Trupa e Top Channel u dhuna nga i afermi i pronarit
Pak ditë më parë, trupa televizive e “Top Channel” shkoi në qytetin e verior për të realizuar reportazhin “Padronët e dhunshëm të Bulqizës shfrytëzojnë fëmijët si skllevërit” për të treguar me fakte se vendi atje ngjason me Perëndimin e egër të dikurshëm në SHBA. Gazetari Marin Mema raportonte se atje nuk ishte mirëpritur vizita e televizionit më prestigjioz në Shqipëri. Një grup personash, njëri më agresiv se tjetri, kërcënuan dhe më pas dhunuan trupën e xhirimit të “Top Channel”, duke thyer edhe një pjesë të kamerës. Ndërhyrja e Policisë së Shtetit ka mundur të evitojë përkeqësimin e situatës, ndërsa kanë ndaluar menjëherë autorin e dhunës, duke dhënë shembullin si struktura e vetme funksionale e shtetit në këtë zonë thuajse të kthyer në një xhungël ku ligjin e bën paraja dhe forca. Pas informacioneve që u siguruan nga gazetarët shtetasi Adem Duriçi rezultoi i afërm i një prej familjeve që kanë në administrim galeri në zonën D, çka lë të kuptohet se mbërritja e tij nuk ka qenë e rastësishme. Ky shtetas u ndalua nga policia pas denoncimit të trupës televizive të “Top Channel” dhe duhet të merrej nën përgjegjësi penale për katër akuza: “goditjes për shkak të detyrës”, “kanosjes”, “fyerjes” dhe “shkatërrimit të pronës”. Por, 48 orë më pas, edhe pse Prokuroria e Peshkopisë kërkoi masën e arrestit burg pa afat, gjykatësi Ahmet Jangulli, në mënyrë absurde, liroi duke mbyllur kështu trekëndëshin krom-para-dhunë.