Hoxhaj kërkon mbështetje për njohje
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, në ditën e parë të vizitës zyrtare në Arabinë Saudite ka zhvilluar takime me diplomatë dhe përfaqësues të shteteve të Gjirit Persik, të cilët i ka informuar për progresin e Kosovës dhe proceset që e presin në rrugën e konsolidimit dhe forcimit të shtetësisë.
Hoxhaj me këtë rast ka kërkuar mbështetjen e këtyre shteteve për rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën, gjë që do të ndikonte në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit më të ri në Evropë.
Kreu i diplomacisë së Kosovës ka zhvilluar takime me përfaqësues të Arabisë Saudite dhe diplomatë të shteteve të tjera, të akredituar në këtë mbretëri, me ç’rast ka vlerësuar se njohja nga Arabia Saudite llogaritet si një ndër njohjet më të rëndësishme për Kosovën, për shkak të ndikim të madh që ka me shtetet arabe.
“Arabia Saudite ka mbrojtur fuqishëm shpalljen e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke paraqitur argumente të forta në favor të Kosovës. Ne kemi vlerësuar lart rolin që ka pasur mbretëria saudite në mbështetje të popullit të Kosovës dhe Republikës së Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.
Kryediplomati i Kosovës ka zhvilluar takime edhe me diplomatë dhe përfaqësues të lartë të shteteve anëtare të Ligës Arabe, të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.
Gjatë takimeve, Hoxhaj i ka informuar përfaqësuesit dhe diplomatët e këtyre shteteve për shtet-ndërtimin, progresin politik brenda Kosovës, trendët e zhvillimit ekonomik, si dhe për prioritet e politikës së jashtme dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Po sot, ministri Hoxhaj, është takuar edhe me përfaqësues të shteteve anëtare të Konferencës Islamike, e cila përfshinë 57 shtete myslimane në botë.
Gjatë këtyre takimeve, Hoxhaj i ka informuar diplomatët për procesin e njohjeve të Kosovës, për anëtarësimin e saj në institucione politike, financiare dhe kulturore, duke kërkuar që të kontribuojnë në njohjen e Kosovës nga shtetet islamike që nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Riad, ministri Hoxhaj do të takohet nesër me homologun e tij saudit, princin Saud Al-Faisal.