E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtesia me dy standarde vendime kunder mediave dhe gazetareve

Skandali

Drejtësia shqiptare vazhdon të japë vendime kundër mediave dhe gazetarëve në tërësi. Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Peshkopisë e la me detyrim paraqitjeje agresorin e trupës televizive të “Top Channel” teksa ata kishin shkuar të kryenin detyrën për informimin e opinionit publik me realizimin e një reportazhi në Bulqizë.

Kjo tregon edhe një herë tjetër se në drejtësinë shqiptare ka dy standarde, atë që çdo gjyqtar e përdor si të dojë ai. Pak muaj më parë, Gjykata e Tiranës e la në burg një prej biznesmenëve më të mëdhenj shqiptarë, i cili kishte po ashtu të njëjtën akuzë, si edhe biznesmeni nga Bulqiza, dhunimin për shkak të detyrës të një gazetari.

Çështje kjo që u shoqërua edhe me një reagim publik të komunitetit të medias. Më e pakta që mund të bënte gjykatësi në Peshkopi, ishte t’i referohej një vendimi të një gjykate më të specializuar siç është ajo e Tiranës, për një rast analog. Policia ngriti katër akuza ndaj Adem Duriçit dhe siguroi provat materiale për të katërta, por asnjë nga këto akuza nuk e bindi gjyqtarin Ahmet Jankulli.

Prokuroria kërkoi arrest me burg, por gjyqtari nuk dha as burg disaditorë, as arrest shtëpie, por i uli 4 shkallë të menjëhershme këtij vlerësimi. Cilido gjykatës shqiptar që është njohur me vendimin kupton fare mirë se si është vlerësuar kjo masë sigurie. Juristë dhe kolegë të gjykatësit Jankulli mendojnë se më e pakta ai mund të lihej në arrest shtëpie nëse do të kishte ndoshta arsye shëndetësore.

Megjithatë ky vendim flagrant në dëm të punës dhe misionit të gazetarëve, por edhe flagrant me ligjin, nuk ka shkaktuar ndonjë reagim në institucionin e vetëm që monitoron punën e gjykatësve, siç është Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Të gjendur tashmë përballë këtij vendimi, ne mund të pyesim publikisht zyrtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë se cili nga gjykatësit kishte të drejtë, ai që la në burg Rezart Taçin që goditi në një restorant gazetarin Mero Baze, apo ai që liroi Adem Duriçin që goditi dhe i theu kamerën gazetarëve të “Top Channel”, ndërsa ishin duke filmuar për llogari të punës së tyre si gazetarë.

Reportazhi i realizuar nga grupi televiziv tregonte me fakte se Bulqiza ngjasonte me Perëndimin e egër të Amerikës së para 300 viteve, ku gjithkush që zbulonte një minierë ishte pronari i saj dhe pushka ishte i vetmi mjet që bënte drejtësinë. Me profesionalizëm gazetari Marim Mema tregoi se askush nuk pranonte të fliste, sepse mbi të gjitha në qytet mbizotëron frika, pasi atje gjithçka është e lidhur me kromin, bosët e të cilit arrijnë të blejnë këtu edhe jetën, edhe vdekjen. Në dyshim të madh vihet tashmë edhe dhënia e drejtësisë për ata që denoncojnë dhunën e ushtruar nga njerëzit e bosëve të kamur nga shfrytëzimin i “skllevërve” modernë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›