Molla e mëkatit dhe fytyrat e qeshura
Nëse do t’i bënim pyetjet, përgjigjet e tyre do të na vinin vetvetiu dhe do të kuptonim qartë se kostoja e atij pak “informacioni” që ofrohet aty, është tmerrësisht e lartë, krahasuar me kohën që shpenzohet në dalldinë tollovitëse të argëtimeve boshe. Sepse, siç ndodh në të gjitha fushat, ekziston një raport midis përdorimit dhe shpërdorimit. Shembulli më klasik, por edhe më i mprehtë, mund të sillej nga mjekësia, pikërisht nga ilaçet, të cilat përcaktohen saktësisht në masën dhe mënyrën e përdorimit... Si çdo gjë që keqpërdoret, edhe ato faqe mund të dëmtojnë kohën aktive të punës. Në raste të tilla dëmtohet vetëm përdoruesi. Nëse për pronarët e tyre trafiku i lundrimit online do të thotë pará, humbësit janë kohëbjerrës të joshur nga fytyrat e qeshura. Nëse për administratorët e tyre informacioni i dhuruar prej vizitorëve naivë është pushtet, për këta të fundit zbulimi i jetës private, ashtu si zhveshja e kalorësve nga koracat mbrojtëse, është gjithashtu edhe dobësi. PARAJA dhe PUSHTETI janë ëndrra mbarënjerëzore. Ligështia e lakuriqësia shpesh janë sëmundje të të dobëtëve. Dhe këtë lloj dobësie nuk ka frut, sado i shëndetshëm qoftë, që ta kurojë.
Altin HAXHINASTO
1.
Nëse djalli do t’i kishte ofruar Evës ndonjë frut të thartë a të hidhur, historia e njerëzimit do të kishte qenë krejt tjetër. “Molla e ndaluar” jo vetëm ishte e ëmbël, por kishte sigurisht edhe pamje joshëse e aromë të këndshme. Aq e pëlqyeshme duhet të ketë qenë, sa edhe shumë kohë pas mëkatit të parë, njerëzia e përmendnin sa herë donin të tregonin ndonjë fytyrë të bukur e të shëndetshme: “I ka faqet si molla.”
Më erdhi ndër mend kjo shprehje kur, pas ndërprerjes (jo të rrallë kohët e fundit) të dritave, u detyrova të mbyllja laptop-in dhe t’i drejtohesha bibliotekës shtëpijake, për të marrë një libër, që e pata lënë pa përfunduar “për mukajet”. Para se të filloja shfletimin, pashë se kisha shpenzuar rreth tri orë, thuajse pa produktivitet, duke lundruar në të ashtuquajturin “Facebook” - një motor kërkimi specifik, për njerëz të gjallë, të dhënat e tyre vetjake, që pasurohet që nga fotot e tyre, me ngjarje që ata vetë i nxjerrin në pah, me të dhëna biografike, si arsimi, përvojat e punës e deri te bindjet politike, tendencat ideologjike, prirjet kulturore e artistike të tyre.
E thënë ndryshe, Facebook-u është një database gjigant, ku njerëzia, ca nga dëshira e ca nga padija, zhveshin çdo lloj privacie dhe bëhen “libër i hapur”, i lexueshëm prej gjithkujt.
2.
Sigurisht që më duhet të jap një shpjegim se ç'lidhje ka shprehja “faqet si mollë” me Facebook-un apo me librin e mbyllur, që u bëra mbarë ta hapja, pasi i dhashë kompjuterit komandën “shut down”.
Së pari, dua të qetësoj mjaft lexues se nuk do bëj asnjë përpjekje për t’u rikujtuar atyre se kanë harruar librat me shkronja e janë turrur pas “librit të fytyrave”, pas televizionit, pas lojërave në kompjuter, pas informacioneve të paketuara, që i kanë krahasuar me “fast-food”-et e pashëndetshme.
Nuk dua fare të bëj moralistin, as t’u tregoj të mirat e librit modest prej letre. Ca më pak, krahas vlerave të zhvillimit që mbartin, nuk dua të tregoj “gjynahet” e mjeteve të tjera të teknologjisë së informimit. Para e pas këtij shkrimi, për këtë është shkruar e do shkruhet prej atyre njerëzve, të cilët kanë etalone vlerësimi të ndryshme për cilësinë dhe sasinë e informacionit që ofrohet nga mjetet e sipërpërmendura dhe impaktin që ato kanë te njerëzit. Po ashtu, nuk dua të krijoj asnjë lloj fryme negativiteti ndaj produkteve high-tech (të teknologjisë së lartë), si në rrafshin e hardware-t, ashtu edhe të software-t, përfshirë këtu edhe kompjuterin personal, që është bërë mjet i pandarë pune e argëtimi për shumëkënd, pasi të bësh të kundërtën, është njësoj si të thuash: “s’e dua dritën elektrike, se më pëlqen drita e diellit”.
Së dyti, nuk dëshiroj të vendos asnjë lloj sinori kufizues në mundësinë e njerëzve për komunikim ndërmjet tyre. Komunikimi i shpejtë, në kohë reale dhe transmetimi i menjëhershëm i kumteve, shoqëruar me imazh e me audio, kanë qenë ëndrra të hershme të njerëzimit. Sot, fatmirësisht, edhe Hermesi këmbëshpejtë duket po aq xhurasik sa objektet e pluhurosura të muzeve, krahasuar me arritjet e teknologjisë.
Së treti, s’e çoj nëpër mend të paragjykoj asnjë lloj mjeti për argëtimin e njerëzve, qoftë ky çlodhës apo jo, ashtu si nuk mund ta cik idenë se mundi i një sportisti, që rend me vrap në mëngjes, po humbet kot.
Është thënë dhe është provuar se informacioni është pushtet. Këtë gjë e dinë fort mirë jo vetëm krijuesi i Facebook-ut (një nga këshilltarët e lartë të administratës së SHBA-së), por edhe tërë ajo armatë specialistësh të IT-së anembanë globit, që joshin përdoruesit e pc-ve për t’u regjistruar në faqe të ngjashme, që ofrojnë opsione e aplikime nga më të larmishmet. Duket se, tashmë, ata e kanë të sigurt suksesin, mjaft që të operojnë me të ashtuquajturin “reality show”, pra me publikimin e çdo aspekti të rëndomtë të jetës njerëzore, për të cilën, çuditërisht, kurioziteti është i jashtëzakonshëm. Mbi të bazohen shumë shfaqje televizive e tashmë epidemia ka kapur edhe internetin.
Synimi është i qartë: shtimi i trafikut të vizitorëve në këto faqe, por edhe anëtarësimi i tyre në to, duke publikuar sa më shumë të dhëna personale. Trafiku në një faqe interneti është lehtësisht i konvertueshëm në para, nëpërmjet reklamave. Ky është marketing i pastër dhe sigurisht që këtu, nga pikëpamja ekonomike, s’ka asgjë të keqe.
3.
Problemi fillon kur faqet e paraqitura kërkojnë një regjistrim paraprak, për të ofruar akses në to dhe ky regjistrim bëhet duke dhënë, së paku, një adresë elektronike (email) dhe një password (fjalëkalim).
Padija apo naiviteti i shumë përdoruesve i bën ata të japin për regjistrim në faqe argëtuese - shpesh herë anonime, që s’i dihet as origjina e as kombësia - të njëjtat fjalëkalime, që shërbejnë për t’u futur (sign in) në adresat e tyre elektronike.
Këto email-e dhe fjalëkalimet respektive, ruhen dhe administrohen në database-t e këtyre faqeve, “çelësat” e të cilave i kanë krijuesit apo pronarët e tyre.
Sigurisht që, në shumë vende të botës, ka ligje për mbrojtjen e privacisë, përfshirë edhe të dhënat e materialet e vendosura në internet. Nëse ato preken, vidhen, manipulohen, dhunohen, ky është një problem i gjatë, që s’është objekt i këtij shkrimi. Krijuesit e këtyre faqeve, sado “engjëj” të jenë dhe të tregohen të tillë në miradministrimin e database-ve të tyre, nga vetë forma dhe përmbajtja e faqeve, i kanë detyruar frekuentuesit të jenë “libra të hapur”.
Larg qoftë, nëse këta administratorë do vendosnin të abuzonin me të dhënat që kanë në dorë. Fjala “lakuriqësi” do merrte tjetër kuptim.
Kapakët e librave shërbejnë për të mbrojtur fletët e tyre. Çdokush është i lirë t’i mbajë ato si të dëshirojë. Ka njerëz që paguajnë për t’i parë të tjerët duke u zhveshur. Pse të mos përfitosh edhe nga “striptiza” online, që shumë njerëz e ofrojnë falas?
4.
Kur shtypim tastierën e kompjuterit dhe bëjmë aplikime për anëtarësi në gjithfarë faqesh, të cilat e kërkojnë detyrimisht regjistrimin, rrallë herë ndodh t’i bëjmë vetes pyetjet: Çfarë fitojmë dhe çfarë humbasim nga ky regjistrim? Nëse ne as humbasim, as fitojmë gjë, përse po e bëjmë? A po japim ndihmesë që dikush, diku, të fitojë a të humbasë diçka prej nesh?
Nëse do t’i bënim pyetjet, përgjigjet e tyre do të na vinin vetvetiu dhe do të kuptonim qartë se kostoja e atij pak “informacioni” që ofrohet aty, është tmerrësisht e lartë, krahasuar me kohën që shpenzohet në dalldinë tollovitëse të argëtimeve boshe. Sepse, siç ndodh në të gjitha fushat, ekziston një raport midis përdorimit dhe shpërdorimit. Shembulli më klasik, por edhe më i mprehtë, mund të sillej nga mjekësia, pikërisht nga ilaçet, të cilat përcaktohen saktësisht në masën dhe mënyrën e përdorimit.
Si çdo gjë që keqpërdoret, edhe ato faqe mund të dëmtojnë kohën aktive të punës. Në raste të tilla dëmtohet vetëm përdoruesi. Nëse për pronarët e tyre trafiku i lundrimit online do të thotë pará, humbësit janë kohëbjerrës të joshur nga fytyrat e qeshura. Nëse për administratorët e tyre informacioni i dhuruar prej vizitorëve naivë është pushtet, për këta të fundit zbulimi i jetës private, ashtu si zhveshja e kalorësve nga koracat mbrojtëse, është gjithashtu edhe dobësi. PARAJA dhe PUSHTETI janë ëndrra mbarënjerëzore. Ligështia e lakuriqësia shpesh janë sëmundje të të dobëtëve. Dhe këtë lloj dobësie nuk ka frut, sado i shëndetshëm qoftë, që ta kurojë.
19 Janar 2009