Revoltohen studentët: Qeveria ka përdorur politikisht emrin tonë
Rreth 800 studentë kanë reaguar ashpër në një letër të drejtuar rektorit të universitetit të Tiranës, Dhori Kule. Sipas tyre, kryetari i të gjithë studentëve të Shqipërisë, Qamil Dika, publikisht akuzoi Presidentin e Republikës, Bamir Topi, në një forum politik, për mosveprim në lidhje me miratimin e ligjit të lustracionit. “Kryetari i të gjithë studentëve të Shqipërisë, Qamil Dika, njëkohësisht edhe kryetar ilegjitim i Fakultetit të Mjekësisë, publikisht akuzoi Presidentin e Republikës, Zotin Bamir Topi, përkrah një forumi politik, për mosveprim në lidhje me miratimin e një ligji që kishte ndezur tension politik në vend (atij të lustracionit). Pra, u bë pjesë e një aksioni politik, në emër të të gjithë studentëve të universiteteve shqiptare, përfshi pa dyshim atë të Tiranës, ndërkohë që si ligji për arsimin e lartë, ashtu edhe rregulloret dhe statutet e fakulteteve apo vetë këshillit e ndalojnë kategorikisht aktivitetin politik në emër të studentëve”, - thuhet në letër.
Gjithashtu, ata i drejtohen rektorit Kule duke i thënë se ai nuk ka reaguar ndaj ankesave që kishin përfaqësuesit e 800 firmëtarëve të peticionit për këtë çështje. “Duke shprehur shqetësimin tonë për fatin e zgjedhjeve që pritet të zhvillohen edhe këtë vit, ne vendosëm t’ju drejtohemi ju personalisht për të garantuar një proces zgjedhor të rregullt dhe të monitoruar, si dhe brenda afateve kohore që përcakton rregullorja e zgjedhjeve në universitete, ligji për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë, si dhe Statuti i Universitetit të Tiranës, i cili, megjithëse i paplotë, është miratuar në parim. Përveç kësaj, ju injoruat edhe kërkesën tonë për takim duke shmangur ballafaqimin me përfaqësuesit e më shumë se 800 firmëtarëve të peticionit për zhvillimin e zgjedhjeve në Fakultetin e Mjekësisë. Na lejoni të supozojmë se është pikërisht mungesa e informacionit që ju shtyn të mos lejoni organizimin e zgjedhjeve me motivimin se “strukturat politike kërkojnë të pushtojnë këshillat studentorë”. Në letër i kërkohet rektorit të Universitetit të Tiranës se përse ka heshtur, kur përfaqësuesi i studentëve u kthye pa miratimin e tyre dhe në shkelje flagrante të çdo të drejte përfaqësuese në një vegël të verbër të pasioneve politike të mazhorancës aktuale.
Përpjekja për të mohuar të drejtën kushtetuese të më shumë se 33 000 studentëve të Universitetit të Tiranës për t’u shprehur me votë për përfaqësuesit e tyre në këshillat studentore është tërësisht e paligjshme dhe vjen në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Sipas letrës së studentëve drejtuar rektorit të UT, çdo motiv ose arsye konsiderohet thjesht dhe vetëm një justifikim aspak i denjë për të mohuar të drejtën e studentëve për t’u shprehur me votë.
“Demokracia funksionon, pikërisht sepse e drejta themelore për të zgjedhur e për t’u zgjedhur është e garantuar për të gjithë qytetarët pa asnjë dallim. Është rasti që ju të demonstroni se praktika e dhunimit të votës së lirë, manipulimit të zgjedhjeve dhe mohimit kategorik të së drejtës kushtetuese për të votuar janë të huaja për Universitetin e Tiranës dhe Rektoratin, po aq sa janë të huaja, jo vetëm për studentët firmëtarë të këtij peticioni, por edhe për të gjithë studentët e tjerë dhe mbarë shoqërinë shqiptare”, - thuhet në letër. Ky është një fakt që tregon qartë se qeveria shqiptare ka përdorur emrin e 33 mijë studentëve për qëllimet e saj të ulëta, të lidhura ngushtë me përfitimet e individëve të veçantë.