Familja, hendeku historik mes të majtës dhe të djathtës
Nga Nebil Çika
Është dashur deklarata e Presidentit të Bankës Botërore, Robert Zoellick, për të zhvleftësuar sulmin më të fundit që opozita dhe mediat pranë saj organizuan ndaj familjes së Kryeministrit Berisha si pjesë një fushate që ka nisur që me ardhjen në pushtet të PD-së në vitin 2005. Aq bajate janë bërë përpjekjet për të diskretituar publikisht familjen e Kryeministrit, saqë nuk besohet të gjendet më shqiptar t’i besojë më ato. Sulmi më i fundit që kishte të bënte me një projekt të BB-së për bregdetin synonte diskreditimin e dhëndrit të Kryeministrit, Jamarbër Malltezi, punonjës i këtij projekti, i vetmi nga familja që i kishte shpëtuar fushatës denigruese katërvjeçare politiko-meditatike të opozitës. Fakti që Presidenti i BB-së u detyrua t’i përgënjeshtronte në mënyrë të drejtpërdrejtë, tregon më së miri natyrën propagandistike të amplifikimit të kësaj çështjeje nga opozita shqiptare dhe mediat e saj. Zhvleftësimi zyrtar i kësaj akuze, e vetmja që media e majtë pretendonte se e kishte të faktuar, pasi i referohej raportit të BB-së, duket se u ka dhënë fund shpresave të autorëve të saj se mund të gjejnë ndonjë akuzë të vërtetë ndaj familjes së Kryeministrit. Kjo natyrisht i vë kapak edhe çdo akuze tjetër të artikuluar në shtyp apo podiume politike ndaj familjes Berisha, gjë që duket se është kthyer në modë nga opozita dhe media e saj. Nuk e kuptoj përse opozita po e vazhdon fushatën kundër familjes kryeministrore, pasi pas kaq shumë akuzash të pavërteta besueshmëria e kësaj fushate, që besoj se është edhe qëllimi i opozitës, nuk mund të pretendohet më. Por, ndërsa nuk arrijmë të kuptojmë vazhdimin e kësaj fushate donkishoteske, arrijmë shumë mirë të kuptojmë arsyet e përqendrimit të luftës politike të opozitës tek familja Berisha. Ka disa arsye të forta që opozita e majtë ta përqendrojë luftën në këtë pikë, por mendoj se dy më kryesoret janë pamundësia t’u përballur politikisht me Kryeministrin dhe inferioriteti që lidershipi opozitar manifeston përballë një prej armëve morale më të forta të Berishës, familjen. Por ndërsa pamundësia e të bërit opozitë politike nga lidershipi i opozitës është e argumentuar dhe e pranuar publikisht, devijimi i luftës politike në fushatë sulmesh personale e familjare përbën pa dyshim një perversitet më shumë se politik të kundërshtarëve të tij . Përqendrimi i luftës tek familja Berisha duket se do të mbetet parësor në politikën e opozitës njëherazi edhe shprehja e mjerimit politik të saj. Duket se strategët politikë e mediatikë të së majtës nuk kanë arritur dot të gjejnë mundësi të tjera të të bërit opozitë dhe vazhdojnë të këmbëngulin tek lufta personale dhe familjare, edhe pse janë të bindur për donkishotizmin e saj. Kemi të gjithë të drejtën të besojmë se lufta personale e familjare ndaj Kryeministrit Berisha është e motivuar jo vetëm politikisht nga lidershipi i opozitës. Pak më lart përmenda inferioritetin si arsye e kësaj lufte, gjë që evidentohet lehtësisht po t’u bëhet një krahasim historive dhe gjendjeve të familjeve të dy lidershipeve. Nuk dua të kalojmë në detaje për të mos rënë në nivelet e komunikimit të autorëve politikë e mediatikë të sulmeve ndaj familjes së Berishës, por kemi të gjithë të drejtën të vërejmë ndryshimin e madh midis familjeve të palëve në këtë debat që i kalon kufijtë e përplasjes politiko-mediatike. Çdokush mund ta ketë këtë vënë re faktin se të gjithë autorët e fushatës politiko-mediatike ndaj familjes së Berishës kanë pasur ose kanë probleme në familjet e tyre. Duket se ky realitet ka pjesën e vet motivimin dhe këmbënguljen diabolike që në pamundësi për të gjetur ndonjë provë, fakt apo dobësi kalojnë në manipulime e sajime që mbase nuk i besojnë edhe vetë. Nuk pritet e as pretendohet që sulmet kundër familjes Berisha të përbëjnë ndonjë problem politik dhe elektoral për lidershipin e mazhorancës. Besoj se sqarimi publik i Presidentit te BB-së për akuzën më të fundit të shtypit opozitar përbën edhe një përgjigje publike për çdo akuzë tjetër të sajuar ndaj familjes Berisha, duke shuar çdo shpresë për efekt elektoral të tyre. Nuk besoj që motivimi sipas proverbit “Gënje, gënje se diçka do të ngelet”, është e pamjaftueshme për të bërë opozitë. Por jo vetëm kaq. Një situatë e tillë nuk mund t’u shërbejë autorëve as për të “harruar” problemet e tyre personale e familjare si përpjekje e dështuar për të ngushtuar hendekun që i ndan nga Berisha, por edhe nga krejt e djathta në konceptimin dhe perceptimin e rëndësisë së familjes në zhvillimet e raportet personale, politike e shoqërore.