Molieri në një fshat shqiptar
Intervistoi: Suela Furriku
A mund ta imagjinoni Molierin sikur të ketë shkruar një vepër në versionin tipik në një fshat shqiptar?! Absolutisht jo. Por regjisori francez, Franc Helmer, frymëzuar nga vepra e Kadaresë, ka përshtatur një dramaturgji të Molierit, titulluar “Zhorzh Dandin” me veprën “Kush e solli Doruntinën?”. Helmer nga ka treguar se si marrin rrugë inspirimet e tij nga më të çuditshme dhe rasti në Shqipëri është vepra e tij e fundit, duke na siguruar për një vepër krejtësisht aktuale në një fshat puro shqiptar.
“Jam frymëzuar duke lexuar veprën e shkrimtarit Ismail Kadare, një roman që titullohet “Kush e solli Doruntinën?”, i cili tregon fatin e një martese fatkeqe, sepse Doruntina është martuar me një të huaj. Kjo martesë sjell në të njëjtën kohë edhe fatkeqësinë. Kështu që kjo ishte edhe ideja që mua më inspiroi që të vija në skenë pjesën “Zhorzh Dandin””, - shprehet regjisori Helmer. Por kjo vepër për herë të parë në skenën tonë, do të ngjitet në dy gjuhë. Kësaj here Molieri do të vijë në versionin shqip dhe atë frëngjisht, të interpretuar nga aktorë profesionistë dhe amatorë shqiptarë në Teatrin e Metropolit.
Keni ardhur posaçërisht nga Franca për të vënë një shfaqje në Teatrin e Metropolit, në bashkëpunim me aktorë shqiptarë. Për ç’shfaqje bëhet fjalë?
Ky është një projekt kulturor, që organizohet në Teatrin e Metropolit, nëpërmjet këtij institucioni dhe kontributit të aleancës franceze këtu në Tiranë. Ndërkohë që kjo e fundit përfaqëson ambasadën franceze në kryeqytet. Ky është një projekt shumë i veçantë, që ka të bëjë me interpretimin e shfaqjes, në dy gjuhë të ndryshme në të njëjtën kohë, në gjuhën shqipe dhe atë franceze. Është një shfaqje e ndarë në dy pjesë me dramaturgji të Molierit. Pjesa titullohet “Zhorzh Dandin”, e cila përmban ngjarje që ndodhin në shekullin e 17-të dhe që zhvillohen në një fshat. Edhe pse subjekti parashikon këtë strukturë, ne duam që ta përshtatim këtë pjesë në një fshat tipik tradicional shqiptar.
Çfarë tregon konkretisht pjesa?
Pjesa përshkruan një martesë fatkeqe të ndodhur në një fshat shqiptar. Është historia e një fshatari shumë të pasur që është martuar me një grua aristokrate, e cila kishte një ekonomi të rrënuar. Duhet të theksoj se aristokratët në fjalë janë të huaj dhe jo shqiptarë. Pra, do të jetë fjala për një martesë që zhvillohet jashtë klanit tradicional.
Kjo është një shfaqje bilinguale, pra në gjuhën shqipe dhe në atë franceze, cila është arsyeja e kësaj ndërthurjeje?
Jam frymëzuar duke lexuar veprën e shkrimtarit Ismail Kadare, një roman që titullohet “Kush e solli Doruntinën?”, i cili tregon fatin e një martese fatkeqe, sepse Doruntina është martuar me një të huaj. Dhe kjo martesë sjell në të njëjtën kohë edhe fatkeqësinë. Kështu që kjo ishte edhe ideja që mua më inspiroi që të vija në skenë pjesën “Zhorzh Dandin”.
Si do ta realizoni ju artistikisht këtë pjesë?
Përderisa ne do ta sjellim këtë pjesë në formën tradicionale shqiptare, në të njëjtën kohë do të shoqërohet edhe me folklorin shqiptar. Kjo do të thotë se nuk do të mungojnë këngët dhe vallet tipike shqiptare me pjesëmarrjen e Teatrit të Metropolit, Akademisë së Arteve, Ansamblin e Tiranës, që përfshinë këngëtarët, valltarët dhe instrumentistët. Ne kemi gjithashtu edhe dy profesorë të Akademisë së Arteve që do të marrin pjesë, një si pedagog i artit dramatik, i cili është Alert Çelo Alia, por do të kemi po ashtu edhe dy studentë të Akademisë që do të ndihmojnë në regjinë e pjesës. Gjithashtu kemi edhe pjesëmarrjen e dy aktorëve profesionistë, siç është zoti Alert dhe Adelina Muça, që janë në të njëjtën kohë edhe frankofonë. Kemi angazhuar po ashtu edhe studentë të aktrimit, por në këtë rast do të jenë amatorë në bazë të udhëzimit të konsullatës franceze në Shqipëri, e cila dëshironte të integroheshin edhe studentët. Kemi mbi tre javë që kemi filluar me provat dhe mendojmë se mund ta shfaqim premierën më datë 28 mars.
Në skenën shqiptare është hera e parë që vihet një pjesë dygjuhëshe, ndërkohë që jeni besuar ju për ta drejtuar atë. Si e vlerësoni këtë fakt?
Për mua nuk është hera e parë që vë në skenë pjesë të tilla në dy gjuhë, pasi kam pothuajse gjithë jetën që identifikohem me shfaqje të tilla në shumë vende të botës. Kam shfaqur në skenë pjesë të një filozofi dhe perandori në Moskë, e cila interpretohej në rusisht dhe frëngjisht me aktorët e teatrit “Majkovski”. Pothuajse, gjatë gjithë karrierës sime kam vënë në skenë pjesë teatrale me dramaturgji të Molierit, për shembull në vende frankofone si në Marok, ose në vende të tjera arabofone, si në Katar, Guinenë Ekuatoriale etj. Kam ndjekur të njëjtën metodë, pra për të dhënë shfaqje në gjuhën franceze dhe në gjuhën përkatëse, amtare të çdo shteti ku kam shkuar.
Molerin e keni shëtitur në shumë vende të botës, pse kjo zgjedhje?
E njoh shumë mirë Molierin, si dhe është një autor që ka një mënyrë të veçantë të shkruari, ku e gjithë bota e kupton atë. Edhe pse nuk mund të kuptohet nga gjuha, çdo popull e kupton, pasi trajton atë që ne përjetojmë. Synimi në të gjitha pjesët e tij është që të bëj një përshtatje dhe një adaptim me çdo skenë të huaj në nëpër botë. Në karrierën time artistike nuk është se kam vëmë vetëm Molierin, por që të bëjmë të njohur teatrin francez në të gjithë botën. Ndërkohë që më lejoni të bëj të ditur edhe një konstatim timin, nëse krahasojmë skenën shqiptare me atë ruse, ku kam vënë shumë shfaqje. Mendoj se Shqipëria është më e hapur ndaj vendeve frankofone, krahasuar me Rusinë.
Si e keni pritur ftesën për ardhjen tuaj në Shqipëri?
E kam mirëpritur ftesën dhe isha shumë i kënaqur që unë do të vija në Shqipëri, pasi nuk e njihja aspak. Edhe në Francë fatkeqësisht vendin tuaj e njohim shumë pak. Kemi artistë shqiptarë në Francë që janë shumë të njohur. Mitrovica, e cila ka qenë në akademinë franceze dhe një kërcimtar, Angjelo. Po ashtu, Shqipërinë e njoh edhe nëpërmjet sopranos së talentuar Inva Mula. Janë këta tre artistë që janë shumë të njohur në Francë dhe kanë origjinë shqiptare. Për fat të keq, këta persona unë i kam parë si e vetmja urë komunikimi dhe lidhëse ndërmjet Shqipërisë dhe Francës.
Si e keni imagjinuar atëherë Shqipërinë dhe si e keni gjetur atë në të vërtetë?
Në fakt nuk ishte e njëjta gjë. Mënyra se si e kisha imagjinuar unë nuk ishte njësoj me atë çka kam gjetur në realitet. Kisha vetëm disa ide të përgjithshme për Shqipërinë, ashtu siç kanë të gjithë francezët.
Cilat janë këto ide, në të vërtetë?
Ideja kryesore ishte që Shqipërinë e imagjinonim të izoluar dhe të mbyllur për 50 vjet. Para disa vitesh kam qenë në Greqi dhe i kemi rënë rrotull Shqipërisë, pa depërtuar në brendësi të saj. Nuk kam pasur rastin që të vija këtu dhe për këtë unë kam shumë pak informacion për këtë shtet.
Bashkëpunimi me të rinjtë në Shqipëri, si po ju duket?
Janë si të gjithë të rinjtë, të cilët sjellin shumë gjëra të reja dhe shpikjet e tyre. Ne kemi një aktore që quhet Marsela që luan me ide, krijime dhe shpikje. Ajo çfarë kam kuptuar deri tani është se ka një interes nga të rinjtë për frankofonin.
Me aq sa keni parë, si e gjykoni artin tonë?
Me aq sa kam parë deri tani, doja të thosha se organizohen shumë aktivitete për muzikën. Kam ndjekur një koncert shumë të mirë në opera që vinte nga “Virtuozët” dhe drejtohej nga Zhani Ciko. Po ashtu kam dëgjuar edhe një tjetër koncert simfonik të Josef Hajden e përgatitur nga profesorët. Ishte edhe një shfaqje e Monte Verdit, të cilën doja ta ndiqja por nuk munda të shkoja. Kam parë edhe një koncert tjetër që organizohej nga ambasada çeke, e gjithashtu edhe një pjesë operistike, që titullohej “Norma”. Në këtë opera kam parë një këngëtare shqiptare që ishte shumë e mirë, e cila quhej Eva Golemi, si dhe koncerte të tjera. I them këto sepse dua të shpjegoj që kam vënë re se këtu ka gjithnjë koncerte. Në planin kulturor them se ka shumë aktivitete, si në atë muzikor, të cilin sapo e përmenda, por edhe në artin vizual, por për momentin nuk e kam vizituar dhe nuk mund të jap ndonjë përshtypje për të.
A keni ndërmend ta vizitoni?
Normalisht, këtu kam ardhur për të punuar dhe kam mbi tre javë që angazhohem me këtë projekt. Mund të shkoj në mbrëmje pas koncerteve. Por ajo çfarë kam konstatuar deri tani është se ka aktorë shumë të mirë profesionistë, flas për ato që kam njohur dhe punuar deri më tani, Alerti dhe Adelina. Jam shumë i kënaqur që punoj këtu dhe nuk mund të them gjë tjetër që ne po punojmë.
Pas këtij projekti, a do të vini më në Shqipëri, qoftë edhe si turist?
Si fillim dua të them se këtë shfaqje, që do të shfaqë së shpejti, ta prezantoj edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Mendoj se do të ishte një gjë shumë e mirë. Do të ishte fantastike që edhe të bëja një turne, por edhe të vizitoja Shqipërinë njëkohësisht. Nuk e di nëse është e parashikuar, apo jo, por le të shpresojmë, gjithsesi.