Enel, marrëveshje me Konfidustrinë për parkun energjitik të Porto Romanos
Enel dhe Konfindustria Shqiptare nënshkruajnë marrëveshje në Shqipëri për të mbështetur zhvillimin e kompleksit energjitik të Porto Romanos. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje Enel-i do të bashkëpunojë me kompani të kualifikuara shqiptare, në zbatimin e programeve dhe projekteve në vend, me një fokus të veçantë në ndërtimin e Kompleksit Energjitik në Porto Romano. Me anë të së njëjtës marrëveshje, Konfindustria Shqiptare me president Ing. Hajredin Fratari do të mbështesë Kompleksin Energjitik dhe do të rrisë ndërgjegjësimin në radhët e anëtarëve të saj duke i ofruar në të njëjtën kohë Enel- Albania-s asistencë teknike rreth projekteve të kompanisë. Kompleksi Energjitik në Porto Romano do të prodhojë energji në ngarkesë bazë që është themelore për zhvillimin e balancuar të prodhimit miks shqiptar dhe për tërë zhvillimin ekonomik të vendit. Enel Albania sh.p.k (që këtu e në vijim: Enel Albania), një kompani pjesë e Enel Group dhe Konfindustria Shqiptare, bashkim i pavarur i biznesit që operon në Shqipëri me president ing. Hajredin Fratarin, kanë nënshkruar dje një memorandum mirëkuptimi për një bashkëpunim më të afërt në kuadrin e zhvillimit të projekteve energjetike në vend. Nëpërmjet këtij memorandumi Enel Albania dhe Konfindustria Shqiptare bien dakord që t’i konsiderojnë iniciativat e Enel-it në Shqipëri dhe veçanërisht zhvillimin e Kompleksit Energjitik, si strategjike për zhvillimin e ardhshëm ekonomik të vendit. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, Enel Albania do të bashkëpunojë me kompani të kualifikuara shqiptare për të nxitur përfshirjen e tyre në implementimin e Kompleksit Energjetik, në përputhje me dispozitat përkatëse të BE-së dhe legjislacionit kombëtar.
Nga ana e saj, Konfindustria Shqiptare do të sigurojë asistencë teknike dhe do të mbështesë ndërgjegjësimin rreth programeve të Enel-it në Shqipëri, me një fokus të veçantë në ndërtimin e Kompleksit Energjitik në Porto Romano. Kompleksi Energjitik që po zhvillohet nga Enel konsiston në ndërtimin e një termocentrali me fuqi 800 MW me qymyr të pastër, një bankinë ngarkim-shkarkimi, një linjë ajrore transmetimi me tension 400 kV e cila lidh termocentralin e ri me Rrjetin shqiptar të Shpërndarjes dhe një linjë nënujore 500 kV që do të lidhë centralin me Rrjetin italian të Shpërndarjes. Kompleksi do të prodhojë energji konkurruese në ngarkesën bazë që është vendimtare për të ardhmen e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, dhe do të ofrojë fleksibilitetin e një ndërlidhjeje të drejtpërdrejtë me Italinë për të përmirësuar kështu integrimin e të dy tregjeve të energjisë.