Moisiu, anëtar nderi i Institutit Albanologjik të Kosovës

Këshilli drejtues i Institutit Albanologjik të Prishtinës ka shpallur ish-presidentin e Shqipërisë, Alfred Moisiu, anëtar nderi të këtij instituti, me motivacionin se është figurë e rëndësishme e integrimeve mbarëshqiptare, që ka dëshmuar angazhim konstruktiv në kohën sa ishte President dhe angazhimin e vazhdueshëm për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare.
Drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Hysen Matoshi, në vështrimin e tij për ish-presidentin Moisiu dhe çështjen kombëtare, tha se në të gjitha fazat historike, kontekstet e sistemeve shoqërore çështja shqiptare ishte bërë preokupim i shtetit amë Shqipërisë, ku sipas tij shqiptarët e mbetur nën robëri shihnin dritën e shpresës.
Në fjalën e tij, ish-presidenti Alfred Moisiu duke shprehur falënderimet, ka thënë se njeriu sa të jetë gjallë duhet të kontribuojë për shtetin dhe popullin e vet. Moisiu ka ritheksuar edhe njëherë se Kosova është krahinë e Shqipërisë duke u shprehur se kjo gjë është një realitet dhe se kjo duhet thënë me kurajë dhe pa u trembur.
Gjithashtu, në këtë ceremoni është bërë edhe një përurim i veprave të ish- presidentit Moisiu, ku këshilltari i këtij instituti, Emin Kabashi ka folur për dy vëllimet të tij me kujtime.