E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama Bojkoti i zgjedhjeve lokale nuk eshte opsion

Kreu i opozitës: Rrëzimi i hetimit vërtetoi vjedhjen e votave

Beteja për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 duket se do të kapë edhe vitin e dytë. Pavarësisht se Kuvendi i Shqipërisë i tha “Jo” kërkesës së Partisë Socialiste për ngritjen e një Komisioni Parlamentar Hetimor për kutitë e materialeve zgjedhore, kreu i saj, Edi Rama, rikonfirmoi dje se në objektivat e kësaj force politike, asgjë nuk ka ndryshuar. “Shqipëria sot ka një opozitë më të fortë që nuk do të heqë orë nga transparenca, dhe herët a vonë do të bëhet. Kush i ka mbushur kutitë më 28 qershor do të dalë, sepse Saliu nuk i zhbën dot të vërtetat që kanë materialet zgjedhore. Vjedhësit do të bien në duart e publikut herët a vonë. Opozita nuk do ndalet, nuk do të ndryshojë as qëndrim, as formë, do vazhdojë të kërkojë transparencën dhe të dënojë moralisht vjedhësit e zgjedhjeve”, tha ai. Nisur nga ky deklarim duket se protestat, marrëdhënia e kushtëzuar me Parlamentin, por edhe përpjekja ndërkombëtare do të mbeten pjesë e skenës politike edhe për vitin 2011. Përndryshe, tej këtij skenari, është ende e paqartë se çfarë mund të bëjë tjetër selia rozë dhe Opozita e Bashkuar për të imponuar ndaj shumicës në pushtet një transparencë në termat e përcaktuar prej vetë saj. Rama ka garantuar gjithashtu pjesëmarrjen në zgjedhjet e 8 majit 2011, duke hedhur poshtë supozimet për një bojkot elektoral. “Mospjesëmarrjen tonë në zgjedhje e dëshiron Saliu, e ëndërron Iliri. Por ky nuk është opsion”, tha ai. Për rrjedhojë vetë dështimi i seancës së fundit të Kuvendit, përcakton kursin politik të opozitës, e cila së fundmi ka nxjerrë në sipërfaqe një opsion që e kushtëzon pjesëmarrjen në zgjedhje me garancinë politike të largimit të Sali Berishës nga pushteti. “Mbrëmë Berisha vulosi në faqen e zezë të këtij pushteti, se i ka vjedhur zgjedhjet e 28 qershorit dhe se e vërteta që ndodhet në kuti është një tmerr, një e vërtetë e papërballueshme për të”, nënvizoi Edi Rama, në një qëndrim që shfaqet si teknikë e përqendrimit të faturës së krizës tek emri i Kryeministrit aktual. Për më tepër, kreu socialist ka renditur një tërësi arsyesh madhore, të qenësishme dhe të prekshme për të gjithë, të cilat me gjasë do të përdoren si arsenal mobilizues në muajin në vijim. Protesta socialiste, të paktën teorikisht, ka lëndë të mjaftueshme për të shpërthyer potencialin e vet, meqenëse korrupsioni, situata ekonomike dhe manifestimet e saj në buxhetin familjar janë elementë jetësorë për ngjizjen e një reagimi social. Por beteja mes palëve së fundmi e ka sjellë Edi Ramën edhe në një artikulim të munguar deri më tani, lidhur me profilizimet personale që Kryeministri i bën përfaqësuesve të Partisë Socialiste dhe me të cilat jo rrallë arrin të diktojë rrjedhën e diskutimit. Si bërthamë stigmatizuese ka shërbyer koalicioni i Integrimit dhe dyshja kryesore e tij, Berisha-Meta, me të cilët kreu i PS-së ka përcjellë versionin socialist të humorit politik. “E vetmja e re që kishte e hëna nga e premtja ishte se mbrëmë Saliu erdhi i hipur mbi ponin që e ka për zv.kryeministër. S’e kam fjalën për Ferdinand Ponin, por për një lloj kali shtatshkurtër dhe shëndetbujshëm që ngjan shumë me Ilir Metën. Kalorësi Sali, duke luftuar opozitën me këmbë në tokë dhe poni Ilir hingëllinte kundër opozitës me Saliun në kurriz, ishte fotografia e plotë e një koalicioni qeveritar, të cilin e mban bashkë vetëm korrupsioni”, u shpreh Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›