeri nuk mund të pretendojë se e ka të vërtetën gjithmonë, e drejta del nëpërmjet debatit politik, duke bërë lëshimet reciproke, për të arritur më të mirën e duhur në kohën e caktuar. Për mendimin tim, këto që po ndodhin nuk janë shenja të një pjekurie politike. Mbrojtja e guaskës të ligjit dhe Kushtetutës, po sjell abuzime, me këtë terminologji po abuzohet dhe po përdoret më shumë për të trullosur masat sesa për të realizuar atë që duhet. Do të thosha se këto mënyra të debateve politike janë shumë vetëm të dëmshme. Ne nga këto debate kemi humbur statusin e vendit kandidat në BE, kur Mali i Zi është tani kandidat dhe ka vetëm pesë vjet shtet.

A mendoni se pjesëmarrja juaj aktive në çështje të nxehta të politikës së ditës, mund t’ju sjellë edhe akuza për rreshtime politike në momente të caktuara?

Dua të them që qëllimi ynë nuk është as për të organizuar ndonjë parti, apo ndonjë lëvizje, por thjesht sugjerimi i mendimeve optimale për probleme të caktuara. Forumi ynë nuk ka ngjyrë, nuk është as rozë, as blu, as jeshil, ngjyra jonë është kuq e zi. Kjo do të thotë që ky forum do t’i shërbejë të ardhmes të vendit tonë. Sigurisht që ne e dimë dhe e kuptojmë vështirësinë me të cilën do të ndeshemi, sepse fatkeqësisht ende në vendin tonë nuk është krijuar think tank-u shqiptarë. Jo se nuk ka struktura të shoqërisë civile, të cilat janë marrë me probleme të caktuara, por ende nuk ka një organizëm që në vazhdimësi të prodhoj qëndrime të caktuara. Mbase ne mund të jemi vendi i vetëm në Europë që nuk kemi një strukturë të tillë. Kjo gjë nuk e ka mësuar politikën tonë, të dëgjoj çfarë thonë dhe të tjerët për çështje të caktuara. Nga kjo pikëpamje, ne parashikojmë se do të kemi vështirësi, sepse te politikanët tanë është i pranishëm në mënyrë të gjerë uni zmadhues. Ata mendojnë se vetëm ata kanë të drejtë. Unë nuk mund të heq të drejtën e tyre për të menduar dhe për të gjykuar, ata kanë të drejtën e tyre partiake të zbatojnë programet e tyre. Por deri tani ka rezultuar se jo të gjitha vendimet e marra prej tyre janë përputhur me interesat që ka populli dhe me të ardhmen e vendit dhe pikërisht ky është synimi ynë. Ne shpresojmë që politikanët tanë të na kuptojnë drejt dhe të na ndihmojnë për ta realizuar këtë qëllim, sepse synimi ynë është vetëm për të pasur një të ardhme më të mirë për vendin.

Z. Moisiu, cili është urimi juaj për klasën politike dhe popullin shqiptarë në vigjilje të ndërrimit të viteve?

Unë mendoj se viti i ri duhet të jetë me mendime të reja dhe për politikanët tanë. Uroj që ata të mendojnë më shumë për këtë popull për këtë vend dhe më pak për interesat dhe partitë e tyre. Po kështu, dua t’ju uroj të gjithë shqiptarëve suksese dhe arritje sa më të mëdha në vitin 2011.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›