Moisiu fiton gjyqin me deputetët e PS

Ish-presidenti Alfred Moisiu
Ish-presidenti Alfred Moisiu u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Tiranës për akuzën e “shpifjes” në padinë e ngritur ndaj tij pas zgjedhjeve të për-gjithshme parlamentare të 28 qershorit 2009. Ish-kreu i shtetit u padit për “shpifje” nga deputeti i Partisë Socialiste, Asllan Dogjani. Shkak për këtë u bë një deklaratë e dhënë në media nga ana e ish-presidentit pak ditë para zgjedhjeve, në cilësinë e përfaqësuesit të “Koalicionit për Parlament të pastër”. Si përfaqësues i këtij koalicioni i formuar si grupim i disa organizatave joqeveritare, ish-presidenti paraqiti një listë me emrat e disa kandidatëve për deputet, të vlerësuar si të papërshtatshëm për të qenë deputetë në Parlamentin e ardhshëm. Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës i dha fund shqyrtimit gjyqësor, ku i pandehur ishte Alfred Moisiu, gjykim i nisur në nëntor të vitit 2009. Në përfundim, gjykata vendosi deklarimin e pafajshëm të ish-presidentit. Sipas Gjykatës, Moisiu vetëm e ka lexuar listën me emrat e deputetëve “të papëlqyeshëm”, por nuk ka qenë kontribut i tij.
ARSYETIMI
Në vendimin e pafajësisë për ish-presidentin, Gjykata e Tiranës argumenton se “Përmbajtja e raportit të Koalicionit Për Parlament të pastër përbën një analizë opinionale të një grupi organizatash joqeveritare në lidhje me kandidatët për deputet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009 dhe jo një parashtrim faktesh konkrete dhe të pavërteta në raport me secilin prej tyre, sikurse pretendon i dëmtuari akuzues”. “Natyra opinionale e raportit materializohet dhe në përfundimet e arritura prej tij, të cilat në thelb pasqyrojnë mendimin dhe vlerësimin e një grupi organizatash joqeveritare në lidhje me figurën e kandidatit për deputet Asllan Dogjani”, thuhej në vendim. Po sipas Gjykatës, rezulton e provuar nga dëshmitë e administruara në gjykim se vlerësimi i kandidatëve për deputet, përtej faktit që nuk përmban përhapje informacionesh, por vetëm prezantime opinionale, nuk rezulton të jete realizuar e më pas përhapur nga i akuzuari Alfred Moisiu. “Ky i fundit vetëm ka prezantuar në fjalën hapëse te konferencës qëllimin e projektit të Koalicionit për Parlament të pastër, por nuk ka marrë pjesë në procesin e vlerësimit dhe prezantimit të listës së kandidatëve të papërshtatshëm për zgjedhje, ku përfshihet dhe i dëmtuari akuzues Asllan Dogjani”, thuhej në vendim. Pas zgjedhjeve të 28 qershorit, ish-presidenti Moisiu u padit edhe nga dy kandidatë të tjerë të përfshirë në “listën e zezë”, padi të cilat u pushuan nga gjykata.
Armand Bajrami